Intervista e plotë/ Veliaj: Sfidat e PS-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare

Zoti Veliaj, çfarë direktivash ka dhënë z. Rama në mbledhjen e ditës së djeshme? A kishte pakënaqësi?
-Partia Socialiste është një parti jo vetëm më e madhja, më patriotikja dhe ndoshta më jetëgjata në menaxhimin e punëve të vendit, por është edhe një nga partitë më të disiplinuara. Ne nuk besojmë që fushata është bixhoz, ne nuk besojmë që ajo rrëmuja, histeria, ulërimat dhe sharjet që karakterizojnë tipikisht fushatat në Shqipëri janë zgjidhja. Ne besojmë në një parti që i fillon punët mbarë, punën e sotme nuk e lë për nesër, merr dhe bën një llogari të arritjeve që ka pasur, të punëve që janë bërë, të kritikave, të vërejtjeve, të pakënaqësive, të mërive që mund të ketë në komunitet. Unë jam vetë drejtues i punëve në Tiranë dhe e di që Tirana ka 10 mijë rrugë, mund të kemi bërë 8 mijë dhe ka edhe 2 mijë të tjera për të bërë. Është vetëm çështje kohe teksa ne ekspandojmë në çdo lagje, por është më mirë kur ne takohemi, kur ne shikojmë se si po ecin punët, në varësi edhe të çështjeve. Disa bashki kanë fokus çështjen e rindërtimit, disa të tjera sapo mbaruan sezonin më të çuditshëm turistik që ka pasur ndonjëherë Shqipëria prej historisë së pandemisë. Kështu që për të gjitha këto arsye ishte një takim mobilizimi, i përveshjes së mëngëve për një fitore tjetër të PS-së në krye të punëve të vendit, jo vetëm sepse nuk ka alternativë përballë, por epse ne besojmë që ky mision është ende i papërfunduar si në qytete ashtu edhe në të gjitha punët e vendit.

Cila është problematika e Tiranës ose cila do të jetë sfida kryesore, afatet kohore, rrugët e hapura, rindërtimi si pasojë e tërmetit? Ku do të jeni të fokusuar kryesisht sepse Tirana është qarku më i madh i vendit.
-Unë besoj shumë fort që një familje e mirë nuk i lë pa bërë gjërat e rëndësishme dhe nuk zgjedh në mes të një fëmije apo një fëmije tjetër. Dhe unë besoj që sfida jonë është të mos zgjedhim, do të bëjmë rindërtimin apo do të vazhdojmë me investimet apo do të bëjmë shkollat, rrugët, parqet, sheshet apo mbjelljen e pemëve tani që afron sezoni. Ne do t’i bëjmë të gjitha këto. Për çështjen e rindërtimit që është patjetër çështja më e ndjeshme, ne kemi në proces 1 000 shtëpitë e para. Janë shtëpi si minivila, pra shtëpitë private ne i quajmë individuale, monofamiljare, kryesisht në zonat rurale aty ku kanë qenë edhe shtëpitë e vjetra të ndërtuar në kohën e pasluftës. Familjet e këtyre shtëpive do të futen të gjitha në shtëpi përpara Vitit të Ri dhe nuk do të kalojmë në vit elektoral për ta mbajtur këtë premtim dhe për ta ruajtur në fushatë. Jo. Siç kemi thënë, brenda këtij viti të gjitha familjet që janë pjesë e këtij procesi rindërtimi do të strehohen në shtëpi të reja, me çelësa në dorë dhe me të gjitha kushtet e rrjetit energjitik dhe të ujësjellësit. Në disa raste kanë qenë shtëpi të vjetra, pa dokumente, kështu që njëherë e mirë ne shkëpusim këtë zinxhir të varfërisë, sidomos në zonat rurale, prej këtyre shtëpive dhe infrastrukturës së dërrmuar që prej shumë viteve përpara. Sfida e dytë ka të bëjë me hedhjen e themeleve, që do të fillojë brenda këtij viti, pra nuk do të presim që t’i hedhim themelet në kohën e fushatës. Ne do ta bëjmë tani sepse tani e kemi premtuar, për lagjet e reja te “5 Maji” dhe në Kombinat, aty ku do të kemi dy lagje që do të ngrihen, ta themi në mënyrë metaforike si feniksi, nga hiri dhe nga rrënojat e tërmetit sepse besojmë që ne nuk lëmë punë për ditët e fushatës, por punët e sotme i bëjmë sot dhe jo nesër. Këto janë patjetër çështje sensitive sepse kanë të bëjnë me situatën e tërmetit. Ndërkohë, këshilli bashkiak do të mblidhet prapë nesër, do të kalojmë edhe qindra pagesa të tjera kesh për ata që kanë pasur dëmtime, që më në fund i kanë sjellë dokumentet. Një pjesë e qytetarëve kanë qenë me pushime dhe mirëkuptohen, i kemi pritur dhe nesër ne kalojmë prapë disa qindra pagesa të tjera. Edhe për këto nuk do të presim fushatën sepse puna e sotme nuk lihet për nesër. Ne do t’i bëjmë pagesat sot. Kurse në fushatë besoj që do të shpalosim idetë tona se si do të vazhdojë puna më tej, jo vetëm në nivel qendror por edhe në nivelin e bashkive tona. Di t’ju them këtë: argumenti numër një që ne do të kemi në fushatë, unë e thashë edhe dje, ne do të duhet të krahasojmë, duke qenë se në fushatë është populli që interviston ata që aplikojnë për punë, secili prej nesh kur intervistohet për punë, qoftë edhe ju si gazetare, pyetja e parë që ju bëhet është se ku keni punuar më parë. Pyetja e dytë është: si keni punuar më parë? Kështu që pyetja për kundërshtarët tanë, për Lul Bashën me shokë, është: ku kanë punuar më përpara? Përgjigjja është: në Bashkinë e Tiranës. Si keni punuar më përpara? Teksa intervistoheni nga populli për të marrë një punë më të rëndësishme, duhet të jepni një llogari dhe të jeni transparentë. Pse nuk punonte Sahati që është pas kokës sime, për 4 vite? Pse qyteti nuk patrohej? Pse nuk u mboll një pemë? Pse nuk u ndërtua një shkollë? Pati disa nga ata që protestonin për emërtimet e shkollave. Por pyetja ime për ta është, teksa protestonin për emrat, a ndërtuat një shkollë që t’i vinit çfarë emri të donit në këshillin bashkiak? Kështu që ky duhet të jetë një ballafaqim i punës që ka bërë secili prej kandidatëve për kryeministër dhe sigurisht demonstrimi me punë dhe jo me sharje, jo me shpifje, jo me kulturën e gjobës. Dhe unë besoj që do të arsyetojmë pak se si po shkojnë punët në vend.

Ju folët për kundërshtarin. A jeni në kushte të vështira si Parti Socialiste, duke qenë se kemi një tërmet, kemi edhe një krizë pandemie, e cila padyshim ka bërë që të mos kemi kartën më të fortë ekonominë dhe turizmin. 
-Nëse ne do të ishim në një situatë, kur teksa ishim në pushtet shpërtheu Gërdeci dhe vrau ata njerëz, patjetër që do të ishim shumë keq. Nëse ne do të ishim në një situatë kur protestuesit do t’i vrisnim me plumba qëllimisht, patjetër që do të ishim shumë keq. Por as pandeminë as tërmetin nuk e shkaktoi Partia Socialiste. Ekonomia ka rënë në të gjitha vendet e globit prej kësaj situate. Turizmi ka rënë në të gjitha vendet, edhe në Italinë fqinje, edhe në Greqinë fqinje që turizmin e kanë një nga faktorët e tyre më të rëndësishëm ekonomik. Ekonomia ka rënë. Pyetja më e mirë është: nëse ekonomia ka rënë kudo, ka rënë edhe në Shqipëri, si ka mundësi që vetëm lideri i opozitës është pasuruar? Si ka mundësi që vetëm tij i janë shtuar kontratat? Si ka mundësi që vetëm ai ka shtuar shtëpitë si në plazh ashtu edhe në periferinë e Tiranës? Kjo është ajo që kërcet. Por qeveria nuk ka në dorë as tërmetet as pandeminë, por ka në dorë se si reagon. Dhe në qoftë se flasim për reagimin ndaj tërmetit, ju kujtoj tërmetin në Itali. Italia është një vend anëtar i G7-s. Tërmeti ra në vitin 2009 në Akuila. Pra ka 11 vite dhe ende nuk ka mbaruar ndërtimi. Kurse ne tashmë kemi filluar të japim çelësat e parë në Farkë bashkë me kryeministrin, simbolikisht çelësat e parë të shtëpive të para, që filluan para tri javësh dhe po mbarojnë. Pra, sfida për një politikan apo për një drejtues nuk është se çfarë mund të bëjë për gjërat që nuk i ka në dorë, si tërmeti dhe pandemia, por se si reagon ai kur këto gjëra vijnë. Dhe përgjigjen e pyetjes se si reagon kur ndodh tërmeti, ne e morëm. Kur ra tërmeti, kryeministri ishte në orën 4 pa 6 minuta në mëngjes, në krye të punëve të vendit. Po kështu edhe ministrat, kryetarët e bashkive dhe të gjithë. Ndërkohë ne jemi mësuar këtu me një kryetar bashkie, siç thotë stafi poshtë kësaj tarrace, që nuk zgjohej deri në orën 11. Dy vite nuk vinte në këshillin bashkiak, dy vite e kishte deleguar firmën te nënkryetarët sepse nuk vinte në punë. Kështu që për dikë që as nuk vjen në punë dhe për dikë që, kur vendi është në ditën e vet më të vështirë jo prej qeverisë por prej natyrës dhe prej fatkeqësive që na kanë ndodhur, vetëm pasurohet, nuk është dikush që mund të flasë në emër të të varfërve, nuk është dikush që mund të zgjidhë ekonominë, nuk është dikush që ka alarm për ta zgjuar që të vijë në punë. Kështu që besoj se argumentet si politike, ashtu edhe të performancës në terren, flasin për një Parti Socialiste që, edhe pse në kushte të vështira të ekonomisë apo të pandemisë, të cilën s’e ka në dorë, ka bërë më të mirën e vet dhe nuk më rezulton që ka vende rreth nesh që të kenë performancë më të mirë, duke pasur parasysh modestinë e ekonomisë sonë. Kështu që si unë, ashtu edhe kryeministri, ecim lirshëm në rrugë, i shohim njerëzit në sy dhe themi: ja dhjetë punët që kemi bërë dhe ja si do të menaxhojmë edhe këtë dramë që na solli tërmeti, siç po japim rezultatet e para, dhe sigurisht qoftë me kompensimin e pagesave të luftës apo me të gjithë strategjinë tonë të rimëkëmbjes së ekonomisë, jam i sigurt që do të dalim ballëlart edhe nga sfida që na ka sjellë pandemia.

Pra ju po thoni që qytetarët nuk kanë një alternativë më të mirë se sa PS-ja?
-Pika më e fortë do të jetë puna dhe ne nuk e kemi filluar fushatën sot. Në njëfarë mënyre, ne jemi në fushatë përditë. Ne duam që të bëjmë më shumë kënde lojërash, ata protestojnë. Ne duam të bëjmë sheshe pedonale, si sheshi “Skënderbej” ku në këtë orë ka qarkullim njerëzish, ata nuk i duan këto vepra të bukura, se i kanë kundërshtuar. Ne duam të bëjmë më shumë si “Pazari i Ri”, më shumë si “Kalaja”, më shumë si “Liqeni”. Sapo takova një grup të rinjsh që bëjnë vrap te Liqeni, të cilët mund të kenë bindje dhe tesera të ndryshme, por sytë në ballë i kanë të gjithë njësoj. Kështu që për të gjitha këto arsye, argumenti ynë më i fortë është puna dhe vetëm puna. Pyetja për çdo qytetar është: nëse bie tërmet në orën 3 e 54 minuta, siç ra herën e fundit, kush do të jetë zgjuar aty për ta menaxhuar, për t’i vënë njerëzit në punë, për të ngushëlluar e për të ndihmuar ata që janë prekur, siç ndihmuam menjëherë familjet e para të prekura, ata që humbën jetë njerëzish, me shtëpi në Tiranë dhe familjet e tjera me shtëpi të reja. Një njeri që çohet në orën 11 nuk e bën dot. Një njeri që pasuron vetëm kunatin, një njeri që pasuron vetëm familjen e vet dhe një njeri që në ditën më të vështirë të vendit, në vend që të bëhet zëri i atyre që kanë nevojë dhe ka plot njerëz nevojtarë, është bërë zëri i oligarkëve dhe i atyre që pasurohen, më duket e pandershme që të flasë në emër të varfërisë. Megjithatë, kjo është zgjedhja e tyre. Zgjedhja jonë është që të punojmë, të tregojmë se kemi ende punë për të bërë. Ne kemi jo vetëm kantierin e rindërtimit, por edhe kantierin e shkollave të reja dhe ne krenohemi për këtë. A do të donim të kishim bërë më shumë sesa shkollat “Betim Muço”, “Servete Maçi”, “Kosova”, “Liceu”, “Shkolla e Baletit”, “Ardian Klosi”, “Andrea Stefani” që po bëhet tani, “Kristo Frashëri”, “Vaçe Zela”, “Kenedi”, “Nënë Tereza” dhe 33 shkolla në total? Patjetër. Çfarë është 33 mund të jetë dhe 333. Por krahasuar 33 me 0, për dikë që nuk bëri 1 shkollë për 4 vite, dhe tani do të marrë Shqipërinë mbi një CV të tillë? Ne nuk e kemi në dorë tërmetin, nuk e kemi në dorë pandeminë. Ata e kishin në dorë edhe Gërdecin, edhe vrasjen e qytetarëve. Kështu që për gjëra që s’i kemi në dorë do të bëjmë më të mirën dhe për çfarë kemi në dorë do të japim maksimumin tonë gjatë mandatit të tretë, si me Edi Ramën kryeministër, ashtu edhe në të 61 bashkitë e Shqipërisë.

Ju numëruat investimet ndoshta edhe të domosdoshme, por qytetarët që nga data 1 shtator në kryeqytet po përballen me një kaos në trafik. Gjithashtu po kritikoheni edhe për korsitë e biçikletave. Po punohet edhe në shumë rrugë. A mund të na thoni se çfarë po ndodh dhe cili është bashkëpunimi i Policisë Bashkiake me atë Rrugore për të zgjidhur këtë problem?
-Secili prej nesh, së pari, rregullon shtëpinë e vet dhe çdo punim në shtëpi krijon rrëmujë. Pra nuk ka punë që mund të katapultohet thjesht nga qielli si investim, pa gërmuar dheun, pa shtruar asfaltin, pa bërë transportin, pa pasur llaç e tulla dhe pa pasur të gjithë përbërësit e duhur pë një punë të caktuar. Kështu që secili nga ne që ka ngulur qoftë edhe një gozhdë, e kupton këtë. Unë e kuptoj që një pjesë të kritikëve tanë i zë puna, se në një qytet që për 4 vite me radhë s’u bë asgjë, tani çdo ditë është një kantier. Por ky është çmimi që paguajmë për zhvillimin, se fakt është që kur të mbarojë “Rruga e Durrësit”, përpara fillimit të shkollës, të gjithë do të shohim një investim të jashtëzakonshëm. Besoj e kujtoni se si përmbytej “Rruga e Elbasanit”. Bëmë të njëjtën punë vjet në verë, kur njerëzit ishin me pushime, dhe zgjati edhe dy javë në shtator.

Por edhe u kritikuat.
-Sigurisht, por ja ku jemi sot. “Rruga e Elbasanit” shpëtoi nga përmbytjet. Tani unë e di që puna ime është “hip se të vrava, zbrit se të vrava”, por që të zgjidhet çështja e përmbytjes duhet shqyer e gjithë rruga dhe duhet vënë një kolektor, i cili në rastin konkret të “Rrugës së Durrësit” nuk është bërë që në kohën e Italisë. Kështu që vërtet ka pak stres, por në fund të fundit, kush është në makinë me ajër të kondicionuar, le të presë pak minuta. Ndërkohë për ata banorë që përmbyteshin non stop, të cilët nuk kishin se ku të shkarkonin ujërat e tyre, ky do të jetë një shpëtim. Dhe sigurisht, edhe rruga që do të bëhet me një kalim, pra do të hyjmë nga “Rruga e Durrësit” në Tiranë dhe do të dalim nga rruga “Mine Peza”, patjetër do të jetë shpëtim. Kur adresoni çështjen e korsive të biçikletave, ose kur bëheni avokatët e përdoruesve të makinave, duhet të kuptoni që kryetari i bashkisë është zgjedhur nga të gjithë njerëzit. Unë kam marrë më shumë vota se sa ka Tirana shoferë. Kjo do të thotë se, nëse do të isha zgjedhur vetëm prej atyre që kanë pronarë makinash, atëherë do të isha kryetari i bashkisë i zgjedhur nga partia e shoferëve. Por kryetari i bashkisë, apo kryeministri, apo deputeti, apo edhe shikuesit tuaj, kamë biçikleta, ecin edhe në këmbë, marrin edhe autobusin, prandaj edhe unë besoj që, në një qytet ku të gjithë i paguajnë taksat njëlloj, nuk ka asnjë arsye që prona më e madhe publike që janë rrugët, në 90% të tyre të përdoren vetëm nga 20% e popullsisë. Pra bëhet fjalë edhe për një demokratizim dhe nuk më duken qytete të pamençura Londra, Milano apo Parisi. Nëse mësimet që nxorëm nga pandemia i harruam që në javën e parë të hapjes dhe nuk i rikthehemi natyrës, është gabim. Para meje ishte dikush që kishte tërë kohën makinën te dera e Bashkisë. Patjetër që edhe unë do ta përdor për të shkuar në Shëngjer, në Vaqarr etj., por për udhëtime të vogla, për të shkuar në Kryeministri apo në Kuvend do të bëj siç kam bërë deri më sot, me biçikletë, madje në një moment edhe korsia e biçikletave kishte trafik, sepse në një qytet me 1 milion banorë, ku të gjithë nxitojmë për të shkuar në punët tona, në çdo mjet transporti do të ketë trafik. Qytetet e mëdha vijnë me këtë çmim. Kjo është arsyeja përse dikush lë Hasin apo Këlcyrën duke ardhur në Tiranë, duke menduar që vërtet do të ketë nga këto streset e vogla, por është edhe vendi i mundësive, është edhe vendi i operës, i baletit, i shkollave të mira, ku ka më shumë kompani dhe fuqi ekonomike, rrogat janë më të larta, ka më shumë vlerë shtëpia. Kështu që kur llogariten pluset dhe minuset, si për çdo qytet të madh, jeta në Tiranë ka më shumë pluse sesa minuse dhe ne do të bëjmë më të mirën, që përpara fillimit të vitit të ri shkollor këto kantieret e mëdha të jenë hapur dhe ne t’u urojmë të gjithëve suksese. 

Duhet edhe një lloj bashkëpunimi i Policisë Rrugore me atë Bashkiake.
-Kemi partneritet edhe me Policinë Rrugore, edhe me Policinë Bashkiake. Duhet të kuptoni që ata që punuan gjatë gjithë gushtit për të bërë këto investime, punëtorët, manovratorët, policët, zjarrfikësit, janë gjithashtu njerëz, janë prej mishi e gjaku dhe kanë edhe familje. Kështu që, sigurisht, ashtu si e gjithë popullata shkon për pushime në gusht, mundohemi që t’u japim e pakta 4-5 ditë apo 1 javë pushime. Janë njerëz e jo robotë. Kështu që duhet pak mirëkuptim në këtë periudhë gusht-fillim i shtatorit, kur kemi qenë me pak forca. Pak sjellje qytetare na bën mirë të gjithëve. Duhet kuptuar që këta njerëz nuk janë skllevërit tanë, por kolegët tanë, që punojnë në mesin e vapës. Kështu që për ata unë kam veç mirënjohje dhe atyre që janë stresuar pak u kërkoj ndjesë dhe mirëkuptim.

A ka nevojë për më shumë parkime në kryeqytet?
-Kjo është një nga gjërat që ne në fakt e kemi bërë ndryshe. Ndonjëherë ne e harrojmë Tiranën më parë, ku s’kishte asnjë parkim nëntokësor te sheshi “Skënderbej”, as te “Bulevardi i Ri”, nuk kishte te stadiumi “Qemal Stafa”, as te “7 xhuxhat”. Sot i kemi mbaruar 4 parkime private, të cilat kanë qenë premtimi im. Do të fillojmë edhe disa të tjera. Kemi bërë edhe disa parkime që nuk kanë ekzistuar më parë. Ju kujtoj që te stadiumi “Dinamo” shiteshin makina të përdorura dhe aty uleshin e shtriheshin me orë të tëra njerëz, që zinin një hapësirë, ndërkohë që makinën mund ta shesësh edhe në internet pa zënë hapësirë fizike publike. Po kështu parkimi te “Pazari i Ri”, te diga e Liqenit. Ne do të vazhdojmë. PD-ja nuk bëri dot asnjë vend parkimi, ndërsa tani e ngre si çështje dhe thotë që është cenuar Liqeni. Nuk bëhet fjalë për cenim të Liqenit, por ai restoranti që është ngjitur me Gardën e Republikës do t’i kalojë Bashkisë së Tiranës. Aty ne do të bëjmë një parkim nëntokësor për të gjithë njerëzit që frekuentojnë Liqenin. Kështu që në vend që makinat të lihen mbi trotuare apo në parqe, do të futen në parkim nëntokësor dhe njerëzit pasi të bëjnë vrapin apo shëtitjen e tyre do t’i marrin sërish. Nuk jam unë ai që bën pazare me oligarkët. Nuk jam unë ai që marr vila nga oligarkët për çdo gjobë apo për çdo protestë false që ngre. E keni gabim. Ajo që ndodh është që në kohën e Lul Bashës, për të marrë një leje ndërtimi në Tiranë, paguhej 1/10 e taksës për bashkinë, dhe për këtë arsye ai nuk bënte dot asnjë shkollë, se s’kishte para. Ndërkohë sot ata paguajnë dhjetëfishin. Sjellja me oligarkët nuk është që t’i shash në televizor dhe pastaj të hash dreka e darka me ta dhe të pranosh vilat e tyre si shpërblim për të hequr gjobën që u vë me protestat false. Sjellja me oligarkët është si të sillesh me financat e tyre. Unë jam socialist, progresist dhe jam krenar për këtë. Unë besoj që ai që fiton më shumë nga të mirat e këtij qyteti, duhet të kontribuojë më shumë për të. Kjo është edhe arsyeja që kushdo që ndërton në Tiranë paguan dhjetëfishin e taksës që paguante në kohën e Lulit e të kunatit, duke shtuar sigurisht kontributin e punëve për të cilat po flasim.

Të flasim pak për ndryshimin e drejtuesve politikë të PS-së në qarqe. A ka qenë ky një proces i hapur dhe a ka ngjallur pakënaqësi deri tani?
-Nuk kemi pasur asnjë pakënaqësi. Këtu nuk bëhet fjalë për të ndarë privilegje, por për të ndarë punën. Kështu që pakënaqësi do të kishim në qoftë se në fund të zgjedhjeve nuk kemi realizuar detyrat dhe dikush është mbingarkuar, kurse dikush tjetër s’ka pasur asnjë ngarkesë dhe s’ka qenë i dobishëm. Kjo është një ndarje perfekte e punës. E kemi ndarë punën me të 61 kryetarët e bashkive, që ata të jenë vigjilentë, të përgatitur, që t’u përgjigjen në kohë ankesave të qytetarëve. Unë them që tani që janë ndezur të gjithë motorët dhe të gjitha investimet janë në kalendar, puna e 61 kryetarëve të bashkive është ndarë, përfshirë këtu edhe këshillin e Shkodrës pasi kryetari nuk është zëvendësuar ende. Puna ka filluar dhe do të vazhdojë pa sakrifikuar asnjë nga projektet të përcaktuara në kalendar. Ju përmendët Tiranë. Fare mirë mund të thoshim që do ta lëmë “Zogun e Parë” se na ndodhi kjo fatkeqësi. Fakti që kryeministri ngriti fondet, që ne të mos preknim investimet, por projektin e rindërtimit të tërmetit ta përballonim me kontributet e donatorëve, është një lajm shumë i mirë. Kështu që ne këtë vit do të mbarojmë edhe “Rrugën e Durrësit” edhe “Zogun e Parë” që janë dy akse kryesore. Mbaruam “Rrugën e Elbasanit” dhe “Kombinatin” dhe them që pjesa e bashkive është e qartë. Për pjesën e partisë, Tirana është një megaterritor. Tiranës i janë shtuar banorë dhe kjo do të thotë që do t’i shtohen edhe deputetë. Sa do t’i shtohen, 1 apo 2, këtë nuk e di sepse kjo matet me formulë dhe me raportimin që bën gjendja civile, por gjasat janë që teksa shtohen banorët dhe shtohen shitjet e apartamenteve, do të shtohen edhe deputetët. Dhe duke qenë se shtohen deputetët, do të thotë se Tirana zë një pjesë më të madhe të përfaqësimit në parlament, kemi bërë edhe këtë ndarje të detyrës, ku kemi një drejtues politik për Bashkinë e Tiranës, që është 80% e peshës së votës për të gjithë qarkun, kemi edhe një përfaqësuese politike për bashkitë më të vogla, por që gjithashtu numërohen në të njëjtin qark. Ndaj kemi përveshur mëngët dhe jemi super të karikuar për fitoren e tretë të PS-së, një fitore dhe një mandat për të bërë punë dhe për të mos riskuar për të marrë në punë dikë, që në çdo punë ka dështuar: si ministër i Jashtëm i fali detin Greqisë me letra, si ministër i Brendshëm u vranë njerëz me plumba në bulevard, si ministër i Transportit e la përgjysmë rrugën e Kukësit dhe sot janë ende duke u ndërtuar urat e kësaj rruge, si kryetar bashkie i ngeli ora. Bëri një ndërtim pa leje për veten e tij dhe për 2 vite nuk erdhi fare në punë. Kështu që këtu flitet për njerëz realë, për CV reale, për ngjarje që të gjithë i dimë që kanë ndodhur dhe për të thënë: vazhdojmë këtë që e kemi të sigurt dhe një kryeministër që në 4 të mëngjesit do të jetë në krye të punëve të vendit edhe kur bie tërmet, edhe do të na sigurojë që kur të kemi pandemi do të marrë masa shtrënguese në fillim sa të mësojmë se çfarë po ndodh dhe pastaj do të jemi ndër të parët, siç ka ndodhur, për të prenotuar vaksinën sapo ajo të dalë, sesa dikë që e kemi provuar dhe që ka qenë një dështim total. Sfida vlen. Lul Basha duhet të vijë të kandidojë në Tiranë. Fillimisht duhet të vijë të debatojë në Tiranë, sepse unë besoj që është i shëndetshëm një debat mes meje dhe atij për punët e qytetit dhe për të treguar se, nëse ai e ka bërë mirë punën në Tiranë meriton t’i japim një punë tjetër. Por nëse ka marrë notën 4 dhe ka ngelur në Tiranë dhe ka humbur 4 palë zgjedhje, qytetarët kanë qenë këtu, mund të kenë tesera të ndryshme, por kanë sy në ballë, kanë veshë, kanë mend. Unë besoj që edhe ai, që për hir të bindjeve politike, është ndoshta sharësi më i madh i punës sonë, pasdite kur mbyllen seancat e partisë, kur mbyllen sharjet nëpër rrjetet sociale, e çon fëmijën për shëtitje te Liqeni, e çon fëmijën në çerdhet, kopshtet apo shkollat e reja, del shëtitje te “Bulevardi i Ri”, bën pazar te “Pazari i Ri”, pi një kafe te “Kalaja” sepse këto investime janë për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim. Dhe unë besoj që një Tiranë ku ka nevojë të punohet pa asnjë dallim, është Tirana e këtyre 5 viteve dhe jo ajo që lamë pas. 

A do të arrini ta përfundoni Kopshtin Zoologjik sipas afateve, sepse ka shumë interes?
-Në fakt afatin e ka 2 vite. Ne do ta përfundojmë më 1 qershor 2021 Kopshtin Zoologjik, ashtu siç kemi premtuar. Besoj që do të jetë një tjetër hapësirë fantastike për fëmijët e kryeqytetit. Pastaj do të vazhdojmë investimin te Kopshti Botanik dhe për t’i lidhur të dyja hapësirat me një zonë që tashmë është shpallur edhe lagje e re, jashtëzakonisht e populluar dhe që meriton të trajtohet me investime si çdo njësi tjetër administrative.

A do të ndryshojë diçka në komunikimin e PS-së me elektoratin, me mediet? Do të kemi ndonjë risi?
-Jemi të detyruar që ta ndryshojmë mënyrën e komunikimit prej kushteve të pandemisë. Me shumë gjasa nuk do të ketë mitingje, do të ketë më shumë takime të distancuara. Me shumë gjasa do të ketë komunikim një për një. Dhe unë i pari do të jap shembullin tim me takimet që do të bëj në territor. Kështu që ajo fushata klasike me kapele, me postera, me mitingje, me atë energjinë që vjen nga sheshet, me shumë gjasa do të mungojë. Prandaj detyrohemi që të tregohemi kreativë, të vazhdojmë komunikimin por jo me mënyra tradicionale siç kemi bërë më përpara. Ndoshta është më mirë kështu sepse edhe ato mitingjet ishin bërë pak të lodhshme. Besoj gjithashtu që secilit prej nesh i jep kënaqësi një komunikim intim, kur realisht i qan hallin dikujt dhe i zgjidh një problem, sesa ato ulërimat nëpër sheshe. Besoj se edhe për një pjesë të shëndoshë të politikës ky është një ndryshim jo edhe aq i keq, por ndryshim për mirë. Pandemia na ka ndryshuar normalitetin e jetës, por ne shqiptarët jemi të adaptueshëm. Fakti që ne biem në këmbë kudo që të na hedhësh, dhe kthehemi në histori suksesi në vende të ndryshme të botës, do të thotë që, nëse ka një specie që pavarësisht vështirësive adaptohet brenda racës njerëzore, këta janë shqiptarët. Jam i bindur që me optimizëm, me bashkëpunim, me dashuri, me frymë pozitive, me energji të mirë dhe jo me helm e me përçarje, me pozitivitet ne do të bëjmë gjëra të mrekullueshme dhe sigurisht që do të adaptohemi, ashtu si e gjithë bota, në mos më shpejt.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje