INTERVISTA / Brokaj:Berisha
para drejtësisë, pastrim SHISH

Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-ministri i Mbrojtjes dhe njëri ndër anëetarët e grupit të të “urtëve” pranë kryetarit socialist Edi Rama, Sabit Brokaj është shprehur se me abuzimet e shkjeljet ligjore që ka bërë Berisha, duke filluar me Gëerdecin, abuzimet, vrasjet në Bulevard duhet të shkojë patjetër para drejtësisë për të dhënë llogari. Njëherësh ai vlerëson se duhet një reformë e fortë në polici, drejtësi dhe kryesisht dhe në strukturën e Shërbimit Sekret Shqiptar, duke kërkuar që kreu i saj Visho Ajazi të ikë. Pasi përpos përgjimeve të opozitës është ndjekur dhe një politikë antikombëtare nga këto struktura të sigurisë. Ndërsa caktimin e Mimi Kodhelit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes për Brokajn është zgjedhja më e meçur e Ramës, mbështetur në personalitetin dhe ndershmërinë e saj.
 
Qeveria e re e Ramës tashmë është bërë publike. Si e vlerësoni përbërjen dhe angazhimet e saj?
Unë e gjykoj që ka një lidhje shumë të mirë stuktura e qeverisë me funksionin. Struktura është ndërtuar në mënyrë të tillë që i përgjigjet shumë mirë funksionit të një qeverisjeje. Veçanërisht në një situatë kur qeverisja e re gjen Shqipërinë pa shtet, pa administratë profesioniste e të pamotivuar. Ndaj besoj që, nisur nga vetë struktura në përputhje me funksionin dhe aktorët që janë vënë për të realizuar funksionin qeverisës, situata është optimiste dhe shpresëdhënese. 
 
Në krye të ministrisë së Mbrojtjes, për herë të parë një grua, Mimi Kodheli. Komenti juaj?
Duke qënë se unë e njoh pak a shumë Ministrinë e Mbrojtjes, më erdhi shumë mirë që vajti në këtë dikaster të rëndësishëm një personalitet politik si Mimi Kodheli, që ka dhe përvojë drejtimi në administratë. Por në mënyrë të veçantë më pëlqen fakti që ajo shquhet për qartësi në mendim, gjë që është premisë për vemdimmarje të prera siç duhet të jetë në Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe që nuk ka jo vetëm asnjë të dhënë, por me sa njoh asnjë premisë që të korruptohet. Pasi shkon në një dikaster, ku jo vetëm ministri, por dhe të tjerë kanë përfunduar shumë të korruptuar. Më duket që është një nga zgjedhjet më të mënçura që ka bërë Edi Rama. Vërtetë suksesin e saj do ta shikoja me shumë kënaqësi, do të thosha dhe më tifozllëk, edhe si ish-Ministër të Mbrojtjes që kam qënë në vite shumë të vështira.
 
Në këtë ministri ka pasur akuza për trafik armësh, tjetërsim pronash por dhe për shkarkimin e elitës së ushtrisë, gjeneralëve. Si e mendoni reformimin e kthimin e dinjitetit të ushtrisë dhe ushtarakëvë në vend?
Unë e mendoj që Mimi do të ndeshet me një mori problemesh. Por më vjen mirë që i bie asaj që t’i korrigjojë ato. Pasi një drejtues i mirë e i zoti njihet pikërisht kur nxjerr dikasterin apo vendin nga një situatë e rëndë. Unë e gjykoj se do e kryejë  mirë detyrën e saj. Dhe unë kam qënë pak kohë Ministër i Mbrojtjes, pikërisht në një situatë krize. Dhe janë disa premisa që Mimi të jetë e suksesshme. Në Ministrinë e Mbrojtjes, përgjithësisht në ushtri funksionon urdhëri më mirë se kudo. Pra vendimmarrësi apo urdhëdhënësi nëse është i ndershëm, i zoti, i përkushtuar, fjala, urdhëri dhe vendimi i tij shkojnë deri në fund. Edukatë e cila në dikasteret e tjera përgjithësisht mungon ose nuk është e tillë. Nga ana tjetër Mimi është ekonomiste. Dihet batërdia që është bërë me pronat e ushtrisë, që do jetë një nga funksionet e rëndësishme të saj si ministre, dhe ajo e kap shumë mirë thelbin e zbatimin e ligjit për to, mbështetur në ndershmërinë dhe profesionalizmin e saj. Nga ana tjetër nuk do të ketë zgjidhje aventureske të pushtetit dhe atje ku nuk duhet ta ketë. E kam fjalën në përzierjen e paligjshme në Shtabin e Përgjithshëm dhe në shkatërrimin e herarkisë apo meritokracisë në ushtri. E cila vitet e fundit u bë skandaloze, në lidhje me heqjen e oficerëve madhorë, emërime jashtë çdo kriteri ose kryesisht sipas kritereve politike, ku veçanërisht në ushtri janë të dëmshme, e në kulmin e shkeljeve që kanë ndodhur në ushtri, lidhur me dekretimet dhe çdekretimet e gjeneralëve.
 
Mazhoranca e re ka ardhur me ambicie të mëdha, reformën në të gjithë sektorët. Mendoni se ‘dora’ e parë duhet vënë në policinë e shtetit dhe shërbimet e tjera të hetimit, duke krijuar Byronë Kombëtare të Hetimit sikurse tha Rama?
Së pari do të thosha se është e domosdoshme. Me kompromentimin shumë të rëndë të politikës e politikanëve, në mënyrë kronike 20 vjeçare, në krim, korrupsion, kam parasysh veçanërisht krimin ekonomik, është e pamundur veçanërisht një zgjidhje e shpejtë e kësaj situate, pa një strukturë të tillë. E cila nuk mund të akuzohet se ka karaketer të njëanshëm apo politik, siç është bërë e modës që sapo një politikan apo një qeveritar kërkon të bëjë diçka të mirë, sulmohet nga kundërshtarët. Të them të drejtën ide të tilla të këtij hetimi apo atij financiar më kanë krijuar sigurinë që Edi Rama e ka marrë seriozisht ndryshimin rrënjësor absolutisht të domosdoshëm të qeverisjes dhe të administrimit të shtetit. Nëqoftëse dikur kam thënë që pas 23 qershorit fillon pluralizmi real, por që këto realizohen, mund të them shumë mirë që: po tani Shqipëria të futet në rrugën e një shteti demokratik evropian. Më saktë akoma, tani del nga ‘haxhiqamilizmi’ për t’u bërë shtet i krahasueshëm dhe i pranueshëm me shtetet serioze dhe moderne evropiane.
 
Një ndër elementët kryesorë përpos reformimit të policisë dhe kthimit të saj tek qytetari, është dhe reformimi i shërbimit sekret shqiptar. Pasi përpos emërimit të dyshimtë të Visho Ajazit, kishte akuza se SHSH bashkë me SHIU-n ushtarak përgjonin opozitën e u përzinë në fushatën elektorale përkrah mazhorancës. Mendoni se duhet të reformohet kupola...?
Pa diskutim që ndryshimi rrënjësor i takon që në fillim SHISH. Edhe revolucionet, edhe ndryshimet e mëdha epokale që lidhen me ndërtimin e një shteti, gjithnjë si fillim lidhen sëpari me Shërbimin Informativ të Shtetit. I cili i garanton karakterin kombëtar shtetit dhe është një lloj “vaksimimi” jetëgjatë ndaj veprimtarisë antishtetërore dhe antikombëtare që kryhet jo vetëm nga të huajt që mund të kenë qëllime antishqiptare, por dhe nga shqiptarët vetë, ku në kushtet e një Shqipërie që në këto 20 vite është bërë një ‘parajsë’ e çdo lloj strukture antishqiptare, e krimit të organizuar dhe për më tepër kur SHISH në këto vite është drejtuar nga person apo persona të cilët i shkatëruan çdo element të politikës kombëtare në qeverisjen e mëparshme të Berishës dhe në këtë që po ikën, natyrisht që duhet vënë dorë. Pra shkeljet nuk konsistojnë vetëm në atë funksionin përgjues krejtësisht në kundërshtim të drejtën e njeriut apo ligjëshmërinë demokratike në shoqëri, por merakun e kisha më shumë se kaq. Ndaj gjykoj që rregullimi i kësaj strukture, natyrisht duke ruajtur kontigjentet profesioniste, korrekte dhe patriote në të, duhet të fillojë që në muajin e parë të qeverisjes. 
 
Përpos zvarritjeve të procesit zgjedhor, zbrazjes së arkës së shtetit, Berisha tashmë që ka lënë dhe postin e kreut të PD për Bashën s’rresht sulmet ndaj qeverisë së re. Mendoni se drejtësia duhet të merret me abuzimet e Berishës dhe qeverisë së tij?
Saliu vetëm këtë di të bëjë, të sulmojë kundërshtarët. Eshtë ndoshta i vetmi kryeministër në historinë e qeverive evropiane, ndoshta dhe më gjërë, që mbledhjen e qeverisë fillon dhe mbaron me fjalime, sharje e kërcënime ndaj kundërshtarëve politikë, dhe jo me vendimet e qeverisë, apo shqyrtimet e tjera të qeverisjes që është dhe funksioni bazë për një kryeministër. Përveç kësaj, Berisha ka dhe një veçori që s’ka të bëjë vetëm me paaftësinë për të drejtuar qeverinë që e kompenson me sulme ndaj kundërshtarit,  por e ka aq të keq konfliktin sa edhe sikur Shkelzenin ta kishte në një parti kundërshtare do ta sulmonte dhe atë nga të gjitha anët. Tani është në opozitë kuptohet që është në funksionin e tij që të sulmojë mazhorancën e re. Vetëm se edhe këtu lajthit, pasi e akuzon mazhorancën që s’ka realizuar programin, paçka se kryeministër në detyrë është ai ende dhe Rama s’ka marrë akoma funksionin e kreut të qeverisë. Mua më vjen keq për gjendjen qesharake në të cilën ai e ka vendosur veten tani, ndonëse nuk ka ndonjë ndryshim, ai është si përherë.
 
Në lidhje me shkeljet e ligjit dhe abuzimet...?
Nuk ndërtohet shteti ligjor nëqoftëse pikërisht nuk fillon aty. Fillohet gjithnjë nga koka e krimit ekonomik, nga aty ku është përgjegjësia kryesore e gjendjes reale. Nuk vendoset drejtësia duke u marrë me ‘cironkat’, por me me “peshqit” e mëdhenj, me atë dhe ata, të cilët fimosën në kundërshtim me ligjin lidhur me “Gërdecin”, që dhanë koncensionet në kundërshtim me interesat kombëtare, që kanë shkatërruar Shqipërinë në tërë pasurinë e saj, mbitokësore dhe nëntokësore, historike, arkeologjike etj. Drejtësia vendoset duke u marrë me ata që shkelën Kushtetutën dhe vranë njerëzit në mes të Bulevardit qëndror të Tiranës, dhe vrasësit i mbajtën për javë të tëra t’i mbrojtur në Kryeministri, duke refuzuar për t’ia dorëzuar drejtësisë. Pra, pa patur guximin për ta bërë drejtësinë në nivelet më të larta, shteti i së drejtës nuk ndërtohet dhe as ka shpresë të ndërtohet.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.04.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e 6 marsit 2022, SPAK kërkon 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla

Nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e 6 marsit 2022, SPAK kërkon 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla