Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, zhvilloi një interpelancë në Kuvend me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, lidhur me artikullin e përbashkët të botuar në muajin shkurt të këtij viti nga kryeministri Edi Rama dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç në prestigjiozen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku propozonin një qasje të re për integrimin në BE.

Teksa theksonin rëndësinë dhe përfitimet e dyanshme nga anëtarësimi, Rama dhe Vuçiç shpreheshin në artikull se Shqipëria dhe Serbia pranonin të bëheshin pjesë e BE edhe pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse të unionit.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Tritan Shehu është shprehur se editoriali i propozuar nga qenë vendimmarrje personale e kryeministrit Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, prandaj për deputetin demokrat, interpelancën duhet ta zhvillonte me Ramën dhe jo me Hoxhën.

“Kam kërkuar interpelancë me kryeministrin, sepse interpelanca lidhet me një artikull të botuar nga kryeministri me bashkëautor Vuçiçin. Artikujt janë elementë personal dhe përgjigjen autorët që i kanë shkruar. Nga ana tjetër, unë mendoj se veprimi juaj zoti ministër është i gabuar, sepse ju në mënyrë të gabuar involvoni Ministrinë e Jashtme. Ministria e Jashtme s’ka pse të involvohet me një artikull të tillë që bie ndesh me parimet e integrimit europian të vendit tonë. Çështja është paraqitur në mënyrë personale nga dy drejtuesit e mazhorancave në Shqipëri dhe Serbi. Kryeministri nuk erdhi, nuk guxon të përgjigjet", tha mes të tjerash Shehu.

Më tej Shehu shtoi se ky propozim i Ramës dhe Vuçiç cënon interesat strategjike të Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë faktorit shqiptar në rajon. Për Shehun, artikulli i botuar nga Rama dhe Vuçiç për prestigjozen gjermane, bie ndesh me rezolutat e miratuara më herët në Kuvend, ku shprehet qartësisht vullneti për anëtarësimin e plotë në BE.

Pra në 2 shkurt 2026, kryeministri Rama me bashkëautorsi të Vuçiç kanë publikuar një editorial në median gjermane, ku kanë bërë një propozim publik drejtuar BE-së për një qasje të re në procesin e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke hequr dorë nga një anëtarësim i plotë dhe duke u mjaftuar me një integrim të vendeve kandidate vetëm në tregun e brendshëm dhe zonën Shengen. Ky qëndrim i Ramës bie ndesh me qëndrimet historike që prej vendosjes së demokracisë në vendin tonë. Bie ndesh me rezolutat e miratuara më herët në Kuvend, ku shprehet qartësisht vullneti për anëtarësimin e plotë në BE. Ky artikull me ato që shpreh, shkel parimet e kuadrit negociator Shqipëri-BE dhe cënon interesat strategjike të Shqipërisë, të Kosovës dhe gjithë faktorit shqiptar në rajon:, vijoi më tej Shehu.

Sipas deputetit demokrat, Rama dhe Vuçiç synojnë që të fusin nga ‘dritarja’ në BE ato që ai i cilësoi si regjime autoritare në Shqipëri dhe Serbi. Shehu tha gjithashtu se Shqipëria nuk duhet të pretendojë që të hyjë në BE në një ‘karrocë’ me Serbinë, e cila sipas tij i ka sytë nga Rusia dhe kërkon të ‘godasë’ në çdo dimension Kosovën.

"Kur lexon këtë artikull, kupton krizën e thellë të regjimeve autokratike anti-europiane në rajonin tonë. Prandaj të dy bashkëautorët kërkojnë të fusin nga dritarja në atë familje qeverisjet e tyre anadollake, pasi hyrja nga porta do të ishte e pamundur pa realizuar thelbin e parimeve europiane. Kjo do të thoshte fundin e pushtetit të tyre. Prandaj kaluan në akrobaci. Ky artikull kërkon të legalizojë regjimet lindore, por kjo s’mund të ndodhë. Ajo është një tentativë ringjallje e projektit serb të Ballkanit të Hapur, i futur tashmë në arkivol. Një artikull ku aspiratat e shqiptarëve në rajon futen në një rrafsh me ato serbe. Këta kërkojnë të zhveshin BE-në nga vlerat mbi të cilat u themelua. Vërtetë mendoni se mund të hyjmë në BE në një karrocë me Serbinë? Serbia i ka sytë nga Rusia”, përfundoi Shehu.

Nga ana tjetër, ministri Hoxha është shprehur se propozimi i Ramës dhe Vuçiç synon që ta bëjë më të prekshme e të besueshme rrugën e anëtarësimit për Shqipërinë, Serbinë, por edhe vetë BE-në.

“Në vitin 2013 ka qenë viti i fundit që BE u zgjerua. Zgjerimi nuk ka qenë më në qendër të agjendës europiane. Në kushtet e reja që përballet BE, zgjerimi shihet tashmë si një mjet për forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ky riorientim i pozicionit të BE-së ka nxitur një valë diskutimesh në nivel europian dhe rajonal. Nga modelet e integrimit gradual tek anëtarësimi i diferencuar apo faza e ndërmjetme e përfshirjes në politikë apo tregjeve të përbashkët, debati reflekton një përpjekje serioze për të gjetur një ekuilibër mes nevojës për zgjerim dhe kapacitetit të BE-së për të qenë eficente. Natyrshëm që situata të tilla komplekse kërkojnë kreativitet dhe vision. Ky është konteksti në të cilin duhet parë artikulli i botuar disa muaj më parë, çka zgjoi vëmendje, por që kërkon një lexim të qetë dhe racional. Thelbi është që artikulli nuk sfidon aspak objektivin e anëtarësimit të plotë të vendit në BE. Përkundrazi, ai synonte ta bënte këtë rrugë më të prekshme, më funksionale dhe më të besueshme për vendet aspirante dhe për vetë BE-në. Askund në atë artikull nuk bëhet fjalë për heqje dorë nga ky synim dhe për relativizimin e tij", tha mes të tjerash Hoxha.

Sipas Hoxhës, në artikullin e botuar nga Rama e Vuçiç për median gjermane, propozohej një rrugë e përshpejtuar dhe fleksibël që lejonte afrimin gradual me strukturat kryesore të BE-së përpara anëtarësimit.

"Aty propozohej një rrugë e përshpejtuar dhe fleksibël që lejon afrimin gradual me strukturat kryesore të BE-së përpara anëtarësimit, veçanërisht në fushat ekonomike të tregut të brenshëm dhe lëvizshmërisë, ndërkohë që procesi i anëtarësimit vazhdon natyrshëm në rrugën aktuale", vijoi më tej Hoxha.

Propozimi i Ramës dhe Vuçiç, për Hoxhën nënkuptonte që vendet aspirante të përfitojnë më herët, përpara anëtarësimit, disa prej avantazheve kyçe të anëtarësimit në BE, kryesisht në fushën ekonomike dhe lëvizshmërinë.

"Me shumë të drejtë vendet e Ballkani Perëndimor kanë një pritshmëri legjitime që të mos mbeten në atë zonën e pritjes pa fund. Dhe kjo krijon një nyjë që duhet adresuar. Këtu hyn ideja e asaj që është quajtur integrimi i përshpejtuar. Ajo nënkupton që vendet aspirante të përfitojnë më herët, përpara anëtarësimit, disa prej avantazheve kyçe të anëtarësimit në BE”, përfundoi Hoxha.