Mes tensioneve, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot dhe miratoi gjashtë projektligje dhe tre projektvendime me votat e mazhorancës socialiste.

Partia Demokratike bllokoi punimet e Kuvendit dhe kërkoi që diskutimi në Kuvend të përqëndrohej vetëm te protesta, që prej disa ditësh po zhvillohet në Tiranë, ndërsa PS, përmes kryetarit të Grupit, Taulant Ballës, kërkoi që të kalohej menjëherë në votim.

Me 76 votat e mazhorancës, Kuvendi ndërpreu diskutimet dhe u kalua menjëherë në votim. Fillimisht Kuvendi miratoi me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim, projekt-programin dhe projekt-kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 19 Tetor-6 Nëntor 2026, çështje për të cilët nuk ishte arritur dakordësia në Konferencën e Kryetarëve.

Mes projektligjeve të miratuara ishte edhe ai ‘për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit’, si dhe ndryshimet në ligjin “për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.

Ndërsa nga projektvendimet ishte miratimi i dekretit të Presidentit për shkarkimin e Adea Pirdenit, nga Ministre e Shtetit për Administratën Publike e Antikorrupsionin dhe emërimin e saj si Ministre e Administratës Publike. Po ashtu edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Seanca e sotme plenare miratoi gjashtë projektligje, më konkretisht:

-Projektligji “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025”, me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020, “Për shërbimet e pagesave””, me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

- Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar”. Për këtë ishin paraqitur 11 amendamente nga deputeti Ramion Kurti, të cilat u miratuan me shumicë votash. Në tërësi ky projekligj u miratua me 77 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

-Projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale” Për këtë ishin paraqitur disa amendamente nga deputeti Admir Kadeli, të cilat u miratuan me shumicë votash. Në tërësi ky projekligj u miratua me 76 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimet

Seanca miratoi tre projektvendime. Më konkretisht:

-Projektvendimi “Për miratimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 521, datë 19.10.2026 “Për shkarkimin e znj. Adea Pirdeni, nga Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin” u miratua me 76 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.

-Projektvendimi “Për miratimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 522, datë 19.10.2026 “Për emërimin e znj. Adea Pirdeni si Ministër i Administratës Publike” u miratua me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

- Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 11:35.


Lajmi kryesor:

Kuvendi në kaos, me ‘dirigjim’ të Berishës PD bllokon foltoren! I merr kartonët mazhorancës, përmbys karriget! Noka sulmon Ballën e Peleshin, Fidel Kreka godet me bllok votimi ish-ministrin Hoxha