INTERVISTA/ Christian Papke,
aventurat me “Don Giovanni”-n

INTERVISTA/ Christian Papke,<br />aventurat me “Don Giovanni”-n
TIRANE - Nuk është e lehtë të eksperimentosh me operën “Don Giovanni”, një pjesë absolutisht klasike dhe ta sjellësh në një formë të moderuar. Regjisori austriak Christian Papke ka ardhur të eksperimentojë një ide regjisoriale në skenën kombëtare të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë me operën gazmore në dy akte “Don Giovanni”, me libret të shkruar nga Lorenzo Da Ponte dhe muzikë të Mozart.

Në fillim të projektit,kjo risi është pritur me skepticizëm dhe ka pasur zëra kritikë për pamundësinë e një realizimi të tillë. Ende pritet se çdo të ndodhë me premierën, e cila do të ngjitet në skenë më 18 maj. Ndërkohë që regjisori austriak të befason, kur thotë se “aktorët do të ngjiten në skenë ashtu siç ishin dje në prova, me xhupa, triko, xhins, t-shirt” dhe veshje të përditshmërisë, kjo duket se ta prish paksa shijen.

Ndaj këmbëngulim të dimë në intervistën me regjisorin austriak Papke, duke e pyetur se a do të ngjitej një opera e tillë në teatrot e nivelit të lartë botëror. Ai shprehet se “sigurisht që po” dhe kjo ka ndodhur edhe me opera të tjera në këto skena.

Sipas regjisorit Papke, sekreti i suksesit varet nëse ke gjetur “një zgjidhje të drejtë” për të mos prishur harmoninë e muzikës së mrekullueshme të Moxartit, dhe duke besuar nga ana tjetër se do të menaxhojë sipas kësaj harmonie edhe disa nga stilizimet skenike, veshjet e këngëtarëve dhe imazhet skenografike.

Duhen edhe pak ditë për të na treguar nëse do të ketë sukses me premierën, por si fillim ai na tregon si do të jetë një “Don Giovanni” i transfiguruar në mënyrën e tij. Kjo shfaqje ndryshe ngjall kuriozitet, sepse “po luhet” me një prej veprave më të njohura të Moxartit, por Papke mendon se duke shfrytëzuar energjinë e talentit të solistëve shqiptarë me ndihmën e regjisë dhe dirigjim të autorëve të huaj, kjo opera gazmore në sytë e publikut shqiptar do të vijë mjaft ndryshe, duke sjellë edhe prapaskenën në skenë.

E teksa presim reagimin e publikut për këtë formë jashtë kornizave tradicionale të operës më 18 maj, dimë që do të mbetet klasike muzika gjeniale e Mozartit, si një ndër veprat më të njohura dhe më të interpretuara në të gjithë botën.

Zoti Papke, jemi kurioz të dimë sesi ju do të eksperimentoni me “Don Giovanni”-n?
-“Don Giovanni” është një nga operat më të bukura dhe për mua kjo është një aventurë e madhe. Opera “Don Giovanni” do të vijë ndryshe, duke sjellë edhe prapaskena në skenë. Këngëtarët do të vijnë në skenë ashtu si në prova, me xhupa, xhins dhe veshje të përditshme. Muzika e mrekullueshme e Moxartit do të mbetet po ajo. Publiku nuk do të shoh një vepër klasike me skenografi apo kostumografi madhështore. Këngëtarët do të interpretojnë me veshje sportive dhe xhaketat do të jenë si pjesë e dekorit që janë edhe në funksion të skenografisë.

Nuk mund ta imagjinojmë ndërkohë një vepër operistike me këtë imazh, ku publiku vjen me veshje elegante për ta parë. Mendoni se një shfaqje e tillë që mund të ngjitej ndoshta edhe në një teatër drame, ose në shesh të hapur përfaqëson një opera?
-Veshja e personazheve e ndryshme nga veshja e spektatorëve nuk e prish shijen muzikore. Por ideja ime për të sjellë një opera ndryshe ka lidhje të drejtpërdrejtë me situatat gazmore të libretit. Duke e ditur që kjo është një opera gazmore, nuk është aq e pazakontë që të ketë një veshje të shkujdesur. Unë mendoj se libretit humoristik këto veshje i vijnë natyrshëm.

Kështu opera duket se krijon një spektakël, ku në këtë rast përshtatet humori me një ndjenjë lirie gazmore në skenë. Skena dhe veshjet mendoj se e sjellin “Don Giovanni”-n në aktualitet. Duke ardhur për herë të dytë në Shqipëri, kam vënë re se publiku që ndjek opera është një publik me plot të rinj. Kështu që skenat që krijohen posaçërisht për transformimin e “Don Giovanni”-t në një opera moderne i përshtatet edhe publikut që do të vijë.

Pse jeni kaq i sigurt që do të pëlqehet ky eksperiment nga publiku shqiptar?
-Në këtë vepër nuk mbizotëron vetëm ideja ime, shijet e mia për t’ia treguar publikut. Unë kam bashkëpunuar me drejtorin Zhani Ciko dhe me stafin e Operës. Ajo çfarë është e rëndësishme, është se unë e ngjis në skenë këtë vepër me një një kast solistësh të mrekullueshëm që janë të gjithë shqiptarë. Këta janë solistë që janë duartrokitur gjithmonë nga publiku shqiptar. Unë ju premtoj se pas këtij bashkëpunimi plot pasion dhe mirëkuptim spektatori do të çuditet.

Me modernizimin e operës kemi punuar të gjithë se bashku, ku sillen edhe përvoja nga të huajt. Unë kam përshtatur skenat dhe kostumet, sipas eksperiencës sime, një tjetër artist i huaj, Lino Privitera, ka ideuar skenografinë, por kjo bashkë me asistenten shqiptare Rovena Shqevin. Këtu është i huaj edhe dirigjent Ekhart VVycik që do të bashkëpunojë me dirigjentin shqiptar Dritan Lumshi, ndërsa të tjerët janë artistët më të mirë shqiptarë, si Mariana Leka, Armand Likaj dhe Ulpiana Aliaj, e cila vjen nga një përvojë e plotë, e cila ka ardhur nga Italia në Tiranë.

ROLET

Opera “Don Giovanni”

Don Giovanni: Armand Likaj;
Donna Anna: Mariana Leka, Ulpiana Aliaj;
Don Ottavio: Riad Ymeri (Kosove);
Komendadori: Sokol Tomorri;
Donna Elvira: Shpresa Beka, Emiljana Palushaj, Besa Llugiqi (Kosove);
Leporello: Desaret Likaj;
Zerlina: Dorina Selimaj, Ardita Meni;
Masetto: Ogert Islami
Interpretojnë
Kori, Trupa e Baletit dhe Orkestra Simfonike e TKOB

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024