Intervista e plotë/ Ministrja Kushi: Reduktuam numrin e nxënësve në klasa kolektive! Me rritjen e rasteve mësimi do kalojë online, kemi marrë masa

Çfarë po ndodh me arsimin? Për të gjitha problematikat do të flasim me ministren e Arsimit, të Sportit dhe të Rinisë, zonjën Evis Kushi. Gjithashtu sot kemi ndjekur edhe çështjet e buxhetit. Tashmë është përfshirë edhe në buxhet premtimi për rritjen e pagave të mësuesve me 15%. Çfarë ka tjetër interesante që ndoshta vlen të theksohet?

Lajmi më i mirë ishte pikërisht ky që sapo thatë, rritja e pagave për të gjithë punonjësit e arsimit parauniversitar, si edhe për punonjësit arsimorë të sistemit parashkollor. Për të gjithë këta punonjës rritja e pagave do të jetë 15%. Dua të theksoj që nuk është hera e parë që rriten pagat për mësuesit. Gjatë këtyre dy mandateve qeverisëse, kjo është hera e tretë. Janë rritur pagat edhe në vitin 2017, edhe në vitin 2019. Po të bëjmë një krahasim, paga është rritur nga rreth 63 000 lekë paga bruto për një mësues, në 74 000 lekë të rinj. Është një rritje e konsiderueshme. Dua të theksoj që mësuesit meritojnë shumë më tepër sidomos në këtë situatë, në të cilën po tregojnë një sakrificë, një vetëmohim, një përkushtim të jashtëzakonshëm. Gjej rastin që t’i falënderoj sepse pas mjekëve dhe infermierëve, edhe mësuesit janë frontin e parë të betejës. Po punojnë në rrezik, në kushte të vështira, kështu që i falënderoj pa masë dhe shpreh mbështetjen e jashtëzakonshme të ministrisë për të gjithë ekipin që kemi në terren.

Zonja ministre, kam përshtypjen se ka çështje të tjera që janë të nxehta. P.sh., universitetet po bëjnë mësim online për shkak të rritjes së rasteve të të infektuarve me covid-19. A jemi drejt një skenari edhe për mësimin parauniversitar, që gjithçka të kalojë online? Sigurisht që kjo varet nga komiteti teknik, por ju komunikoni me të, prandaj mund të na thoni se çfarë po ndodh, në çfarë pike jemi?

Ne të gjithë e dimë shumë mirë që autoriteti i cili ka përgjegjësinë për të përcaktuar strategjinë e gjurmimit të covid-19 dhe për të udhëzuar qeverinë në hapat që duhet të ndërmarrë dhe në vendimet që duhet të marrë, është komiteti i ekspertëve. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe kërkojmë mirëkuptim për sa i takon faktit që kjo vendimmarrje është shumë dinamike. Komiteti i ekspertëve nuk mund ta marrë vendimin sot për pas një apo dy javësh sepse situata është kaq dinamike dhe shifrat ndryshojnë çdo ditë. Për këtë arsye u mor vendimi që ndoshta nga studentët që protestuan konsiderohet si vendim i vonë, por unë ju siguroj që vendimi nuk ishte aspak i lehtë. Vendimi është konsultuar gjatë, janë analizuar shifrat gjatë, janë parë edhe eksperiencat e vendeve të tjera. Tashmë e dimë që të gjitha universitetet e vendeve të rajonit, por edhe të Evropës, po e zhvillojnë mësimin online. Ky nuk ishte aspak vendim i lehtë, por ishte një vendim i rëndësishëm për të mirën e përbashkët. Është një sakrificë që ne duhet ta bëjmë për të mirën e përbashkët. Dhe ajo çfarë është e rëndësishme është se vendimi u mor vetëm për një muaj. Ne nuk duhet ta quajmë këtë si mbyllje të universiteteve sepse shoh shpesh titra ku thuhet “u mbyllën universitetet”. Jo. Universitetet nuk u mbyllën, por për një periudhë 1-mujore mësimi do të zhvillohet online, pikërisht për të mos përhapur infeksionin, pikërisht për ato arsye që komiteti i ekspertëve i ka detajuar dhe i ka sqaruar një për një.

Zonja ministre, protestat e studentëve ishin për çështje buxheti. Ata kanë paguar qiratë e banesave, konviktet dhe ndoshta duhej të ishte menduar diçka. A e prisnit ju që të kishte protesta?

Të gjitha rezidencat studentore e kanë deklaruar që pagesat e bëra nga studentët për muajin nëntor do të mbarten për muajin dhjetor, d.m.th. mbështetja dhe solidariteti me studentët natyrisht që është maksimal. Unë e kam thënë gjithmonë që edhe ndjeshmëria ime është shumë maksimale për studentët. I mirëkuptoj që dëshirojnë të jenë në auditoret e universiteteve, por situata është e tillë që rreziku është i lartë. Shifrat tregojnë që ka rrezik dhe për këtë arsye duhet të bëjmë durim të gjithë bashkë. Duhet të tregojmë solidaritet dhe durim.

Pavarësisht se është komiteti i ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë, por edhe ju keni diçka në dorë. A mendoni se institucionet e arsimit kanë qenë transparente me rastet e të prekurve me covid-19? Të gjithë duan ta dinë këtë teksa i çojnë fëmijët në kopshte e në shkolla. Është një pikëpyetje për të gjitha familjet shqiptare.

E para, unë dua t’i siguroj të gjithë që ne kemi një sistem që funksionon shumë mirë për sa i takon monitorimit dhe raportimit në kohë reale për të gjitha rastet që ndodhin. Pra, ne kemi një sistem, një rrjet në të gjithë vendin, në të gjitha shkollat në bashkëpunim edhe me zyrat vendore arsimore dhe me drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar për të marrë në kohë reale çdo rast mësuesi të infektuar, të karantinuar apo të dyshuar. Pra, ne i kemi këto shifra çdo ditë. Edhe reagimi ynë është i menjëhershëm çdo ditë për t’i zëvendësuar këta mësues në mënyrë që mësimi të vazhdojë normalisht dhe të mos ketë ndërprerje.

Sa mësues dhe nxënës janë të infektuar? Sa mësues keni zëvendësuar?

Duhet të jemi sa më të kujdesshëm në dhënien e shifrave, pikërisht për të mos lejuar spekulimet sepse në fakt, dinamika është e tillë që çdo ditë disa mësues kthehen, d.m.th. shërohen dhe disa të tjerë mund të infektohen. Kështu që është aq dinamike, ndryshojnë aq shpesh këto shifra. Por unë mund t’ju jap një statistikë. Në disa shkolla të vendit, po të bëjmë krahasimin e mungesave momentalisht, ka pasur më shumë vitin e kaluar sesa këtë vit. Prandaj ne e theksojmë që situata është nën kontroll. Ne natyrisht nuk e marrim vendimin vetë, por konsultohemi në mënyrë të vazhdueshme me institucionet e shëndetësisë, me komitetin e ekspertëve. Edhe në çdo shkollë, edhe në çdo klasë vendimmarrja është shumë e rëndësishme për të thënë që, nëse është një mësues i infektuar apo i dyshuar, cilat janë hapat që do të merren, kush janë personat që do të bëjnë tamponin etj. Reagimi ynë është i menjëhershëm edhe për t’i mbështetur këta mësues e këta nxënës që infektohen, por edhe për sa i takon zëvendësimit të mësuesve që mësimi të vazhdojë normalisht.

Ku është dashur të ketë më shumë zëvendësime?

Përderisa Tirana ka popullsinë më të madhe, ka më shumë shkolla dhe më shumë nxënës, atëherë këtu kanë qenë. Por edhe vendimi që u mor për të mos hapur konviktet dhe për të zhvilluar mësimin online për universitetet, ka pasur lidhje pikërisht me këtë, që studentët të cilët vijnë nga bashkitë e tjera në konviktet dhe në banesat e Tiranës infektohen dhe e përhapin edhe në zonat nga vijnë, të cilat mund të jenë më pak të prekura. Pra, arsyeja ka qenë që të mos kemi shpërndarje të virusit edhe në zona që deri tani kanë shumë pak raste infektimi. Dua ta theksoj edhe një herë që shifrat janë shumë dinamike. Për opinionin publik, për mësuesit, për familjet, për prindërit e rëndësishme është që të themi se ne e kemi nën kontroll situatën. Shifrat nuk janë në të tilla nivele, që të na detyrojnë neve bashkë me komitetin e ekspertëve sigurisht, që të mbyllim ndonjë klasë apo ndonjë shkollë.

Sa ishin shifrat kur vendosët të mbyllnit universitetet për një kohë të caktuar? Në çfarë shifrash do të merret një vendim për të mbyllur shkollat e arsimit parauniversitar? Sa duhet të jenë këto shifra?

Ky është vendim i komitetit të ekspertëve, pra nuk mund ta them unë se sa është pragu. Ata na konsultojnë dhe na sugjerojnë çdo ditë për situatën dhe ata bëjnë sugjerimet. Nëse vjen momenti, pra nëse shifrat arrijnë në një nivel të tillë që duhet të merret ky vendim, atëherë e thonë ata dhe jo ne. Për këtë duhet të kemi besim te komiteti i ekspertëve sepse po punojnë çdo ditë. P.sh. unë e di që për vendimin e marrë për mësimin online në universitete, ata kanë bërë mbledhje të gjata, pikërisht për të konkluduar dhe për t’u bindur që vendimi do të ishte i drejtë.

Zonja ministre, a kemi mjaftueshëm mësuesë për të bërë zëvendësimet aktualisht, por edhe në një situatë të ardhshme të panjohur, por që duhet t’i paraprijmë, pra nëse kemi rritje të numrit të të prekurve?

Para pak javësh, me vendim të Këshillit të Ministrave, ne shtuam 1 000 punonjës në sistemin tonë të arsimit parauniversitar. Pra tani që flasim ne kemi në sistem 1 000 mësues shtesë, natyrisht nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Për momentin janë të mjaftueshëm. Nëse në një moment të dytë do të kemi nevojë për mësues të tjerë, patjetër që këto janë vendime që ne i marrim në mënyrë dinamike, duke u konsultuar edhe me qeverinë edhe me institucionet përkatëse. Por për momentin, 1 000 punonjës shtesë në sistemin parauniversitar janë të mjaftueshëm. Në çdo moment, kur ndodh një rast, zëvendësimi bëhet i menjëhershëm dhe mësimi vazhdon normalisht.

Në rast se do të kalohet në mësim online, nëse shifrat do të rriten, a është parashikuar që të pajisen me kompjuter dhe me internet nxënësit? Duhet të kemi parasysh që në zonat e thella ata nuk e kanë një mundësi të tillë. E dimë se sa të varfër janë, por ky nuk është një problem i sotshëm. Pandemia dikton zhvillimin e mësimit në këtë formë. Si e keni menduar?

Pyetja është shumë e drejtë. Në fakt, ne urojmë që të mos shkojmë drejt atij skenari. Uroj që të vazhdojmë sa më gjatë dhe situata të vijë duke u përmirësuar, jo vetëm për sistemin parauniversitar, por edhe për universitetet që studentët të kthehen sa më shpejt në auditore. Por pandemia na tregoi që nuk mund të parashikojmë zhvillimin e saj dhe nëse do të vijmë në një moment të tillë, që do të na duhet ta kalojmë të gjithë arsimin parauniversitar në mësim online nga shtëpia, patjetër që ne i kemi marrë masat. Së pari, kemi kanalin televiziv të dedikuar RTSH Shkolla, i cili çdo ditë transmeton orët mësimore për të gjitha lëndët, siç i zhvillojnë nxënësit në klasë. Që në fillim të vitit shkollor bëmë një unifikim të programit për të gjitha shkollat në të gjithë vendin, d.m.th. në të njëjtën ditë në të gjitha shkollat, pavarësisht teksteve që përdorin, zhvillohet i njëjti program, e njëjta temë mësimore. Dhe kjo na ndihmon pikërisht për këtë që nëse një nxënës mungon në shkollë, atëherë mund ta ndjekë shumë mirë mësimin nga televizori. Ky kanal bën edhe ritransmetimin. Kjo vlen jo vetëm për ata që mungojnë, por edhe për ata që janë të pranishëm në klasë sepse, nëse nuk e kanë kuptuar siç duhet mësimin, mund ta përforcojnë nga transmetimi televiziv. Dua të theksoj që kanali RTSH Shkolla do të vazhdojë edhe pas periudhës së pandemisë me programe argëtuese, kreative, gjithmonë për një cilësi sa më të mirë të arsimit parauniversitar.

E dyta, kemi platformën “akademi.al”, ajo që thatë edhe ju, digjitalizimi. Kjo platformë në fakt filloi që gjatë kohës së karantinës, në muajt e fundit të vitit të kaluar shkollor. Pjesa më e madhe e mësuesve dhe e nxënësve kanë aksesuar në këtë platformë. Çdo ditë bëhen trajnime se si të përdoret kjo platformë, ku janë edhe aty të gjitha temat e mësimit, siç i kemi në RTSH Shkolla, por këtu ka më shumë funksione, krijohen klasat virtuale. Edhe prindërit mund të aksesohen për të ndjekur vijueshmërinë e fëmijëve të tyre. ne po fokusohemi më shumë tani gjatë kohës së pandemisë, por kjo platformë do të vazhdojë edhe më pas njësoj si kanali televiziv RTSH Shkolla, pra edhe kur gjithçka t’i jetë kthyer normalitetit sepse është një tendencë sot kudo edhe në botë, që nëpërmjet aksesit, nëpërmjet programeve dhe softëere-ve të ndryshme të ndihmohen nxënësit dhe mësuesit.

Të dalim te pyetja juaj në lidhje me tabletat. Ne jemi të ndërgjegjshëm që mundësitë ekonomike nuk i kanë të gjitha njësoj të gjitha familjet. Ne kemi pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm nga partnerët tanë zhvillimorë, duke filluar që nga UNICEF-i, por edhe nga shumë partnerë të tjerë, edhe nga shumë biznese e kompani, që na janë gjendur pranë që në ditën e parë të pandemisë. Kjo mbështetje nuk ka qenë thjesht me maska, dezinfektues e termometra, të cilët nuk kanë munguar për asnjë moment. Madje edhe sot, çdo ditë më vijnë telefonata me të cilat partnerët dhe donatorët ofrojnë. Edhe ambasadat e huaja. Pra kemi pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm, edhe për sa u përket tabletave digjitale, iPad-eve dhe pajisjeve të tjera, të cilat u vijnë në ndihmë nxënësve që vijnë nga familjet në nevojë. Vetëm Vodafone Albania, deri në këto momente që po flasim, na ka dhuruar 15 000 mijë tableta digjitale, të cilat ne i kemi dedikuar vetëm për nxënësit e klasave kolektive dhe për nxënësit që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike.

Sa klasa kolektive kemi në vendin tonë aktualisht?

Ne e llogarisim me numër nxënësish, pra sa nxënës mësojnë në klasa kolektive. Në vitin 2013 kur erdhëm në pushtet, ne gjetëm mbi 45 000 nxënës që mësonin në klasa kolektive. Nga viti në vit, falë politikave tona për ta reduktuar numrin, kemi arritur që ta përgjysmojmë. Aktualisht kemi 23 000 nxënës. Jemi të ndërgjegjshëm që, pavarësisht përmirësimeve që janë bërë, ky problem është realitet akoma në shkollat tona dhe ne po i kushtojmë shumë energji kësaj çështjeje që të zgjidhet sa më shpejt kjo problematikë. Është e vështirë, por sidomos tani në situatën e pandemisë, kur e kuptojmë shumë mirë që vështirësitë e nxënësve në klasat kolektive janë shumë më të mëdha sesa ato të nxënësve në klasat normale. Për këtë arsye me tabletat digjitale por edhe me shumë gjëra të tjera, fillimisht i vijmë në ndihmë këtyre nxënësve.

Ne e dimë se si po punojnë mësuesit në këtë periudhë, me disa turne, kanë vështirësi. A po paguhen apo do të paguhen?

Meqë përmendët pjesën e turneve, dua të sqaroj që jo në të gjitha shkollat po punohet me turne. Nga 1 760 shkolla që kemi sot në të gjithë Shqipërinë, 1 100 shkolla e zhvillojnë mësimin vetëm me një turn. Nëse e llogarisim me numër nxënësish, rreth 70% e nxënësve në të gjithë vendin tani që po flasim bëjnë mësim vetëm me një turn. Turne të dytë, të tretë apo të katërt kemi sidomos për ata nxënës që vijnë nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti dhe janë të detyruar të shkojnë në shkolla të tjera pritëse afër vendbanimeve të tyre. Ne subvencionojmë pagesën e transportit edhe për mësuesit edhe për nxënësit, për të gjithë sistemin tonë parauniversitar. Tani, ata mësues që e zhvillojnë mësimin me turne dhe për rrjedhojë kanë orë suplementare, po ju tregoj një shkresë që e kam firmosur që ditën e parë të punës sime, ku tregohet se të gjithë mësuesit po paguhen për orët suplementare.

Ky është një lajm i mirë. Ndërkohë, zonja ministre, ai i garantoni ju të gjithë prindërit që kanë pasiguri si pasojë e covid-19, që shkollat ku konstatohen raste infektimi dezinfektohen? A trajtohen sipas protokollit që, në rast se një mësues rezulton i infektuar, kontaktet e afërta izolohen? Çfarë ndodh me nxënësit, si merren masat? Kam përshtypjen se për këtë janë të interesuar të gjithë.

E thashë që në fillim që vëmendja jonë maksimale në këto momente është pikërisht te respektimi i rregullave dhe reagimi ynë i menjëhershëm në çdo rast. Ditën e premte të javës së kaluar, unë isha në Korçë ku vizitova disa shkolla. Shkova edhe në një shkollë, për të cilën portalet dhe mediat kishin publikuar lajmin se ishte mbyllur për shkak të numrit të madh të infektimeve. Shkova vetë për të parë realitetin. Çfarë kishte ndodhur? Në atë shkollë drejtori dhe 2 apo 3 mësues ishin infektuar dhe menjëherë ishin karantinuar, dhe si pasojë edhe ishin zëvendësuar. Shkolla vetëm një ditë e kishte bërë pushim që të bëhej dezinfektimi total i saj. Pra vetëm për atë ditë kur është dezinfektuar shkolla, nxënësit dhe mësuesit e kanë zhvilluar mësimin nga shtëpitë. Mirëpo lajmi u interpretua sikur shkolla ishte mbyllur nga infektimi në masë të madhe. Me këtë dua të them që reagimi ynë është mjaft i shpejtë. Lajme të tilla ka pasur edhe në Tiranë për një tjetër shkollë, ku kishte disa raste. Mediat thoshin për 7 raste, por rastet nuk ishin të së njëjtës ditë. Ishin infektuar fillimisht 2 mësues, kur ishin rikthyer këta ishin infektuar 3 të tjerë, pra në të gjithë periudhën që kur ka filluar shkolla, pra nga 14 shtatori e deri tani ishin infektuar 7-8 mësues. Por jo të gjithë në të njëjtën kohë. Dhe vetëm në atë shkollë, për 4 ditë, është bërë dezinfektimi 2-3 herë. edhe ditën e diel, që normalisht është ditë pushimi, masat ishin marrë. Dua të falënderoj shumë edhe bashkitë. Të gjitha organet e qeverisjes vendore kanë qenë të gatshme dhe sinqerisht i falënderoj sepse në çdo rast kur komunikojmë dhe i informojmë për rastet e infektimeve në shkolla, kanë pasur gatishmëri maksimale për dezinfektimet dhe për ndihma të tjera. Gjithashtu bashkitë kanë asistuar shkollat edhe për shumë materiale të tjera si termometra, maska etj., të nevojshme për të përballuar situatën e pandemisë. Edhe me institucionet shëndetësore kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë që mësuesve të dyshuar t’u bëhet sa më shpejt testi i tamponit. Pra ka pasur një prioritet dhe vëmendje më të shtuar për personelin arsimor. Edhe një herë dua të bëj apel për të gjithë qytetarët, që të respektojmë rregullat dhe të bëjmë sa më shumë durim, të tregojmë sa më shumë vendosmëri sepse vetëm kështu mund ta kapërcejmë të gjithë bashkë këtë vështirësi.

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja