INTERVISTA / De Biazi: Çfarë më
tha Rama pas humbjes me Serbinë

INTERVISTA / De Biazi: Çfarë më<br />tha Rama pas humbjes me Serbinë
Gianni De Biasi, ose ndryshe “mbreti Gani”, siç e thërrasin tashmë në atdheun e tij të dytë, po shijon mrekullinë, të cilën e krijoi vetë. Telefonata pa pushim, mesazhe nga të gjithë. Këto janë efektet e një kualifikimi, që pakkush e besonte”, – shkruan “Mondofutbol.com”, për të cilën De Biazi ka dhënë një intervistë.
 
24 vjet më parë, në vitin 1991, Shqipëria mbante zgjedhjet e para demokratike në historinë e saj. Një vit më pas, në vitin 1992, Danimarka fitoi Europianin. Ndoshta ajo që keni bërë ju shkon përtej historisë së sportit…
 
Mendoj se as ne nuk e kemi kuptuar mirë atë që kemi bërë. Duke u kthyer nga Armenia, ndërsa po i afroheshim sheshit ku na prisnin duke festuar, në autobus isha ulur pranë Kryeministrit Edi Rama. Nga dritarja shikoja një turmë të jashtëzakonshme, nuk kisha parë kurrë kaq shumë njerëz. U ktheva nga Rama dhe i thashë: “Edi, çfarë kemi bërë?” Sipas meje kjo ishte një sipërmarrje e madhe, sepse gjeneron një shpresë, që shqiptarët e kishin humbur. Është një mënyrë për të thënë se gjithçka është e mundur, që gjërat mund të ndryshojnë, mjafton të lëvizësh vendit e të vësh në punë talentet. Ndoshta në Shqipëri njerëzit kuptuan se kjo mundësi ekziston për të gjithë. Ndoshta për këtë e kemi ndryshuar historinë.
 
Meqë jemi te Kryeministri Rama. Para disa ditësh, ai përdori një fjalim madhështor për t’ju falënderuar…
 
Ai pati mbajtur një fjalim fantastik edhe kur unë mora titullin “Honoris Causa”. Ai është tifozi ynë më i madh dhe fjalët e tij nuk janë ato të një politikani, apo të një oratori të zotë, që lexon atë që i është shkruar. Ai flet nga zemra. Mendoni, pas barazimit me Danimarkën dhe mundjes nga Portugalia e Serbia, më tha se nuk do të na ndiqte më, sepse kishte frikë se mund të na sillte ters.
 
A ishte e vështirë të mbahej lart përqendrimi pas atyre ndeshjeve, në veçanti asaj me Serbinë?
 
Po, sepse deri në ndeshjen e pestë nuk kishim humbur asnjëherë. Papritur gjërat u kthyen në drejtimin e gabuar. Pësuam gol nga Danimarka në fund, humbëm me Portugalinë në shtesë. Në ndeshjen e kthimit me Serbinë u treguam të shkujdesur. Donim të fitonim patjetër, u çorientuam dhe i “dhuruam” dy gola kundërshtarit në minutat e kohës shtesë. Nuk ka qenë e lehtë të shkonim në Armeni, sepse të fitosh me çdo kusht nuk është e lehtë. Kërkuam të mbanim lart përqendrimin, që lojtarët të mos humbnin besimin. Madje rrezikuam edhe një ndëshkim në minutat e para. Por në fund ia dolëm dhe unë jam i lumtur që nuk na u dhurua asgjë. Ishim qartësisht më të motivuar se Armenia.
 
Italia ju nderon, në Shqipëri jeni hero. Si ju duket pas skepticizmit që pasoi zgjedhjen tuaj për t’u larguar drejt Shqipërisë?

 
Në futboll funksionon kështu: një ditë je më i madhi nga të gjithë humbësit, ditën tjetër je trajneri më i mirë në botë. E lashë Italinë, sepse kuptova se kisha një rol margjinal, nuk më pëlqente ideja që trajneri të mos ishte në qendër të projektit. E di që zgjedhja ime për të shkuar në Shqipëri ishte vështirë të kuptohej, por jam njeri i mësuar të punoj me aq sa më vihet në dispozicion. Më pëlqen të punoj për rezultate të mëdha me pak resurse.
 
A mendoni se kjo skuadër, e cila arriti maksimumin së fundi, i ka mundësitë për t’u përmirësuar edhe më tej, parë kjo në optikën e Europianit “Francë 2016”?

 
Sipas meje, këtë e tregojnë rezultatet. Niveli është i mirë. Në përgjithësi jemi përqendruar te mbrojtja. Në sulm kemi bërë përmirësime të mëdha. Tetë golat e shënuar dhe 5 të tjerë të pësuar tregojnë se jemi një skuadër solide, që do të shënojë përmes goditjeve të dënimit dhe atyre të këndit. Tani duhet të shohim efektin që kualifikimi do të ketë te secili lojtar. Shpresoj që në klubet ku luajnë, futbollistët shqiptarë të kenë hapa përpara në këndvështrimin e Europianit.
 
E nisim nga këtu. Në atë garë do të ketë shumë të mëdhenj…

 
Ne jemi debutues dhe si ata fëmijët naivë do të bëhemi pjesë e lojës së të mëdhenjve të Europës.
 
Në sulm mund të jetë Manaj, i cili i pëlqen edhe trajnerit Mançini. Këto ditët e fundit ka pasur divergjenca mes jush dhe djaloshit…

 
Kam përshtypjen se ju kanë referuar fjalë që nuk i kam thënë. Ka qenë thjesht një keqkuptim. E kam thënë gjithnjë që dyert e Kombëtares Shqiptare janë të hapura për të gjithë. Qartësisht, tashmë ata që duan të kenë një vend në Europian duhet të bëjnë më shumë se bashkatdhetarët që siguruan kualifikimin.
 
Duke parë rrugën që ka bërë skuadra drejt kualifikimit, bie në sy mungesa e lojtarëve të pazëvendësueshëm. Keni ndërruar shumë lojtarë, në varësi të momentit dhe formës…
 
Është e vërtetë. Në shumë situata i kam ndërruar lojtarët që në ndeshjen paraardhëse kishin luajtur mirë, sepse besoja se të tjerët ishin më në formë dhe në gjendje të më jepnin siguri. Në çdo rast, grupi është ndërtuar me 23-24 lojtarë, që e dinë se mund të jenë deçizivë.
 
Një nga pak të pazëvendësueshmit është Lorik Cana. Çfarë i thatë njëri-tjetrit pas fitores me Armeninë?

 
Asgjë, thjesht u përqafuam. Ai qante si fëmijë. Ishte momenti më madhështor i jetës së tij. E meriton, sepse është një kapiten i madh, përveçse një djalë fantastik. Unë e kam thënë tashmë se nuk kam nevojë për përkthyes, sepse e bën Loriku këtë gjë. Madje, tani kam mësuar disa fjalë prej tij në gjuhën shqipe, por i them me të njëjtin theks, sikurse bëj në italisht.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Lezhë/ Përshtatën garazhin për prodhim narkotikësh, në pranga 3 të rinj! Sekuestrohen doza kanabisi, 1 armë zjarri dhe 2 radio marrëse-dhënëse

Lezhë/ Përshtatën garazhin për prodhim narkotikësh, në pranga 3 të rinj! Sekuestrohen doza kanabisi, 1 armë zjarri dhe 2 radio marrëse-dhënëse