Qindra orë debate në seancat plenare dhe komisionet parlamentare që regjistrohen, hidhen në letër në procesverbale përmes punës fizike të një stafi të gjerë të Kuvendit që punon me kufje në vesh për transkriptimin e tyre. Në epokën e inteligjencës artificiale, kjo metodë pune në Kuvend pritet të ndryshojë.

Parlamenti ka zhvilluar një tender prej 500 mijë eurosh, të fituar nga një kompani e huaj, e cila do të mundësojë këtë procedurë për zbardhjen e mbledhjeve duke përdorur inteligjencën artificiale, punë e cila mund të fillojë në janar.

Ky është investimi më i madh i Kuvendit për vitin 2025, sipas raportit financiar të siguruar nga Report TV. Tenderi për këtë produkt është drejt përfundimit.

Gjithashtu, Parlamenti po investon edhe për të forcuar mbrojtjen nga sulmet online. Në këtë fazë, 240 mijë euro po shkojnë për rritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike.

Kuvendi ka blerë gjatë këtij viti e dhe makina, me vlerë 160 mijë euro, por nuk specifikohet në raport sasia, lloji apo marka.

Performanca teknologjike është në fokus të Parlamentit, i cili këtë fund vit shpenzon edhe 20 mijë euro të tjera për të përmirësuar aplikacionin "Kuvendi i Shqipërisë", ku qytetarët mund të hyjnë online për të marrë informacionet e nevojshme.

56 mijë euro janë paguar për një sistem për ndërveprimin e Kuvendit me publikun, organizatat e shoqërisë civile dhe lobistë.

340 mijë euro janë blerje pajisjesh zyre për gjatë vitit 2025, dhe totali i investimeve që ka bërë Parlamenti për vitin 2025 llogaritet 1.37 milionë euro.