FAZLLIC NE TIRANE
Ndërkohë që Damir Fazlliç është parë dje në Sheraton në Tiranë. I shoqëruar me roje të shumtë dhe me një çantë të mbushur më shumë se normale, ai doli nga hoteli për të hipur në makinën e tij. Ndërsa gjatë ditës së sotme ai është parë në aeroportin e Rinasit, ndërsa largohej nga Shqipëria, siç dëshmon edhe kjo foto që shoqëron shkrimin. Gazeta kosovare Zëri shkruante më 16 prill për një takim të zhvilluar në Vjenë mes Vuk Hamoviç, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, Damir Fazlliç dhe djalit të kryeministrit, Shkelzen Berisha. Sipas Zërit “Biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha në instanca të larta shtetërore në Shqipëri, për bllokimin e ndërtimit të linjës”. Nga ana e tij Shkëlzen Berisha ka mohuar takimin madje ka mohuar dhe njohjen me Vuk Hamoviç.
LETRAT E KfW, MINISTRIA E ENERGJETIKES HESHT
Ndërkohë, një përgjigje e parë mund të konsiderohet një seri letrash, që KfW u ka dërguar tashmë institucioneve shqiptare, ku ka shprehur shqetësimin lidhur me shkeljen e rregullave në tender, që ka kryer pala shqiptare. Sipas këtyre dokumenteve, as rregulloret e KfW-së dhe as ligji shqiptar për prokurimin publik nuk parashikojnë që, pas përfundimit të garës, të mund të ndryshohen rregullat e saj. Në fakt, pasi të gjitha palët organizatore të tenderit kishin vendosur që 70% e pikëve në garë do t'i akordoheshin subjektit që ofronte kushtet më të mira teknike, Operatori shqiptar i Sistemit të Transmetimit ka shfaqur synimin për t'ia akorduar financimin, jo kompanisë kroate që rezultonte e para sipas këtyre kushteve, por asaj nga Bosnja, që kishte dhënë një shifër më të ulët financiare.
REAGOJNE PD E PS
Ndërkohë, ministria e Energjetikës nuk ka dhënë asnjë prononcim lidhur me situatën e krijuar, por këtë "boshllëk" e ka mbushur Partia Demokratike, e cila, me anë të zëdhënses së saj Silvi Bardhi ka deklaruar dje se PS dhe kreu i saj Edi Rama synojnë që tenderin ta fitojë një subjekt i caktuar. "Rama derdhi lot para mediave se përse OST në tenderin për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë nuk shpalli fituese firmën që kërkoi 36 milionë euro për ndërtimin e saj, por shpalli tjetrën që kërkoi 27 milionë euro apo 30 % më pak se e para, duke kursyer mbi 10 milionë dollarë nga borxhi i taksapaguesve shqiptarë. Ligjet e vendit nuk lejojnë shpalljen fituese të një kompanie me ofertë mbi 10 milionë dollarë më të shtrenjtë se kompania tjetër. Insistimi dhe avokatia që i bën cdo ditë këtij problemi sëbashku me 'Zërin e Popullit' dhe simotrat e saj, fakton se është goditur rëndë personalisht nga vendimi i drejtë dhe ligjor i OST-së", tha ajo.
Nga ana e tij, kryetari i opozitës Edi Rama tha se Berisha ka fyer me deklaratat e tij, qeverinë gjermane, median e lirë dhe opozitën. "Berisha foli për klikën e mafias, duke akuzuar si zëdhënës të mafias KfW, gazetën 'Zëri' dhe natyrisht edhe opozitën. Nuk di nëse tek mafia ai fut edhe partinë e koalicionit të tij. Kjo është çështje që i takon ta zgjidhin me njëri- tjetrin. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që të besojë se banka që përfaqëson shtetin gjerman të jetë mafioze dhe Saliu të jetë qelibar. Ai la nam duke përcaktuar si fitues të konkursit për Kuvendin kompaninë me çmim më të lartë, në kundërshtim të hapur edhe me ministrin e tij të Financave", theksoi Rama. Në emër të opozitës shqiptare, kryetari i PS në një konferencë për shtyp i bëri thirrje kryeministrit të zhbllokojë projektin. "Në emër të opozitës shqiptare, i bëj thirrje kryeministrit ta heqë postbllokun e korrupsionit nga projekti dhe të mos damkosë më tej qeverinë me vulë antikombëtare turpi".
(Shkrimi u botua sot në gazeta Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)