Deputeti i PL, Tedi Blushi në interpelancën e kërkuar me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka kërkuar sqarime për moszbatimin e raportit të Avokatit të Popullit lidhur me trajtimin e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta gjatë qëndrimit në paraburgim.
Ju kam thirrur për të dhënë llogari për një krim shtetëror të kryer me vetëdije dhe me qëllim të qartë politik, atë të degradimit sistematik të sistemit penitenciar nga një institucion rehabilitimi nën përgjegjësinë tuaj; një makineri çnjerëzore, dhunë, frikë e terror institucional në një sistem të kalbur. Viktima nuk janë vetëm të paraburgosurit dhe të burgosurit, të trajtuar në kushte poshtëruese dhe kafshërore, por edhe vetë gardianët, që i keni shndërruar në skllevër të një administrate kriminale që ju e keni ndërtuar e ushqyer.
Nga njëra anë, ju shpallni amnistinë si mjet për të shfryrë mbipopullimin e burgjeve, ndërsa nga ana tjetër minoni burgimin për parkimin “2”, duke goditur qytetarët e pambrojtur. E gjitha kjo ndodh në një realitet absurd. Falë jush, Shqipëria mban një rekord të turpshëm; jemi i vetmi anëtar i NATO-s me të burgosur politik.
E pa e gjithë bota atë që ndodhi më 21 tetor, kur, për të rrëmbyer zgjedhjet e 11 majit dhe për të terrorizuar anëtarët e PL, ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i Parlamentit dhe ish-kryeministri, u rrëmbye nga bandidë të maskuar dhe të armatosur; u tërhoq zvarrë dhe u fut në një automjet privat, duke u mbajtur peng për rreth 2 orë. Edhe nga vetë SPAK dhe gjykata u provua se Meta u njoh me akuzën në orën 14:16, ndërkohë që rrëmbimi i tij, që e pa e gjithë bota, ndodhi në orën 12:18.
Prej tre muajsh, AP ju ka dhënë tre rekomandime të detyrueshme për zbatim, për t’i dhënë fund trajtimit kriminal dhe çnjerëzor ndaj Metës, të cilin e rrëmbyet në mënyrë mafioze dhe mbi 15 muaj vijoni ta mbani në izolim ekstrem, pa asnjë fakt apo provë penale, me zero pasuri të paligjshme të sekuestruar dhe zero qindarkë dëm të taksave të shqiptarëve.
Sot, Balluku ende vijon të japë tendera, edhe pse ka mbi kurriz një mal me prova për korrupsionin e saj. AP ju rikujton se, pas një hetimi administrativ, ka arritur në përfundimin se ndaj Metës nuk janë shkelur vetëm liritë dhe të drejtat, por edhe liritë politike, e fjalës dhe mendimit. Sjellja diskriminuese ndaj tij në paraburgim nga ndalimi për të komunikuar me mediat, ndalimi i deputetëve dhe eurodeputetëve për ta takuar është rast unik.
Kufizimi i takimeve në vetëm katër në muaj përbën shkelje të Kushtetutës. Ndalimi i takimeve me deputetë dhe kufizimi i telefonatave është antinjerëzor. Kam mbi një vit që nuk komunikoj dot me Metën”, tha Blushi.
Lajmi kryesor:
Blushi-ministrit të Drejtësisë: Meta trajtohet në mënyrë çnjerëzore! Lamallari: Raporti i Avokatit të Popullit është i qartë, ai trajtohet njësoj me të paraburgosurit e tjerë












