Pasditen e sotme është mbledhur Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian me qëllim diskutimin mbi Strategjinë e Komisionit Europian për zgjerimin në kuadër të procesit hapjes së negociatave, që Shqipëria shpreson që të ndodhë në qershor. Pjesë e takimit ka qenë edhe ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila theksoi se negociatat nuk janë një dhuratë, ndërsa kërkoi që të luftohet krimi dhe korrupsioni.
“Shteti i së drejtës është një nga pikat kryesore. Strategjia ka si bazë të saj luftën kundër korrupsionit dhe krimit. BE është e vendosur për të rritur angazhimin në rajonin e Ballkanit.
BE synon nxitjen e investimeve në rajon dhe mbështetjen në arsim dhe sektorin social, sidomos arsimit profesional. Negociatat nuk janë një dhuratë. Mirëpresim diskutimet nga shoqëria civile për të mbështetur dialogun mbi konsensusin për gjërat më të rëndësishme që kanë të bëjnë me Shqipërinë” tha ambasadorja e BE.
Ministri i Jashtëm Bushati theksoi se situata brenda BE nuk është në favor të Ballkanit, por vendosja e një afati dhe një date në horizont i motivon vendet kandidate. ‘Situata brenda BE nuk është në favor të Ballkanit, prandaj përshëndesim qasjen e KE në këtë drejtim. Strategjia e zgjerimit të vendeve të BE ofron një horizont të 2025. Pasja e kalendarëve veçse i motivon vendet e Ballkanit për të ecur me reformat” tha ai.
Më pas fjalën e kanë marrë deputetët e opozitës, Tabaku dhe Noka. Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se ka shkelur ligjet e miratuara me konsensus, ndërsa përsa i përket administratës publike theksoi se janë bërë hapa pas. Gjithashtu, Tabaku tha se qeverisë i mungon vullneti për të luftuar korrupsionin.
Por, për Flamur Nokën hapja e negociatave “do të detyrojë qeverinë që ta marra më seriozisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit”. Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Kodheli reagoi duke theksuar se “Po krijoni idenë sikur hapja e negociatave do të jetë një strukturë policore. Por jo, nuk është kështu”.