Intervista/ Lulgjuraj: Festivali i 
RTSH skenar “me rob shtëpie”

Intervista/ Lulgjuraj: Festivali i <br />RTSH skenar “me rob shtëpie”
TIRANE- Këngëtari i mirënjohur ulqinak në mbarë trevat shqiptare, Adrian Lulgjuraj, mbeti në kujtesën e shqiptarëve që kur fitoi Çmimin e Parë në Festivalin e Këngës në RTSH 2012. Lulgjuraj së bashku me Bledar Sejkon përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Europian 2013 me këngën “Ekzistoj”. E lamë që të takoheshim në Shkodër të hënën në mbrëmje, menjëherë pas përfundimit të festivalit. Isha kurioz të dija sesi e vlerëson këtë festival një ndër fituesit e tij. Me sinqeritetin dhe spontanitetin e tij në këtë intervistë për “Shqiptarja.com” Adrian Lulgjuraj nuk i ka kursyer kritikat për mënyrën e organizimit, duke shprehur njëkohësisht edhe lëvdatat për ata kolegë që patën performancat më të mira.
 
Fillimisht do të doja të dinim disa gjëra rreth jush për atë pjesë të lexuesve që nuk ju njeh. Si u formuat ju si muzikant dhe këngëtar dhe cilat janë preferencat tuaja muzikore…?
-Unë jam rritur në Ulqin me muzikën rock dhe në fakt edhe karakteri im është adapt për këtë rrymë. Koha kalon dhe në fakt unë nuk e konsideroj sot veten tamam rocker. Këtë rrymë unë e dëgjoj kudo, në shtëpi, në makinë ku kam CD-të, etj, por sot dëshiroj që rockun ta gërshetoj me një muzikë tjetër, pak më të lehtë dhe më moderne se ajo që unë jam mësuar me qëllim që të ndjehem më i përmbushur. Ka kaluar kohë qysh kur unë filloja të bëja muzikën rock dhe ashtu si edhe muzika evoluoi edhe karakteri im (qesh).

Ajo që më pëlqen është se e kuptova edhe unë vetë sepse isha shumë fundamentalist, përsa i përket rockut. Çdo interpretues i rockut apo i rrymave të tjera muzikore është munduar dhe mundohet edhe sot që të përcjellë edhe kohën. Sot edhe grupe të cilat unë i kam dëgjuar prej kohësh kanë filluar të ndryshojnë rockun e dikurshëm. Pra, nisur nga ky fenomen mendoj se vjen një kohë që të detyron dashje pa dashje që të ndërrosh pak stilin dhe ta përputhësh me kohën.

Këtë ta imponon edhe publiku. Ajo që unë bëj sot është një pop-rock, ashtu si edhe kënga ime e fundit në Festivalin e RTVSH. Pikërisht nisur edhe nga kjo eksperiencë unë mendoj që të bëj edhe fillimin e kursit të ndryshimit në karrierën time muzikore. Duke iu rikthyer repertorit tim të hershëm ndjej edhe keqardhje por ky ndryshim më ka sjellë vetëm të mira. Natyrisht që unë kam humbur fansat e flaktë të rockut por për fat të keq ato janë të pakët dhe nga ana tjetër fansat që preferojnë më shumë rryma muzikore, nga rocku e deri tek pop-i, etj., janë më të shumtë.

Kështu, për arsye mbijetese, në skenën muzikore por edhe për preferencë personale nuk mund të vijosh të bësh vetëm ato lloj muzike me të cilën je mësuar më herët. Për këtë arsye unë vij sot në një farë mënyre i riedukuar dhe e them pa komplekse se në këtë aspekt më pëlqen vetja.

Si ishte sipas jush organizimi i Festivalit e 54-t të Këngës në RTVSH? A ndikoi tek ju një lloj marrëveshjeje e heshtur, sipas së cilës është e vështirë që të fitohet 2 herë një trofe brenda një kohe të shkurtër?
-Duke ju përgjigjur pjesës së fundit të pyetjes suaj po ju them se kjo teori është e njohur prej kohësh. Por nga ana tjetër po ju them se jam shumë i kënaqur për këngën që u shpall fituese që u intepretua nga Eneida Tarifa. Po kështu ndjehem mirë edhe për atë sesi performuan konkurrentët, sepse më pëlqeu fakti se aty kishte mjaft element të rock-ut.
 
Po ndonjë vërejtje a keni?
-Po, kam vërejtje për skenarin, i cili nuk më pëlqeu fare dhe la shumë për të dëshiruar. Në një eveniment me traditë dhe serioz si Festivali i Këngës në RTVSH nuk mund të përdoren banalitete nga ana e konferencierit që i dëgjuam të gjithë, jo me rob shtëpie, etj….

Habitem si ia kanë lejuar, sepse këto janë biseda ordinere dhe nuk kanë vend në një festival kombëtar të këngës, për më tepër të një vendi që ka qenë i mbyllur dhe patriarkal si Shqipëria. Serioziteti dhe impenjimi i këngëtarëve konkurrentë së bashku me orkestrën bënë dallimin e dukshëm me atë fjalor të papranueshëm që u përdor nga spikeri i këtij festivali. Kurse nga ana organizative nuk më pëlqeu mënyra me të cilën u votuan këngët e seleksionuara nga juria për natën finale. Kështu, të gjitha këngët e kënduara në 2 netë u përzgjodhën vetëm në natën e dytë në vend që të përzgjidheshin në secilën natë. Po kështu përzgjedhja e këngëve të natës finale ishte pa kurrfarë emocioni. Ashtu si në Festivalin Europian, çdo konkurrent duhej të votohej nga juria me një kuotë nga 1 deri në 12 pikë, gjë që nuk u bë.

-Jeni lindur dhe rritur në një qytet të vogël shqiptarësh si Ulqini, i lënë pas dore në Mal të Zi. Duke u zhvendosur në një pozicion kozmopolitan, a ju vjen keq që si një rocker apo pop-rocker aktualisht, ju nuk jeni formuar me po këtë prirje në ndonjë kryeqytet apo qytet të madh diku në Europë, ku do të kishit mjaftueshëm fansa dhe angazhime?
-Sinqerisht po ju them se e keni kapur drejt thelbin e këtij problemi dhe jam plotësisht dakord me përfundimin tuaj. Siç dihet, në vendet e vogla edhe paga është më e vogël për çdo profesion. Eshtë kjo arsyeja që sot unë nuk e ushtroj në Ulqin as aktivitetin tim muzikor si këngëtar dhe as si jurist për të cilin dhe jam diplomuar në Prishtinë. Pra një zero në të dyja. Natyrisht që në Ulqin unë kam prindërit, por atje shkoj vetëm në ditë festash dhe në ndonjë periodë të shkurtër gjatë verës. Me këtë rast takohem edhe me ato pak shokë të fëmijërisë dhe të adoleshencës që jetojnë ende atje. Pjesën tjetër të kohës atje e kaloj duke pirë kafen e ditës dhe në shtëpi. Unë jetoj në Podgoricë.

Me një vëzhgim spontan që ju kam bërë, kryesisht nëpërmjet televizionit, më jepni përshtypjen e një personi me energji pozitive, impulsiv, pak nostalgjik dhe optimist në të njëjtën kohë. Si është në të vërtetë Adrian Lulgjuraj në jetë?
-Unë kam një karakter kameleoni, pra përshtatem mirë në hapësirë, vend dhe kohë. Shembulli më i mirë është përshtatja ime me tregun muzikor dhe zhvendosja ime në kryeqytetin malazez për të cilat ju fola më parë. Nëse do të më mbushej mendja që të jetoja në Tiranë do ta bëja pa vështirësi. Në Podgoricë u përshtata në profesionin tim të përditshëm si jurist edhe pse atje nuk flitet shqip dhe nuk kam jetuar asnjëherë në jetën time. Nuk bëj pjesë në ato njerëz ksenofobë që nuk përshtaten me të renë.

Por një e keqe sjell një të mirë, thonë. Fakti se ju angazhoheni jo shpesh me rrymën pop-rock, a ndikon në atë se do të mund ta shijoni dhe intepretoni gjithmonë dhe me pasion këtë rrymë?
-Jam dakord me atë që thoni dhe sigurisht që ky fenomen ekziston dhe gjykohet në këtë aspekt. Po marr si shembull vetëm periudhën prej 3 vjetësh ku unë fitova çmimin e parë në festival dhe performova në Festivalin Europian me këngën “Ekzistoj”. Ishte në fakt një periudhë e dobishme reflektimi nga edhe ku vendosa të bëj edhe ndryshimet në rrymën muzikore që luaj… Eshtë e panevojshme që të zgjatem më shumë në këtë pikë.

Në mbyllje edhe diçka për origjinën dhe përbërjen e familjes suaj si dhe për jetën tuaj…
-Siç ju thashë, unë vetë jam ulqinak meqë kam lindur dhe rritur në Ulqin, por prejardhjen e kam nga Gruda e Malësisë së Madhe, një ndër zonat e shkëputura nga trungu i Shqipërisë. Gjyshi im, në atë kohë rreth 25 vjeç ishte shpërngulur në Ulqin bashkë me familjen e tij. Gjyshja ime edhe ajo ka qenë nga fshati Shtoj, por e lindur edhe ajo në Ulqin. Me pak fjalë jemi 2 breza që kemi lindur në Ulqin, pra unë me babin. Unë jetoj me familjen time në Podgoricë që prej 3 vitesh. Në fakt nuk është një qytet që më pëlqen por ishte një ofertë e mirë pune si jurist..

Punoj për një kompani amerikane si drejtor për Malin e Zi dhe dhe jam i lumtur me atë pozicion që kam. Kjo kompani ose ky fond amerikan investimesh është i shtrirë në shtetet e rajonit dhe në fillim e kishte zyrën në Tiranë, aty ku e ka edhe sot dhe që është kryesorja. Menjëherë pas zgjerimit të aktivitetit më erdhi propozimi për të punuar në këtë pozicion në kryeqytetin malazez nga Andi Ballta, të cilin e respektoj shumë. Aktualisht po menaxhoj një projekt në Sveti Stefan.

Për kuriozitet, unë u bëra këngëtar, pasi u diplomova si jurist në Prishtinë, në moshën 26 vjeç (qesh). Isha në fillim me punë në gjykatën e Ulqinit, ku edhe formova një bandë lokale për hoby-në time. Pas Ulqinit kam pasur aktivitet muzikor edhe në Tivar, Tiranë dhe Podgoricë. Ulqini mbetet vendlindja ime, por për fat të keq atje nuk jam as gjatë muajve të verës, atë herë kur edhe ringjallet me praninë e mijëra turistwve shqiptarë dhe të huaj. Me bashkëshorten, Adrianën jam njohur prej vitesh dhe kemi 2 fëmijë të vegjël, djalin Leonin dhe vajzën Adriana. Emri i vajzës vjen nga bashkimi i emrave, timit dhe gruas, Anës. Ishtë pikërisht bashkëshortja që e dha këtë ide dhe unë natyrisht që pranova.
Adrian Lulgjuraj

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës