Inter nuk e ka diskutuar Benevento-n për llogari të javës së 20 të Seria A pasi zikaltërit kanë fituar 4-0 në San Siro. ‘Pokeri’ i golave do të niste që në minutën e 7, por do të ishte një autogol ai që do të zhbllokonte shifrat.
Për të parë golat e tjerë duhet të vinte pjesa e dytë, me Martinez i cili dyfishoi në minutën e 57. Më pas Lukaku do të gjente dy herë rrugën e rrjetës për të vulosur shifrat përfundimtare të këtij takimi. Për t’u veçuar edhe fakti që Interit në këtë sfidë iu anuluan edhe dy gola për pozicion jashtë loje.
Sakaq tre pikët ka marrë edhe Juventusi që mposhti 0-2 Sampdoria-n. Chiesa zhbllokoi shifrat, ndërsa në minutat shtesë vuloosi gjithçka Aron Ramsey. Më herët Milani kryesues i Seria A fitoi 1-2 kundër Bologna-s. ‘Djalli’ është në kuotën e 46 pikëve, i ndjekur nga Interi me dy pikë më pak, ndërsa Juventus renditet në vendin e 3 me 7 pikë larg Milanit, por ‘zonja’ ka një ndeshje më pak.
Ndërkohë në La Liga Levante ka shtangur Real Madrid-in, duke e mposhtur 1-2. Një humbje për ‘galaktikët’ që pothuajse i nxjerr nga gara për titull. Kjo pasi skuadra e Zidan aktualisht renditet në vendin e dytë me 40 pikë, 7 më pak se Atletico kryesuese, por ‘el colchoneros’ kanë edhe dy ndeshje më pak.