Në intervistën telefonike prej gati 15 minutash me gazetaren e TV A1 Report Mira Kazhani, Muhamet Vata tregoi versionin e tij mbi këtë ngjarje, momentet mbrëmjes së 10 tetorit: kur kishte parë vajzën për herë të fundit, si e kishte zbuluar se ajo nuk ndodhej në banesë, deri në momentin kur kishte shkuar për të bërë identifikimin e trupit pa kokë të së bijës. Muhameti tregon se kur e kishte mësuar se Ajsha ishte shtatzënë dhe çfarë do i bënte vrasësit të së bijës.
Trupi i Ajshe Vata u gjet pa kokë, paraditen e 11 tetorit rreth 500 metra larg banesës së saj në një parcelë me misër. Për momentin nuk ka ende asnjë të ndaluar ndërsa policia vazhdon hetimet për të zbardhur krimin e rëndë. Intervista u botuar sot në gazetën Shqiptarja.com (print) dhe më pas u transmetua në Tv A1 Report.
INTERVISTA E PLOTE E BOTUAR SOT NE SHQIPTARJA.COM
Për herë të parë pas masakrimit të Ajshe Vatës, flet i ati i saj por edhe një nga të dyshuarit kryesorë të hetuesve, Muhamet Vata. Në një intervistë të gjatë të dhënë për gazetaren Mira Kazhani në televizionin “A1 Report” Muhamet Vata ka dhënë versionin e tij të ngjarjeve dhe ka shpjeguar në detaje marrëdhënien e tij me të bijën, për një lidhje dashurore të vajzës apo për rrethanat shumë të dyshimta dhe ende të paqarta të daljes së Ajshe Vatës nga shtëpia natën e vrasjes. Muhamet Vata pretendon se vrasësit i kanë veshur të tjera rroba vajzës së tij pasi e kanë ekzekutuar dhe sipas tij Ajshja ka dalë nga shtëpia me disa rroba të saj të cilat policia I ka gjetur në 24 orët e fundit pranë vendit të ngjarjes. I pyetur se çfarë do t'i thoshte apo çfarë do t'i bënte vrasësit nëse do përballej me të, Muhamet Vata është shprehur se do lërë shtetin të merret me këtë gjë.
Zoti Muhamet jam Mira Kazhani nga A1 Report. Ngushëllime për vajzën. Do doja tiu pyesja ku i keni dyshimet në lidhje me vrasjen e vajzës tuaj?
Unë të gjitha ato që kam patur për të thënë i kam dhënë. Vajzës unë i kam dalë borxhit. Un kam thënë nëse do një çun nëse don dikë vetëm shif jetën tënde, babi sta prish qejfin, shif jetën tënde përpara. Kjo e ka mbajt sekret, kjo punë ka ndodh kështu. Se si doli e zgjodhi, e pse? Kjo është dyshimi im. Mua ma ka shkri jetën, mu më ka mërzit, kaq di unë.
Të kuptoj. kishit ndonjë dyshim këto javët e fundit?
Ajo ishte pra, unë nuk kisha asnjë dyshim. Unë isha tre ditë në Tiranë me të për ta rregjistruar në shkollë të lartë për ta çuar në shkollë, për ta ndihmuar gocën të ecte më përpara.
(Në foto Muhamet Vata, në intervistë për Tv A1-Report)
Ishte e gëzuar për shkollën?
Shumë e gëzuar ishte.
Ka dashur që të bëhej infermiere?
Ka dashur shumë, kemi ndejtur tre ditë për të bërë rregjistrimin për me fillu të hënën shkollë. Nuk arriti as të hënën as të martën as të dielën.
Nuk keni dyshuar asnjë çast si baba që ajo mund të kishte një lidhje, që mund të kishte një shqetësim?
Unë nuk kam dyshuar se nuk e kam ndjekur nga mbrapa për ta gjurmuar. Unë asnjëherë sia kam kaluar keq me Ajshen , asnjëherë nuk jam zënë me Ajshen, asnjëherë se kam rrahur Ajshen, asnjëherë s'më ka ofenduar Ajshja, gjithmonë më ka ndihmuar, Ajshja mi ka rritur tre të vegjël që mi ka pas lënë nusja, atë e kam pas nënën e kalamajve.
Këto gjëra I keni dëshmuar dhe në polici zoti Muhamet?
Po këto janë.
Ju kanë bërë shumë pyetje hetuesit?
Eh sa pyetje më kanë bërë ato më kanë mbajtur, unë kam qenë shumë i tronditur atje në polici.
Çfarë është kjo historia që përmendet një djalë nga Shijaku, ndoshta nga shoqet e saj dini ndonjë gjë?
Në botë nuk di gjë. Tani po e dëgjoj këtë lajm. Unë as televizor skam dëgjuar e asnjë send.
Kështu flitet për një lidhje me një djalë nga Shijaku, ju sdini gjë?
Në botë nuk e di, në botë.
Si mendoni ju si mund të ketë dalë Aishja nga shtëpia, cili ka qenë kontakti juaj i fundit çfarë biseduat me të?
Dëgjo tani, dëgjo. Të gjithë këto që më bën pyetje tani ti.. Që kur ka dalë sdi gjë unë, se ta kisha ditur se kisha lënë me dal.
Kur mendoni se mund të ketë dalë?
Me pas kaq shumë mend unë kështu si thua ti nuk kish ndodh kjo punë. Nuk ma kishte nxirë jetën mua në këtë farë feje. Dhe je e para gazetare që të jap kaq informacion dhe duhet të ma dish shumë për faleminderit. Ka gjithë ato dëshmi në polici që i ke dhe janë të shkruara një e nga një. Kam ndejtur 12 orë në polici. Kemi dalë e kemi shkuar në polici në orën 09:00 dhe jemi kthyer në orën 22:00 në shtëpi.
A doni që të zbardhet kjo histori?
Dëgjo, ne duam të zbardhet një orë e më parë. Por kur nuk di se çfarë të tregosh kur nuk ke një objekt , një strategji, se skam dyshuar ndonjëherë unë që për të ditur diçka. Se po të dyshoja, apo po të më kishte dhënë dikush një informacion se ka patur një vit para lidhje, unë në botë se kam ditur se ka patur një vit më parë lidhje. Sepse se kam ndaluar, i kam thënë kush të pëlqejë tregoi babit, babi në vend, s’ka asnjë problem. Je vajzë e shkolluar mbarove maturën, do të çoj në shkollë të lartë me këto mundësi që kam unë, kaq.
Pra ju zoti Muhamet nuk keni asnjë dyshim se nga kush mund të ketë ardhur kjo ngjarje?
Nuk mund të akuzoj njeri në botë.
Nuk akuzoni askënd?
Nuk mund të akuzoj njeri në botë pa baza.
A keni biseduar me shokë e shoqe të Ajshes?
Unë dhe shokë e shoqe të Ajshes nuk njoh. Ma jep dhe njëherë emrin ti goc si quhesh the?
Unë quhem Mira, Mira Kazhani dhe kam një marrëdhënie shumë të mirë me babanë tim......
Ashtu e kisha dhe unë me gocën time, por goca ime ma mbajti aq sekret sa e pësoi me jetë dhe me atë tronditi gjithë Shqipërinë gjithë fisin dhe mua ma nxiu fytyrën. Marrëdhëniet që kam patur unë me atë gocë s'besoj se i ke patur ti me babanë tënd. Se unë i kam ndejtur aq me kismet, mi ka rritur kalamajtë të thashë pra. Shtatë kalamaj, e kam patur nënën e kalamajve.
Zoti Muhamet natën e fundit, çfarë kujtoni çfarë veprimesh ka bërë Ajshja?
Kjo ka qenë fatkeqësia ime sepse nuk kam kuptuar gjë sepse kam qenë sëmurë me spoliatrozë, Ajshja me gjithë nusen më ka çuar prej krahu me gjithë nusen se nuk ecja dot. Me spoliatrozë nuk ecja dot. E kur jam çuar unë me nusen e cila më ka ngritur me dalë jashtë, për nevoja të miat personale, kemi konstatuar Ajshen që nuk ishte aty. Kjo ka qenë fatkeqësia ime se kam qenë i sëmurë dhe se kam patur mendjen te Ajshja e kam patur mendjen te hallet e mia , por kjo ishte fatkeqësia ime.
Pra ju nuk e keni idenë fare për një lidhje intime me një djalë nga Shijaku?
Në botë jo , në botë jo.
As gruaja juaj nuk dyshonte? Zakonisht femrat kuptojnë më shumë për femrat apo jo?
Gruas time ajo nuk mund ti hapet shumë. Se nuk e ka nënë ajo e ka njerkë. Nëna i ka vdek asaj.
E kuptoj por ajo ka jetuar me njerkën apo jo?
Ka jetuar, po ja unë kam gocën tjetër në klasë të nëntë, në klasë të tetë sivjet, edhe motrës nuk i ka treguar gjë fare.
Askujt?
Ka qenë shumë e mbyllur me kalamajtë. Më e dashur ajo ka qenë me mua.
Pra ka qenë më shumë e lidhur me ju?
Më shumë se me mua mund të ketë qenë me atë të dashurin që ka patur. Se mua si prind ajo, sa më ka dashur mua sdo kënd në familje.
Zoti Muhamet çfarë natyre kishte Ajshja?
Ishte çik e mbyllur, e mbyllur ka qenë, rrallë herë ishte e hapur. Rrallë herë.
Nuk keni bërë asnjëherë një bisedë me njëri tjetrin të tipit kur të rritesh, kur të martohesh, ëndrrat?
Biseda kam bërë unë, i kam dhënë atë lirinë dhe ajo ka marrë atë vetbesimin e vetë. i kam dhënë atë lirinë që kur të dashurohesh bëje të hapur dhe babi s'ta prish. Je e sigurtë je në rregull ti, babi sta prish. Unë ja kam shprehur atë vullnetin tim, babi mos ki merak më ka thënë. Kaq ishte problemi.
Pse mendoni se ka dalë vetëm me këmishën e natës? Sikur ka patur frikë nga diçka?
Nuk ka dalë me këmishën e natës. Alo gazetare. ju lutem se këtu keni bërë një çorodi ju.
Jo unë prandaj po ju pyes ju dhe jemi me fat që po ju kontaktojmë.....
Pyetni një çik se do dalin gjërat avash avash. Se sot ka gjetur një provë tjetër policia. Prisni njëherë se shteti është një çik më i fuqishëm se ju gazetarët.
Pra jo të gjitha i dijnë gazetarët thoni ju?
Ka gazetar që veprojnë me kujdes, merr informacionin e plotë dhe i bën tamam gjërat i hedh pikat tamam. Ka dhe gazetarë që flasin kotë. Ajo këmisha e natës ja kanë veshur atje ku është bërë aksidenti edhe atletet ja kanë zhveshur aty ku është bërë aksidenti. Aty janë gjetur shapkat që ka dalë me shapka, është gjetur xhupi i zi sot, më vonë do të gjenden dhe ajo çfarë ka veshur, ajo, tuta kafe a ku di unë.
Pra po më thoni që ka dalë me një xhup të zi?
Po patjetër, është gjetur. Do të dalin gjërat të gjitha tani, të dali njëherë policia se e ka gjetur sot xhupin. E kemi vërtetuar që ky është xhupi jonë, sepse u kemi thënë që ka patur këtë-këtë dhe këtë, njëra ndër to është xhupi, gjërat e tjera nuk janë gjetur hala.
Kur identifikuat Ajshen, çfarë kishte në trupin e saj? Çfarë veshjesh?
Atë mos ma kërko mua se ajo më ka çoroditur komplet dhe kam dalë i llahtarisur, i shkatërruar. A kuptove? I shkatërruar kur e kam parë në atë farë feje. Në rregull? Me atë fustan e me ato atlete që ja kishin veshur, a më kupton? Kështuqë gjërat do të dalin ndryshe, do të dalin ato që kanë qenë. Do ti gjejnë avash avash.
Po më thoni se ju e keni gjetur me atlete dhe me veshje?
Unë kam kujtuar se ishte mbuluar me çarçaf nga hutimi i madh që kisha. Kur kam shkuar atje i kam thënë " kush e ka mbulu me çarçaf"? . Jo më thanë ka patur këmishë nate. Kur ma nxorri në kompjuter mua e pashë dhe i thashë që kjo këmishë nuk ekziston në shtëpinë tonë. As nusja e as kërrkush nuk ka një të tillë. Një këmishë e madhe ishte, një këmishë gruaje. Për masën që kishte i kanë veshur atlete, ato shapkat që ka dalë i ka gjetur aty policia. Shapkat i kanë harruar aty. Kanë harruar shapkat dhe kanë marrë rrobat e veshjes dhe i kanë fshehur.
Kush mendoni se ja ka ndryshuar rrobat?
Me mendu unë se kush ja ka ndryshuar rrobat unë jap emrin ekzakt në polici dhe zgjidhet problemi, por nuk mund unë të di gjë pa pas asnjë lloj relacioni.
Aisha ka shfaqur shenja dhimbjeje se i ka vdek nëna?
Nuk bën vaki, sepse nëna e saj ka vdekur në 8 gusht 2006. dhe Ajshia nuk ka pasur asnjë lloj mërzie, Aishja ka shkuar në shkollën në Mederese në Durrës, mbaroi shkollën me 5900 pikë e kam cuar me makinë në shkollë e kam cuar deri te furgoni i Shijakut, më çonte zile i dilja përpara, bënte dhe kursin e anglishtes dhe shkonte direkt nga shkolla dhe në botë nuk më ka shpreh mua se shkonte me ndonjë djalë apo me ndonjë gjë tjetër a më kupton.
Do insistoni për t'u zbardhur kjo histori, sepse më habitët pak më parë me shprehjen që më ka nxirë faqen nuk është faji i saj që ka vdekur në atë mënyrë...
Dëgjo, vdekja është makabër, nuk është faji i saj vdekja, me atë nuk jam unë, dhe një dele nuk e pres në qafë unë, dhe jo të pritet robi sikur e kanë bërë në atë farë feje. Ajo ka bërë gabimin që ka dalë pa i tregu babit. Natën s'kishte pse me dalë.
Po s'kishte pse të dilte...
Ky ishte gabimi i saj, vetëm kët gabim ka ajo. Gjëna të tjera masandaj, krimineli është kriminel. Ai që don me të marr jetën ty, ai që don me i marr jetën atij tjetrit ka gjithfarë lloj mënyrash dhe me vrasje hajde de, ai që don me të mbyt, po ta presi në qafë...
Edhe paragjykohen njerkat, është histori e keqe, si kanë qenë marrëdhëniet me gruan tuaj të dytë?
As me motrat e veta se ka qit më mirë se me njerkën, ja të gjithë motrat këtu i kam unë ...
Me motrat, me hallat e saj e keni fjalën...?
Jo jo, me motrat e veta as me to s'e ka qit më mirë se me njerken e vet, se hallat i kena icik më larg.
E kuptoj..në dhomë me kë flinte Ajshia, ishte vetëm apo flinte me motrat?
Me motrat...
Motrat nuk kanë dëgjuar asgjë kur ajo ka dalë nga shtëpia?
Motrat kanë flejt pak më herët. Mbas orës 11.00 kur kanë flejt të gjithë gjumë, ajo ka gjet momentin me dalë pa na tregu fare...
Ju jeni një familje besimtare zoti Muhamet?
Ajo ka mbaruar shkollën e Medresesë...
Po ndaj po ju pyes...
Ajo falej pesë herë në ditë, unë s'di me u fal...
Aishja falej pesë herë në ditë...?
Po, pesë herë në ditë...
Dmth, edhe ka agjëruar gjatë muajit gusht...
Tërë muajin ka agjëruar.
Ka qenë në shtëpi gjatë muajit gusht?
Tërë muajin gusht ka qenë në shtëpi.
Dhe ka agjëruar?
Po ka agjëruar.
Vetëm Aishja ka agjëruar në shtëpinë tuaj?
Po ajo, dhe askush tjetër, dhe kjo motra tjetër ka agjëruar vetëm dy javë por nuk arriti me e mbaru komplet. Dhe ia bënte iftarin, ia bëntë ushqimin dhe krejt gjënat.
Më falni për këtë bisedë, por nesër cfarë do të bëni, do të shkoni te varri i Aishes apo do të shkoni te hetuesit për të dhënë dëshmi të tjera?
Nesër do vazhdoj me prit rob që shkojnë e vijnë pas varrimit...
Besoj keni vizita në shtëpi shumë...
Varrimin e pe sot ti?
I kemi parë të gjitha dhe ne jetojmë me dramën tuaj familjare...
Mua dhimbjen ma ka lehtësuar pak sot populli që më kanë ardhur gjith ato miq dhe gjithë ata mysafir që janë bashkuar me dhimbjen time...
E kuptoj...Sikur Aishja të ishte gjallë dhe ta merrnit vesh që ishte shtatzënë do ta mbronit, do ta falnit do ta mirëkuptonit?
Nuk bëhet fjalë ai muhabet oj ti goc...
S'do e kishit problem nga komshinjtë nga njerëzit...
Nuk bëhet fjalë o ti goc...Ato janë gabime adoleshence, ato janë gabimet e veta...e kupton...ato nuk do të thonë vdekjen, vrasjen...
A keni komunikuar mirë me policinë, vura re që ishit pak nervoz dhe që nuk ju pëlqeu që kishit qendruar 12 orë në polici?
Jo jo, ishim në polici dhe hoqëm njëcik keq se njëherë në një zyrë dhe një herë në një tjetër. Ata kishin shumë punë dhe s'ishin tu u marr hic me mua.
Po nuk keni ndonjë ankesë?
Ne ishim 30 e ca vetë e s'kishna pse u anku prej policisë. Gjithë familja kemi qenë atje dhe nuk kisha pse me u marr me policinë.
Eshtë pyetur e gjithë familja zoti Muhamet?
Që nga goca e vogël e gjithë komshijtë e lagjes...
E kuptoj...Askush nuk e ka parë Aishen kur ka dalë?
Po kush e ka parë në 11 të natës? Po të dalësh dhe ti të vish te shpia ime në 11 të natës dhe të marrësh një firzamonikë nuk të dëgjon kush. I kam dritaret duralumini krejt.
A do e prisnit nesër një gazetar në shtëpinë tuaj, kolegen tonë për të folur?
E ca do i them një gazetari nesër më shumë se ç'të thashë ty tashti? Mkanë rënë pa fund telefonat e gazetarëve dhe s'kam për ti pranu. Sepse nigjo, cdo gjë ka një llogjikë edhe një vëzë kur e pret për ta zi duhet me e prit pesë minuta...
Po mua do më mirëprisnit në shtëpinë tuaj...
Po ç'lidhje ka me ardh...unë çdo njeri e mirëpres në shtëpi. Ca mund të them ty më shumë sesa të thashë tani.
Po ndoshta do jeni të besdisur nga media, a do kishit një apel për shoqërinë shqiptare?
Unë me thënë të drejtën me lëvizjen që ka vu shteti, u ka cu shteti në kambë, dhe besimin që e kam te shteti besoj se do e vëjë drejtësinë në vend, do të dalë gjithcka. Eshtë komplet vendi i ngjarjes i rrethuar dhe cdo ditë e cdo natë janë në kërkim, që në momentin dje që është gjet trupi dhe deri rrezik edhe me shku tani ka njerëz...unë kam shumë besim te shteti..me ketë rast që më ka ndodh mua kam besimin më të madh te zoti para e te shteti pas që do e zgjidhi këtë problem.
Më shumë besim keni te zoti apo te drejtësia zoti Muhamet?
Të vërtetën po të them kam besim shumë te zoti, por zoti para e drejtësia është mbrapa.
Dhe dicka policia thotë që trupi është zhvendosur, pak a shumë ma thatë dhe ju gjatë bisedës. E besoni këtë variant edhe ju?
Nuk mund ta them këtë a është zhvendosur se unë nuk kam ndenjur shumë te trupi, unë e humba komplet, unë e humba që kur ecsha rrugës, a nigjova, që kur pashë në atë farë feje që nuk kisha parë ndonjëherë në jetën time dhe në filma nuk i kam parë në atë farë feje, a merr vesh ti apo jo.
A kishte dalë ndonjëherë tjetër Aishja pas vonë?
Po të kishte dalë ndonjëherë tjetër Aishja dhe tia kisha lënë unë rrugën lirë, unë nuk do e pranoja më veten. As e di se ka rastësis ndonjëherë në botë që Aishja të më ketë ikur mua kështu. Dhe kudo që shkonte Aishja më thoshte një ditë përpara "Babi a të shkoj këtu apo në atë kurs" . Sa lekë duhen o bij, kaq lekë, ia jepshja.
Nuk e dimë nëse ke pasur ndonjë kuriozitet, ke shkuar në dhomën e saj, nëse ka mbajtur ndonjë ditar apo ndonjë letër?
Nigjo, në momentin që nuk kam gjetur gocën në dhomë se unë shkoj dhe i mbuloj kalamanjt e vegjël ...
A ju e kuptuat kur se gjetët në dhomë? Pra keni shkuar në dhomën e Aishes?
Në dhomën e Aishes unë futem cdo natë në orën 2, 3, 4 dhe mbuloj kalamajt se janë tre kalamaj të vegjël ...dakord? kalamanjt që flen gjumë i mbuloj për mos me u ftoh. E kupton ti...Herë unë herë nusja, herë unë, herë nusja...dhe në momentin që nuk e kena gjet Aishen kena kontrollu nëpër shtëpi, i kena zgju kalamanjt "ku është Aishja", ata thanë "Sdimë gjë", shif se mos ka lënë ndonjë letër a ndonjë gjë...
A nuk kujdesej Aishja për fëmijët gjatë natës?
Kujdeset, por nuk është Aishja si Aishja, mëson dhe për vete, në shkollë shkon, mëson dhe të tjerë dhe e zë gjumi. Po s është ajo që e le derën dhe dritarën hap. Unë i kam kalamanj dhe shkoj nga dy apo tre herë në natë dhe i mbuloj.
Më thatë se besoni shumë në zot, për cfarë i luteni zotit tani?
Unë i lutem zotit të dalë që ai që e ka vra.
E si do reagonit?
Po ka shtet moj, si do dal unë, unë sdo dal me vra atë
Pra nuk do ta vrisnit. Do tia linit drejtësisë.
Po të hakmerrem me atë unë do të futem në burg. Po të futem në burg kush i ruan këta kalamanj me hëngër. I ruan ti? i ruan shteti?
Po as Aishen nuk e ruajti kush...
Po unë nuk mund të bëhem kriminel sikur ai. Dhe ajo mund të ndodhë.
Faleminderit dhe natën e mirë duke shpresuar të gjenden autorët e kësaj vrasje...
E gjitha ajo është... të gjenden autorët...Me këtë mënyrë bisedoj me cdo lloj njeriu. Unë më duket se jam përgjigjur si duhet.
INTERVISTEN E PLOT E GJENI NE GAZETEN PRINT
(sg/Shqiptarja.com)