Normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore pësuan rënie të mëtejshme në gjysmën e dytë të vitit 2025.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë zbriti në 54.8%, nga 62.2% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm dhe 70.9% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2024.

Për paradhëniet bankare (overdraftet) deri në 200 mijë lekë, norma efektive mesatare e interesit ra në 13.71%, nga 13.72% që ishte në gjashtëmujorin e parë dhe 13.9% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2024.

Për kartat e kreditit me limit deri në 200 mijë lekë, interesi mesatar ra në 20.01, nga 20.29% që ishte në gjashtëmujorin e parë 2025 dhe 20.47% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë 2024.

Për kreditë me këste me vlerë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, norma mesatare efektive e interesit rrit lehtë në 26.57%, nga 26.41% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë, por në rënie krahasuar me nivelin prej 27.42% të gjashtëmujorit të dytë 2025.

Për kreditë me shumë nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë norma mesatare e interesit ra në 11.03%, nga 11.2% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm dhe 12.15% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Normat e mësipërme të interesit janë llogaritur mbi të gjitha kreditë konsumatore të dhëna nga bankat dhe institucionet financiare jo-banka, bazuara në të dhënat faktike që pasqyrohen në Regjistrin e Kredive.

Norma mesatare efektive e interesit përfshin normën nominale të interesit të kredisë, por edhe të gjitha kostot e tjera që i ngarkohen klientit, duke përfshirë edhe komisionet apo tarifat e tjera.

Rënia e normës efektive mesatare të interesit për kreditë konsumatore përputhet në përgjithësi me një tendencë në rënie të interesave në tregun financiar. Kjo rënie u përcaktua nga politika monetare më stimuluese e Bankës së Shqipërisë, nga gjendja e mirë e likuiditetit në treg, por edhe nga një konkurrencë të lartë në tregun e kredisë konsumatore.

Aplikimi i një norme maksimale efektive të interesit nga Banka e Shqipërisë duket se ka shërbyer gjithashtu si faktor që i ka zhvendosur në ulje interesat mesatare të kredive në vitet e fundit. Që prej fillimit të vitit 2022, kur nisi aplikimi i normës tavan të interesit, ky tregues ka lëvizur vazhdimisht në rënie.

Normat e ulëta të interesit po mbështesin një rritje me ritme shumë të shpejta të kredisë konsumatorë. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë konsumatore (duke përfshirë overdraftet) në fund të nëntorit 2025 arriti në 106.3 miliardë lekë, në rritje me pothuajse 22% krahasuar me një vit më parë./Monitor