TIRANE- Zv. ministrja e Mirëqenies Sociale, Bardhylka Kospiri, në një intervistë për Shqiptarja.com flet për sfidën e saj si zv. Ministre me prioritet personat me aftësi të kufizuar dhe ata në nevojë. Kospiri rrëfen për lexuesit mënyrën se si do të realizohet përfshirja e invalidëve në vendet e punës dhe pse ka dështuar ligji “Për  nxitjen e punësimit”. Ndër të tjera zv. ministrja Kospiri flet për mënyrën si do të pastrohet skema e ndihmës ekonomike dhe ajo e pagesave të personave me aftësi të kufizuar.

Znj. Kospiri, si do të realizohet përfshirja në vendet e punës e personave me aftësi të kufizuara?
 
Ligji “Për nxitjen e punësimit” vendos detyrimin që subjektet duhet të punësojnë një person me aftësi të kufizuara për çdo 25 punonjës të tyre. Megjithëse ky ligj është miratuar në vitin 1995, numri i personave me aftësi të kufizuara të punësuar është shumë i ulët, si rezultat i moszbatimit të ligjit. Një nga arsyet e mos zbatimit është mungesa e akteve nënligjore të parashikuara për t’u hartuar e miratuar në mbështetje të zbatimit të ligjit.

Angazhimi i MMSR-së është që të përmbushet e drejta për punësim e personave me aftësi të kufizuara dhe për këtë do të përgatisë dhe miratojë brenda vitit 2014 disa akte nënligjore. Përmes këtyre akteve sigurohet një periudhë kalimtare ku ata që punësohen nuk e humbasin pagesën e aftësisë së kufizuar deri në një vendim nëse do të vazhdojnë punën apo do të rikthehen në skemë. Gjithashtu, personat me aftësi të kufizuara do të mbështeten nga fondet për nxitjen e punësimit, si një nga kategoritë përfituese. Ndërkohë që, edhe përmes kurseve të formimit profesional, personave me aftësi të kufizuara do t’u sigurohet akses për profilet ku ata munden dhe duan të kualifikohen, drejt një orientimi për punësim.
 
Gjatë kësaj kohe keni kallëzuar në Prokurori mbi 800 abuzime të zbuluara vetëm në tre komuna, me ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuara. Si do të bëhet pastrimi i skemës së NE dhe PAK?
Ashtu siç tashmë është bërë e ditur, kur ekipi i ri drejtues i MMSR filloi punën në shtator 2013, trashëgoi një situatë ku buxheti i akorduar i ministrisë për mbrojtjen sociale për vitin 2013 ishte shpenzuar në masën 96 %, duke lënë kështu pa paguar përfituesit e ndihmës ekonomike dhe të pagesave të aftësisë së kufizuar. Mosdhënia e pagesave kishte filluar që nga korriku 2013 në disa zona, por e pranishme mesatarisht me dy-tre muaj në të gjitha zonat e tjera.

Në këtë situatë, hapi i parë dhe i menjëhershëm ishte fillimi i procesit të auditimit, i realizuar nga grupi i auditit të brendshëm të ministrisë, i cili u pasua nga një audit i thelluar, i zhvilluar nga Shërbimi Social Shtetëror. Dhe janë rezultatet e auditit që zbuluan 800 abuzime vetëm në tre komuna, duke i drejtuar një pjesë prej tyre për rikomisionim si persona me aftësi të kufizuara në KMCAP epror, si dhe duke ndëshkuar abuzuesit me masa administrative, apo duke i çuar në kallzim penal në organet kompetente. Tashmë procesi i auditimit po vazhdon nga zyrat rajonale të Shërbimit Social Shtetëror në të gjitha rajonet e vendit, rezultatet e të cilit po ndikojnë në pastrimin e skemave nga abuzuesit.

Por ajo që do të ndikojë në kthimin e skemave në funksionim normal, ku përfitues do të jenë vërtet njerëzit që kanë nevojë dhe janë realisht me aftësi të kufizuara, është reforma e filluar nga MMSR-ja për modernizimin e sistemit të ndihmës ekonomike dhe pagesave për aftësinë e kufizuar, ku përmes sistemit elektronik të rregjistrimit do të shmangen prurjet e përfituesve  abuzivë në sistem.
 
 Sa e vështirë dhe e bukur është për ju të qenurit në postin e zv. ministres?
Të jesh në një pozicion të tillë do të thotë shumë përgjegjësi e kurajo për të përballuar sfida. Ky vërtet është një mision i vështirë. Si çdo person me aftësi të kufizuara, edhe unë përballem me sfida që janë shumë të pranishme në çdo hap të jetës. Por, sfidat e reja që duhet të përballoj kanë të bëjnë me atë, që si ekip i MMSR-së të punojmë që për grupimet në nevojë sfidat të mos jenë të pakapërcyeshme.  Dhe këtu qëndron edhe kënaqësia e një misioni të realizuar, e një premtimi të mbajtur.
 
 Çfarë prisni brenda këtij 4 vjeçari?
Një ndërthurje më të mirë mes mbrojtjes sociale dhe përfshirjes sociale. Grupimet e kategorive në nevojë të orientohen më mirë drejt integrimit, duke ju siguruar shërbimet e nevojshme për pjesëmarrje në shoqëri, për t’u edukuar e punësuar.
 

 Shkrimi u publikua sot (29.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)