Real Madrid e nisi me këmbën e mbarë Champions League, duke mposhtur 2-1 Interin, që ishte dominues në fushën e lojës, por që u ndëshkua nga gabimet individuale. Pas disa rasteve të italianëve, një humbje topi në mesfushë nga Courtis Jones dhe më pas një reagim i dobët nga Biseck solli golin e parë të Real Madrid në minutën e 14-të. Pa kaluar shumë një tjetër gafë e italianëve, këtë herë nga portieri Martinez, solli golin Valverde-s, duke i dhënë qetësinë ‘galaktikëve’.

Në vijim Interi u përpoq shumë, duke lënë hapësira që nuk u shfrytëzuan nga Reali. Në minutën e 77 Carlos Agusto shkurtoi diferencat, ndërsa deri në fund pavarësisht tentativave të Interit ishte Reali që fitoi 2-1. Jose Mourinho dhe Valverde i dhanë meritat portierit Courtis për 3 pikët, ndërsa Chivu u shpreh se ‘kjo disfatë nuk e mërzit’, pasi ‘loja në fushë e bën optimist për ndeshjet në vijim’.

Fitore në ndeshjen debutuese të sezonit të ri të Champions League siguroi edhe Manchester City, që kundër Porto-s ia doli 0-2 falë ‘dopietës’ së Erling Halaand.

Dortmund-i mposhti në shtëpi Villareal me rezultatin 3-2, teksa protagonist absolut i ndeshjes ishte sulmuesi Guirassy. Pas dy golave për gjermanët, Guirssy në shtesë realizoi edhe një autogol, por që nuk i hoqi pikët Dortmund, pasi sfida përfundoi 3-2.

Në sfidat e tjera Lille u mposht 2-3 nga spanjollët e Betis të cilët ia dolën me përmbysje, ndërsa Aston Villa fitoi 2-3 në Belgjikë kundër Club Brugge. Shumë pozitivisht e nisën grekët e AEK-ut. Ata fituan 1-0 kundër LASK-ut të Austrisë në duelin ku Stavro Pilo ishte titullarë, ndërsa Thomas Strakosha mungoi për shkak dëmtimi.