Një operacion i gjerë ndërkombëtar i drejtuar nga INTERPOL ka goditur fuqishëm rrjetet globale të trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm, duke arrestuar 3,744 persona në 119 vende të botës, përfshirë edhe në Shqipëri.

Operacioni, i koduar “Liberterra III”, u zhvillua nga 10 deri më 21 nëntor 2025 dhe angazhoi mbi 14 mijë zyrtarë të zbatimit të ligjit, të cilët kryen kontrolle të shtuara kufitare, vëzhgime në zona me rrezik të lartë dhe bastisje të drejtpërdrejta ndaj grupeve kriminale. Falë këtij operacioni u identifikuan 4,414 viktima të mundshme dhe u zbuluan 12,992 emigrantëve të paligjshëm.

Autoritetet hapën gjithashtu mbi 720 hetime të reja penale, një pjesë e të cilave vijojnë ende.

Çfarë roli luajti Shqipëria në këtë mega operacion?

Në mesin e vendeve pjesëmarrëse ishte edhe Shqipëria, përmes strukturave të Policisë së Shtetit dhe Interpol Tirana.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Interpol Tirana ka angazhuar 476 specialistë nga Policia Kriminale, Kufirit dhe Migracionit, si dhe nga Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Gjatë periudhës së operacionit, autoritetet shqiptare goditën dy grupe aktive kriminale, arrestuan 27 persona të përfshirë, sekuestruan gjashtë automjete dhe rreth 20 mijë euro të dyshuara si përfitime nga veprimtari kriminale. Po ashtu, u identifikuan dhe u trajtuan sipas ligjit 94 emigrantë dhe tre viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.

" Mega operacioni mundësoi: goditjen e 2 grupeve aktive në veprimtaritë kriminale që goditi megaoperacioni “Liberterra III”; arrestimin e 27 shtetasve të përfshirë në këto veprimtari;sekuestrimin e 6 automjeteve dhe rreth 20 000 eurove, të përfituara nga këto veprimtari kriminale ose që iu shërbenin atyre; identifikimin dhe trajtimin konfrom ligjit, të 94 emigrantëve dhe 3 viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore; pjesëmarrjen në 3 skuadra të përbashkëta hetimore të krijuara në kuadër të megaoperacionit" thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. 

Interpol Tirana mori pjesë edhe në tre skuadra të përbashkëta hetimore të krijuara në kuadër të operacionit, ndërsa përfaqësues të Drejtorisë së Interpolit ishin të pranishëm në Qendrën Operacionale në Kent të Anglisë, duke bashkëpunuar ngushtë me homologët ndërkombëtarë për shkëmbim informacioni dhe koordinim veprimesh.

Interpol Tirana thotë se do të vijojë të bashkëpunojë ngushtë me partnerët, për finalizimin e goditjeve të tjera në kuadër të megaoperacionit “Liberterra III”, si dhe për finalizimin e operacioneve të tjera me efekt global, kundër krimit të organizuar.

Prirjet e grupeve kriminale në botë

Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Valdecy Urquiza, theksoi se përtej numrit të arrestimeve, rëndësi të veçantë kanë prirjet që po shfaqen në veprimtarinë e grupeve kriminale. Sipas tij, rrjetet kriminale po përshtaten duke shfrytëzuar rrugë të reja, platforma digjitale dhe grupe të cenueshme të popullsisë, çka kërkon reagim të hershëm nga autoritetet.

Operacioni ka nxjerrë në pah se mashtrimet e lidhura me trafikimin mbeten një shqetësim serioz, veçanërisht në Azi dhe Afrikë, megjithëse përmirësimi i mekanizmave të identifikimit ka çuar në më shumë arrestime dhe në riatdhesimin e qindra viktimave.

Ndërkohë, edhe pse shfrytëzimi seksual vazhdon të dominojë statistikat, autoritetet kanë konstatuar rritje të rasteve të punës së detyruar, kriminalitetit të detyruar, shërbimit shtëpiak dhe madje edhe heqjes së organeve.

Operacioni ka zbuluar gjithashtu ndryshime në dinamikën e trafikimit, me raste të viktimave nga Amerika dhe Azia që po trafikohen drejt Afrikës, si dhe përmbysje të disa rrjedhave migratore në kontinentin amerikan. Presioni përgjatë rrugëve detare në Atlantik dhe Mesdhe, veçanërisht nga Afrika Perëndimore dhe Veriore drejt Europës, mbetet i lartë.

Autoritetet theksojnë se trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabandimi i migrantëve vazhdojnë të lidhen ngushtë me krime të tjera, si falsifikimi i dokumenteve, pastrimi i parave dhe trafikimi i drogës.

Operacioni Liberterra III u mbështet financiarisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe u zhvillua në bashkëpunim me institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Europol-in, Frontex-in, Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin dhe Zyrën e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit.