TIRANE- Pak orë para ndërrimit të viteve Zyra Qendrore e Interpol-it, vendosi të publikojë të dhëna rreth operacionit të përbashkët “Mërkuri i bardhë”, ku mori pjesë edhe Interpol Tirana. Ripublikimi i këtyre të dhënave dhe përmendja e Shqipërisë si pjesë e pandarë e operacioneve të përbashkëta, sidomos me pjesëmarrjen e policive të vendeve të rajonit, tregon edhe një herë besimin e plotë që ekspertët europianë të policisë po i japin dita-ditës homologëve të tyre në vendin tonë. Plot 1 milionë dollarë ishte vlera e mallrave të sekuestruara në total, në një seri ndërhyrjesh në të gjithë Evropën Lindore, si pjesë e operacionit “Mërkuri i bardhë”, që nisi shtatorin e vitit të kaluar e përfundoi në fillim të nëntorit.

Në këtë aksion u përfshirë 7 vende, Shqipëria, Bosnjë Herzegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Operacioni gjithashtu ka rezultuar në identifikimin e një rrjeti që përfshin prodhimin e mallrave të rreme përditshme të konsumit. Një prodhim i paligjshëm për detergjentët pastrues në familje, u identifikua në Plovdiv të Bullgarisë dhe në Elbasan të Shqipërisë. Në njoftimin zyrtar të Interpolit thuhej se përveç bllokimit të dhjetra pajisjeve, më shumë se 10.000 litra lëng të rremë, 60.000 shishe dhe materiale të rreme paketimi, u zbuluan lidhjet mes të paktën 4 prodhuesve të tjerë të paligjshëm në Bullgari, Çeki dhe Greqi. Pije alkoolike të falsifikuara, lodra të rreme, detergjentë, cigare, pjesë të automjeteve, pajisje elektronike dhe pajisje shtëpiake janë konfiskuar në të gjitha shtatë vendet, teksa në Shqipëri është identifikuar e gjithë linja e prodhimit të verës së falsifikuar dhe e mbyllur.

Si rezultat i 150 ndërhyrjeve dhe kontrolleve të kryera nga policia dhe zyrtarët e doganave në pikat e kontrollit kufitar, aeroportet, kontrolle në anë të rrugës, qendra tregtare dhe magazina, 330 njerëz u hetuan, arrestuan apo janë raportuar pranë autoriteteve gjyqësore. “Operacioni “Mërkuri i bardhë” ka treguar sërish se bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë është thelbësor për të trajtuar në mënyrë efektive rrjetet ndërkombëtare të krimit të organizuar, të përfshira në tregtinë e paligjshme,” tha Ilia Pulov, Drejtor i Drejtorisë Operacionale të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në Ministrinë e Brendshme bullgare.  

“Ky operacion dhe puna e cila vazhdon, janë të rëndësishme në largimin e mallrave të rrezikshme dhe nën standard, nga qarkullimi dhe kështu mbrojtjen e publikut nga dëmet”- shtoi Pulov. Nga ana tjetër Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri e ka përmendur operacionin “Mërkuri i Bardhë”, jo vetëm në buletinin e përmuajshëm që dikasteri blu publikon, ku theksohej rëndësia e këtij bashkëpunimi mes policive të rajonin në luftën ndaj krimit, por edhe në prononcime të tjera publike, ku vlerësonte zgjerimin e kapaciteteve intelektuale të policisë sonë në gjurmimin e elementëve kriminalë.

Në fund të tetorit, një sasi prej 2880 litra detergjent me etiketa false është sekuestruar nga policia e Elbasanit, në finalizimin e operacionit ndërkombëtar “Mërkuri i Bardhë”. Në pranga ra pronari i magazinës, 38-vjeçari me iniciale N.D. Nga hetimet rezultoi se detergjenti ishte marë në Shkodër. Ato orë, paralelisht, Policia e Vlorës bllokoi një kantinë vere dhe sekuestroi një sasi të konsiderueshme pijesh, të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme. Nga kontrolli i ushtruar në kantinën në pronësi të 56 vjeçarit Sh.Z, në qytetin e Vlorës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 976 litra verë, si dhe etiketa me mbishkrimin “Chardonnay  2010“ dhe “Chardonnay  2011”, për të cilat s’kishte dokumentacionin ligjor.
 

Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)