Investimet në Shqipëri do të bëhen nën një kuadër të ri ligjor, me rregulla të reja.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur për Konsultim Publik, për projektligjin “Për Investimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili pritet të miratohet në Kuvend vitin e ardhshëm.

Në nenin 2 të tij thuhet se synohet krijimi i një klime më të favorshme dhe konkurruese për investimet, vendase dhe të huaja, duke siguruar trajtim dhe mbrojtje të barabartë për investimet.

Sipas draftit (Në nenin 14 të projektligjit) në vend do të ketë 3 zona me potencial zhvillimi, të cilat do të propozohen nga Agjencia e Investimeve (AIDA), dhe miratohen nga Komiteti i Nxitjes së Investimeve.

a.     Zona 1 - Zona me potencial të lartë zhvillimi; 

b.     Zona 2 - Zona me potencial të mesëm zhvillimi; 

c.      Zona3 - Zona me potencial të ulët zhvillimi. 

Për të bërë këtë klasifikim, sipas projektligjit, fillimisht do të kryhet një analizë e detajuar mbi mundësinë e zhvillimit ekonomik dhe punësimit.  

Madje për të zhvilluar këto zona prioritare, privatët do të mund të përfitojnë tokë shtetërore edhe me tarifë të reduktuar, pa garë konkurruese.  

“Pasuritë e paluajtshme shtetërore mund të vihen në dispozicion të investitorëve në një nga format e parashikuara në këtë ligj dhe legjislacioni në fuqi për pronën shtetërore, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara sipas referencave ligjore të legjislacionit në fuqi, kundrejt pagesës së përshkallëzuar sipas klasifikimit të zonave”, thuhet në germën A të pikës së dytë të nenit 16.

Më konkretisht investitori do të paguaj 100% të sipërfaqes së pronës shtetërore kur është ZONA 1 pasi ka potencial të lartë zhvillimi. Për zonën e dytë paguan 50% të vlerës së pronës dhe për të tretën ka një tarifë të reduktuar. Ndërkohë metodologjia e caktimit të vlerës do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.

Por të gjithë të interesuarit për të përfituar pasuritë shtetërore, do të duhet të paguajnë një tarifë në momentin që aplikojnë. Me të ardhurat e krijuara do të ngrihet ‘Fondi i  Nxitjes së Investimeve’.

Edhe në rastet kur investimi do të kryhet në tokë private por kufizohet me pronë shtetërore, kjo e fundit mund ti vihet në dispozicion investitorit pa konkurrim, kur sipërfaqja e pasurisë shtetërore të kërkuar nuk tejkalon 20% të sipërfaqes së pasurisë private mbi të cilën realizohet investimi. 

Ndërsa në nenin 20 të draftit parashikohet edhe e drejta e përdorimit të brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve për qëllime të realizimit të investimit, me vendim të Komitetit të Nxitjes së Investimeve.

Më tej në nenin 22 është specifikuar se shteti shqiptar mund të marrë pjesë në investime kur kjo justifikohet nga interesi publik dhe kontributi i pritshëm i investimit në zhvillimin ekonomik të vendit. 

Sa i takon investimeve tërësisht me kapital të huaj ato do të shqyrtohen nga ‘Komiteti Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja, një organ kolegjial vendimmarrës, i cili shqyrton investimet e huaja me qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe rendit publik dhe kryesohet nga ministri i ekonomisë.

Investitorët strategjik që kanë fituar këtë status ose që kanë aplikuar para se ligji të hyjë në fuqi, do vijojnë të mbështeten me procedurat e miratuara.  

Ligji i kontestuar i Investimeve strategjike u miratua në vitin 2015, me një afat 3 vjeçar, i shtyrë 6 herë, dhe do të shfuqizohet përfundimisht në fund të këtij viti. Ndonëse synimi ishte për t’i dhënë shtysë zhvillimit të shumë sektorëve, efekti i tij, mbeti i fokusuar në turizëm.

“Në aspektin e portofolit të projekteve, gjatë periudhës 2016–Maj 2025 statusin e investimit/investitorit strategjik e kanë përfituar gjithsej 54 projekte. Profili sektorial i këtij portofoli është karakterizuar nga një përqendrim i theksuar në sektorin e turizmit (42 projekte), ndërsa sektorët e tjerë kanë pasur peshë dukshëm më të ulët (bujqësi, energji, TEDA, industri/logjistikë)”, thuhet në relacion.

Për herë të parë në relacion ngrihet si shqetësim fakti që ky ligj në 1 dekadë në fuqi nuk pati efekt për sektorët me prodhim të lartë.

“Niveli i ulët relativ i projekteve në sektorë me vlerë të shtuar të lartë, si prodhimi, teknologjia, inovacioni dhe zinxhirët industrialë, tregon një kufizim në diversifikimin e impaktit ekonomik. Në këtë kuadër, përvoja e deritanishme sugjeron nevojën për orientim më të qartë të politikës drejt sektorëve që kontribuojnë në rritjen e produktivitetit, transferimin e teknologjisë dhe rritjen e eksportit”, theksohet në relacion.