Intervista, Albina Deda: S’i dëgjova
sharjet e Ramës, do e qëlloj përsëriBasha:Përjashtim Ramës

Intervista, Albina Deda: S’i dëgjova<br />sharjet e Ramës, do e qëlloj përsëriBasha:Përjashtim Ramës
TIRANE - Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda, nuk pendohet për veprimin e saj në seancën e Kuvendit, kur qëlloi në drejtim të Kryeministrit Edi Rama me një letër, por e paralajmëron atë se “surprizat” e presin edhe seancën e ardhshme. Gjatë një interviste për “Shqiptarja.com”, Deda shprehet se nuk e ka dëgjuar fjalorin e kreut të qeverisë, ndërsa sqaron edhe historinë e letrës, të cilën thotë se e gjeti pranë foltores së Kuvendit, ku ndodhej edhe një gotë ujë. Më pas, deputetja e PD, letrën e lagur e hodhi në drejtim të kryeministrit. Ishte ky momenti, i shoqëruar nga komentet e kryeministrit, që nxiti tonet e ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.
 
Znj.Deda, jeni një nga deputetet që keni qëlluar të enjten në drejtim të Kryeministrit. Ishte një veprim i paramenduar?
Patjetër që veprimeve të mia nuk i heq asnjë presje gjatë bllokimit të seancës Parlamentare të së enjtes, ku ne opozita dorëzuam kërkesat tona lidhur me dekriminalizimin dhe komisionet hetimore. Bëmë të qartë qëndrimin tonë edhe në Byro dhe në fillim të seancës dhe refuzimit nga mazhoranca për t’i futur në rend dite kërkesat tona. Vazhdoi votimi dhe situata u përkeqësua. Gjithë grupi ishte në këmbë dhe unë isha afër foltores.
 
Pranë foltores ishte një gotë me ujë dhe një letër. Kur situata u përshkallëzua e mendova se si mund të arrija t’i jepja një mesazh Ramës nga zona ime, nga Mirdita që e inkriminoi në çdo zyrë, e gjithë Qarkun e Lezhës në tërësi me përfaqësimin në Parlament. Goditja me këtë letër ishte në shenjë, siç e keni parë. Mesazhin e mori, duke ja thënë dhe unë me zë: “Mesazh nga Mirdita që e inkriminove në çdo zyrë”.
 
Si e komentoni reagimin e Kryeministrit në ato momente, pas veprimit tuaj? Çfarë ju tha?
Në fakt nga zhurma dhe përplasjet e shkaktuara aty, nuk i dëgjova mirë fyerjet në drejtimin tim. Nuk pranoj, madje refuzoj me përbuzje të komentoj një të papërgjegjshëm të kartelizuar hershëm në neuropsikiatri, por do të them me bindje që fyerjet që mund të ketë thënë, pasi vetë nuk arrita t’i dëgjoj, nga zhurma dhe rrëmuja në foltore dhe në përplasje me Gardën, është dëshmi e panikut që e kapi kur i përmenda Mirditën sepse ai ka fobi dhe tmerr nga burrnia e Veriut e posaçërisht trojeve nga unë vij dhe përfaqësoj. Si treva të patriotizmit, trimërisë, besës e burrnisë, cilësi që për atë, të parët e tij dhe këtë qeveri nuk ekzistojnë.
 
Byroja ka marrë një vendim për pezullimin tuaj dhe të deputetëve Strazimiri e Hoxha. E gjykoni të drejtë?

Ishte me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Dhe ajo që unë i them Ruçit është, “përjashtimi duhet të nisë nga ty shoku Gramoz”. Je një kockë e diktaturës që sorollatesh bashkë me ca pensionistë të kohës së diktaturës në parlament.
 
Përjashtimi duhet të nisë nga ti, pasi dekriminalizimi pikë së pari nis me dekomunistizimin e Parlamentit dhe këtij pushteti që është mbërthyer nga Blloku dhe klani i Vito Kapos, Vilma Nushit me kriminelë e hajdutë e perversë që i ke aty në krah çdo ditë. Beteja e përballjes me Parlamentin e krimit do të vazhdojë dhemb për dhemb pasi shqiptarët nuk përfaqësohen prej mëse dy vite e gjysmë nga ai institucion që duhet të ishte modeli i mirëfunksionimit të demokracisë.
 
Do qëlloni sërish seancën e ardhshme?
Do të përshkallëzojmë qëndrimin tonë seancë pas seance, deri në pamundësimin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit. Sigurisht, nuk përjashtohet që ta qëllojmë edhe seancën tjetër. Megjithatë, do të më ketë përballë bashkë me qytetarët që janë gati ta shkulin nga karrigia ku është ulur krejt aksidentalisht. Ti Rama je një aksident dhe një rrezik për shqiptarët.
 
Kjo do të thotë se edhe në seancën e ardhshme deputetët do të shkojnë me vezë në xhepa në parlament?
Do të bëjmë gjithçka për të përshkallëzuar qëndrimin tonë në seancë. Ai Parlament nuk mund të funksionojë normalisht përsa kohë individët e inkriminuar trafikojnë drogë, prostitucion, vrasin e pastaj vijnë e hyjnë në sallën e Kuvendit. Ajo që mund të them është se seancë pas seance, Kuvendi do të shkojë drejt pamundësimit të zhvillimit të punimeve të tij.
 
Kryeministri ka shprehur një ndjesë publike. E pranoni ndjesën e tij? Dhe a mjafton kjo për t’i ulur tonet e konfliktualitit?
Në radhë të parë duhet t’u kërkojë ndjesë edhe Mirditorëve që unë përfaqësoj, edhe qytetarëve të vendit që u ka vënë kriminelë dhe hajdutë në çdo qelizë të shtetit. I them se humor nuk mund të bëjë një njeri që është mes depresionit të ekzistencës dhe bandave kriminale. Humori i takon njerëzve të mençur e me intelekt, pra këtë nuk mund ta kesh kurrë.

Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘TIMS’/ Miratohet vetëm raporti i mazhorancës, PS nuk e shpërndan për mediat! Ende nuk është gati

‘TIMS’/ Miratohet vetëm raporti i mazhorancës, PS nuk e shpërndan për mediat! Ende nuk është gati