Rusia ka mbledhur rreth 70% të kapacitetit ushtarak për të pushtuar Ukrainën në javët e ardhshme, thonë zyrtarët amerikanë. Rusia thuhet se ka më shumë se 100.000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, por mohon se synon të pushtojë Ukrainën.
Dy zyrtarët amerikanë, të cilët nuk identifikohen, i thanë agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se temperaturat e ulëta në ditët në vijim do t’i mundësojnë Moskës që nga data 15 shkurt deri në fund të marsi, të dërgojë më shumë trupa në kufi me Ukrainën. Ata thanë se informacioni bazohej në vlerësimet e inteligjencës amerikane, por nuk jepnin dot detaje.
Sipas raportimeve, zyrtarët paralajmëruan se një pushtim rus i Ukrainës mund të shkaktojë deri në 50.000 vdekje civile. Ata vlerësuan gjithashtu se një sulm mund të bëjë që kryeqyteti ukrainas, Kiev, të bjerë brenda disa ditësh dhe të shkaktojë një krizë refugjatësh në Evropë ndërsa miliona njerëz do tentojnë të largohen.
Trupa shtesë amerikane kanë mbërritur në Poloni si pjesë e një dislokimi të ri për të forcuar forcat e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s në rajon.
Grupi i parë zbarkoi në Rzeszoë në juglindje të vendit të shtunën. Administrata Biden njoftoi ditë më parë se do të dërgonte rreth 3000 trupa shtesë në Evropën Lindore.
Moska thotë se trupat e saj janë në rajon për stërvitje ushtarake, por Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë mbeten të shqetësuar se Kremlini po planifikon të nisë një sulm.
Tensionet vijnë gati tetë vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës. Moska akuzon qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e marrëveshjes së Minskut, një marrëveshje ndërkombëtare për të rivendosur paqen në lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit dhe të paktën 14.000 njerëz janë vrarë që nga viti 2014. Rusia po këmbëngul që Ukraina nuk duhet të bëhet pjesë e NATO-s.
Rivaliteti midis Rusisë dhe SHBA-së, të cilat ende zotërojnë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë, daton që nga Lufta e Ftohtë. Ukraina ishte atëherë një pjesë vendimtare e Bashkimit Sovjetik komunist./Shqiptarja.com