Inteligjenca Artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në administratën publike shqiptare. Në një video të publikuar nga e-Albania, Mattias Bilaj, specialist në Drejtorinë e Inteligjencës Artificiale në AKSHI, prezantoi katër sistemet që po ndihmojnë institucionet në përpunimin e të dhënave, analizën e legjislacionit dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Një prej tyre është sistemi "Mbivendosja Ligjore", i cili identifikon dispozitat që përsëriten, mbivendosen ose krijojnë paqartësi mes akteve ligjore, duke lehtësuar punën e ekspertëve dhe duke përmirësuar cilësinë e legjislacionit.

Një tjetër modul i Inteligjencës Artificiale është integruar në Platformën e Integrimit dhe Anëtarësimit Europian. Sipas prezantimit, ai përshpejton përkthimin, analizën dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, ndërsa vendimmarrja përfundimtare mbetet gjithmonë në dorën e ekspertëve.

Në administratën tatimore, sistemi eIAD analizon të dhënat dhe identifikon anomalitë apo rastet me risk, duke ndihmuar administratën të punojë në mënyrë më të saktë, objektive dhe efikase.

Bilaj përmendi edhe Diellën, asistenten virtuale të e-Albania, e cila orienton qytetarët, u përgjigjet pyetjeve dhe i ndihmon t'i qasen më lehtë shërbimeve dhe dokumentave publike.

Sipas tij, objektivi i përbashkët i këtyre sistemeve është përdorimi i teknologjisë për ta bërë administratën më të shpejtë, më efikase, më transparente dhe më pranë qytetarit.

Platforma e-Albania u krijua dhe u lançua në vitin 2013 nga qeveria shqiptare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me synimin për të ofruar shërbime publike online dhe për të reduktuar burokracinë. Ndër vite ajo është zgjeruar me qindra shërbime digjitale, ndërsa së fundmi u prezantua edhe e-Albania 2.0.

Zhvillimi teknologjik mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar edhe më herët se synohet zgjerimi i përdorimit të Inteligjencës Artificiale në administratë, përfshirë edhe Prokurimet Publike, me qëllim uljen e ndërhyrjeve njerëzore në proceset administrative.