/ATSH-Gjergji Mima/ -Edgars Rinkevics, Minisitri i Jashtëm i Letonisë, vend i cili mban nga 1 janari, Presidencën e radhës për Bashkimin Europian, paraqiti prioritetet e zgjerimit të BE-së për 6 muajt e ardhshëm para Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

Duke thënë se politikat e zgjerimit janë prioritare edhe për presidencën letoneze, Rinkevic theksoi se Shqipëria duhet të japë rezultate të dukshme në mënyrë që të nisë procesi i bisedimeve për antarësimi.

"Dhënia e statusit kandidat ndaj Shqipërisë vitin e kaluar ishte i merituar dhe njohje e punës së kryer përgjatë rrugës së saj për në BE. Ne e mirëpresim këtë progres, por ka më shumë sfida për t'u përballuar përpara se të mund të nisin negociatat", tha Rinkevics.

Nga ana tjetër, ai konfirmoi ambicien për "hapjen e kapitujve të parë të bisedimeve me Serbinë, nëse vendi përparon dukshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe zbaton marrëveshjet me Kosovën, e cila mund të firmosë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit gjatë pjesës së parë të këtij viti.

Paralelisht premtohet hapja e kapitujve të rinj negociues për Malin e Zi, asgjë për Bosnjen, ndërsa mungon unanimiteti në Këshillin e BE-së për Maqedoninë.