TIRANE- Nga operatorët turistikë shteti shqiptar arkëton në formën e taksave vetëm 800 mijë euro në vit, ndërkohë që cilësia e shërbimeve që ofrohet në plazhet shqiptare është kritike. Sipas kreut të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, situata është e papranueshme në çdo drejtim, shkak për të cilin Qeveria po kërkon një model tjetër për menaxhimin e vijës bregdetare.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com” Tare se modeli i ri parashikon një sistem të unifikuar të administrimit të plazheve në gjithë territorin, e cila do të mbikëqyrë të gjitha proceset që nga pastrimi, te mirëmbajtja, te kontrolli i niveleve të ndotjes, e deri te vjelja e taksave e certifikimi dhe licencimi i operatorëve turistikë. Sipas tij, modeli i ri do t’i japë zgjidhje një herë e mirë zaptuesve të plazheve, të cilët prej vitesh mbajnë peng sipërfaqe të tëra.