Lufta nuk po bëhet më vetëm me armë por edhe me algoritme.

Raketa gjithnjë e më të sakta, bomba “inteligjente”, dronë që fluturojnë në tufë dhe që ndjekin një ushtar deri brenda në llogore. Ka edhe robotë me topa, dronë që bllokojnë anije cisternë, të tjerë që lëvizin nën ujë dhe fundosin anije ose dëmtojnë tubacione gazi dhe kabllo interneti në fund të detit. Shumë nga këto teknologji janë relativisht të lira dhe bëhen edhe më efektive kur përdoret inteligjenca artificiale.

Vitet e fundit përdorimi i saj është rritur shumë, sidomos pasi modelet e mëdha gjuhësore si ChatGPT u përhapën në gjithë botën. Inteligjenca artificiale nuk përdoret vetëm për analiza apo përpunim informacioni. Ajo përdoret edhe për operacione konkrete. Një shembull që përmendet shpesh është shpërthimi i njëkohshëm i mijëra pager-ëve të militantëve të Hezbollahut në Liban, një operacion që iu atribua shërbimit sekret izraelit Mossad.

Teknologjia tani është futur thellë edhe në sistemet ushtarake. Në SHBA, për shembull, modeli i avancuar Claude i kompanisë Anthropic po përdoret në shumë sisteme sekrete informacioni të forcave të armatosura. Programet analizojnë me shpejtësi gjigante të dhëna që vijnë nga interneti, telefonat, satelitët, kartat e kreditit, kamerat dhe shumë sisteme të tjera mbikëqyrjeje. Në pak sekonda këto të dhëna kthehen në plane logjistike, stimulime lufte dhe skenarë të mundshëm sulmi.

Për vite me radhë teknologjia u pa si një mjet që do ta bënte jetën më të lirë dhe më demokratike. Interneti dhe rrjetet sociale u prezantuan si hapësira ku të gjithë mund të shpreheshin lirshëm. Por realiteti doli më i ndërlikuar: më shumë pabarazi, më shumë zëra ekstremë dhe një rrëmujë informacioni e mbushur me lajme të rreme.

Zemërimi u shtua edhe më shumë kur u kuptua se kompanitë që krijuan këto teknologji i dinin rreziqet. Facebook, për shembull, kishte studime të brendshme për varësinë që krijonin rrjetet sociale, por nuk i bëri publike për një kohë të gjatë. Ndërkohë shumë drejtues të Silicon Valley i mbajtën fëmijët larg telefonave dhe kompjuterëve deri në adoleshencë.

Tani frika është edhe më e madhe, sepse inteligjenca artificiale nuk po ndryshon vetëm jetën online, por edhe mënyrën se si bëhet lufta dhe si shtetet mund të kontrollojnë qytetarët. Një sistem i fuqishëm mbikëqyrjeje masive mund të kufizojë seriozisht liritë nëse përdoret pa kontroll.

Në SHBA kjo ka hapur edhe një debat të fortë. Pentagoni nuk pranon që kompanitë private t’i vendosin kufij përdorimit ushtarak të teknologjisë. Nga ana tjetër, Dario Amodei, drejtues i kompanisë Anthropic, paralajmëron se politika nuk ka krijuar ende rregulla të qarta për këtë revolucion teknologjik.

Një nga shqetësimet kryesore është se inteligjenca artificiale nuk po përdoret vetëm për të analizuar situatat, por edhe për të propozuar ose marrë vendime. Sistemet e reja jo vetëm përshkruajnë atë që po ndodh, por edhe parashikojnë rreziqet dhe sugjerojnë veprime konkrete. Në disa raste njeriu mbetet thjesht një mbikëqyrës, ose del fare nga procesi i vendimmarrjes.

Në luftën në Ukrainë kjo u pa qartë. Sipas analizave ushtarake, rreth 70% e viktimave shkaktohen nga dronë të lirë që drejtohen me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Një dekadë më parë situata ishte shumë ndryshe. Kur SHBA përdori për herë të parë dronët Reaper kundër Al-Qaedas, presidenti Barack Obama duhej të vendoste personalisht për çdo sulm. Ai e dinte se bashkë me terroristët mund të vriteshin edhe civilë. Në një rast humbi jetën edhe një peng italian dhe Obama doli para kamerave për të marrë përgjegjësinë publike.

Sot dilema është tjetër. Në fazën e parë të operacioneve ushtarake izraelite në Gaza, inteligjencës artificiale iu dha një listë me rreth 33 mijë emra personash të dyshuar si militantë ose mbështetës të Hamasit. Pastaj algoritmi u përdor për të zgjedhur se cilët prej tyre duhej të bëheshin objektiv i sulmeve./CorrieredellaSera