Nëse Ukraina tërhiqet nga Donbasi, rruga drejt qendrës së vendit hapet për rusët. Kaq të thjeshtë e sheh Volodymyr Zelensky situatën. Dhe e thotë prerazi: “Nuk do ta lë kurrë Donbasin dhe 200 mijë ukrainasit që jetojnë atje”.
Në një intervistë të gjatë në zyrën e tij në Kiev dhënë Corriere della Sera-s, ai prek të gjitha pikat e nxehta: Iranin, SHBA-të, Europën, negociatat me Moskën dhe të ardhmen e luftës.
Sipas tij, sulmi ndaj objektivave ushtarake iraniane ishte vendim i drejtë. Irani ka furnizuar Rusinë me dronë dhe raketa, përfshirë Shahed, që sot prodhohen edhe në Rusi me licencë nga Teherani. Por përshkallëzimi në Lindjen e Mesme mund të krijojë një problem serioz për Kievin.
“Amerikanët dhe aleatët e tyre mund të kenë nevojë për raketat Patriot për veten e tyre. Ne blejmë armë amerikane me fonde europiane. Nëse ata i mbajnë për mbrojtjen e tyre, furnizimet tona mund të ngadalësohen”, thotë ai. Kujton se diçka e ngjashme ndodhi kur Izraeli u përball me sulme iraniane dhe dërgesat për Ukrainën u vonuan.
A rrezikon Ukraina të lihet në hije nëse SHBA dhe BE fokusohen te Irani? “Po, është rrezik”, pranon Zelensky, por shton se shpreson që kriza të mbetet e kufizuar dhe të mos kthehet në një luftë të gjatë.
Për Rusinë, ai është i qartë: “Putini është më i dobët”. Sipas tij, Moska po humb deri në 35 mijë ushtarë në muaj. Edhe nëse planifikon të mobilizojë 400 mijë të tjerë, humbjet po barazojnë rekrutimet. “Ushtria e tij nuk po rritet më. Negociatat serioze do të nisin kur ushtria e tij të fillojë të tkurret”.
Zelensky thotë se Rusia dështoi me ofensivën dimërore. Sulmoi centralet elektrike në kulmin e të ftohtit për të përçarë popullin dhe për ta kthyer kundër ushtrisë. “Nuk funksionoi. Me ngrohjen, rikthehen shpresat”. Tani pret ofensivë pranverore, por beson se do të dështojë sërish.
Në frontin diplomatik, situata është e ngrirë. SHBA propozon shkëmbim territoresh. Rusia kërkon tërheqje të plotë të Ukrainës nga Donbasi. “Pse duhet të japim tokën tonë në këmbim të një pjese tjetër të atdheut tonë?”, pyet ai. Pranoi propozimin amerikan për ngrirje të vijës së zjarrit, duke ndjekur president Donald Trump me shpresën për t’i dhënë fund luftimeve. Por Moska nuk e pranoi.
Amerikanët propozuan edhe zona të demilitarizuara dhe zona ekonomike të lira në të dy anët e frontit. Zelensky tha se duhet të vlejnë për të dyja palët. Rusia kërkon që të jenë vetëm në anën ukrainase. “Është çmenduri”, thotë ai.
Edhe nëse do të kishte garanci sigurie me trupa të huaja në terren, ai nuk do ta linte Donbasin. Kujton se Rusia ka rreth 10 mijë ushtarë koreano-veriorë në territorin e saj dhe thotë se Moska nuk mund të vendosë për trupat që qëndrojnë në Ukrainë. “Na duhet një vijë e fortë mbrojtjeje ukrainase”.
Ai pranon se Ukraina ka mungesë ushtarësh. “E themi hapur. Prandaj duam ta mbyllim luftën”. Ndërkohë, vendi po investon fort në dronë dhe teknologji për të kompensuar mungesën e forcës njerëzore. Sipas tij, që nga fillimi i vitit janë rimarrë 460 kilometra katrorë territor.
Për Europën, mesazhi është i qartë: ndihma është jetike, por nuk mjafton pa SHBA-të. “Europa ka para dhe industri, por jo ende kapacitet të plotë ushtarak. Duhet të bashkojmë forcat. Nëse SHBA-të tërhiqen, duhet të jemi gati”.
Ai prek edhe raportet me liderët europianë. Për Giorgia Meloni thotë: “Është inteligjente dhe në anën e duhur të historisë”. Për Viktor Orbán shprehet se do të mposhtet në zgjedhje dhe se Hungaria nuk është vend filorus, ndërsa kujton se Rusia ka bombarduar disa herë naftësjellësin Druzhba që kalon në Ukrainë.
Sa për zgjedhjet në Ukrainë, përgjigjja është e thjeshtë: do të mbahen pas përfundimit të luftës, jo gjatë një armëpushimi të përkohshëm. Dhe nëse do të kandidojë? “Do të shoh çfarë duan ukrainasit”.
Mesazhi i tij përfundimtar është i prerë: “Ne duam paqe. Por jo një paqe që hap derën për pushtimin tjetër”./CorrieredellaSera
Komente











