Intervista /Maks Velo rrëfen lidhjen e tij me ‘Notre Dame’ në Paris: Një katedrale vlen sa një komb

Notre Dame de Paris, zonja jonë e Parisit. E gllabëruar nga flakët mbrëmjen e 15 prillit katedralja pariziene nuk është vetëm një monument simbol i kryeqytetit francez. Është një kryevepër me famë globale që përfaqëson Francën dhe Evropën në botë, epiqendër e sugjestioneve artistike dhe letrare, që përfaqësohen me imazhin e saj në botë. Arkitekti dhe piktori Maks Velo, për “ReportTV” teksa e quan katedralen 850-vjeçare simbol të krishterimit, shpjegon edhe se si kjo katedrale do të rikthehet sërisht sikundër ka qenë.

Zoti Velo, mbrëmjen e 15 prillit katedralja 850-vjeçare “Notre Dame” në Paris u gllabërua nga flakët. Por, sipas jush, çfarë ka humbur historia e Francës dhe ajo botërore nga ky zjarr?

Nuk besoj se ka humbur, sepse ajo do të restaurohet.  Dy kullat kryesore të hyrjes nuk janë dëmtuar, është dëmtuar tërësisht çatia dhe një nga ato dritaret me vitrazhe, majtas. Mbrëmë u befasova, edhe për tre orë kam qëndruar duke parë deri sa u shuajt shkëndija e fundit. Ata thanë se arsyeja janë punimet e restaurimit, por mund të jetë edhe kjo, apo edhe ndonjë arsye tjetër, sepse ISIS ka thënë në një deklaratë para shumë kohësh, ka thënë që do të shkatërrojë Notre Dame dhe Ëestminster-in. Nuk e besoj se është punë e tyre, ndoshta kjo është diçka rastësore. Dëmi është i jashtëzakonshëm, por kupola nuk kishte afreske, ishte e gjitha me punë. Nuk është si kishat e tjera, që ka afreske deri lart. Nisi ndërtimin në vitin 1168, për 100 vite. U festua 550-vjetori, kishte gjatësinë 130 m me 48. Sigurisht, që gjatë gjithë kohërave ka pas shtesa. Ishte një qytet i tërë, aty shkonin çdo vit 15 mijë vizitorë. Kur shkojë radha ka qenë pa fund. Ndoshta ishte vepra më impresionuese në botë, së bashku me misterin e saj, realizimin teknik të jashtëzakonshëm, afresket edhe me një frymë jashtëzakonisht miqësore. Shpresoj që do të ribëhet, francezët janë specialistët më të mirë për restaurimet, se kanë shumë katedrale edhe shumë kisha. Janë 15 mijë katedrale në të gjithë Francën. Ata kanë specialistë edhe do të mobilizohen të gjithë, sepse është djegur vetëm pjesa e sipërme. Ka qenë një dhimbje shumë e madhe për mua.

Si e kujtoni herën e parë, që e keni vizituar "Notre Dame"?

Jam shumë e lidhur me Notre Dame për shumë arsye, sepse unë kam lindur vetëm 10 metra afër saj. Kam thithur ajrin e parë, por edhe kam fotografitë e para, që më ka bërë babai atje. Edhe për herë të parë pas burgut në vitin 1992, kam shkuar atje dhe jam falur. Shkoj vazhdimisht, edhe herës së fundit kam qenë në dhjetor ku kam dëgjuar dy koncerte me organo... Mbresa e herës së parë ka qenë e pashlyeshme, sikundër ndodh me të gjithë njerëzit. Sidomos për mua që vija nga katedralja e Spaçit më hodhi në një furnelë edhe shpëtova rastësisht, nuk e besoja se do të shikoja Parisin dhe Notre Dame. Për mua është simbol i krishterimit, ka një humanizëm, një mirësi që të bën të kuptosh se këta njerëz para 1000 vitesh kanë punuar për ne. Edhe gjëja më e rëndësishme është puna, jo që të djegësh edhe të shpëtosh.

Po përsa u përket vlerave që mbartin afresket, por edhe për vlerën arkitektonike të objektit çfarë do të thoshit?

Ajo është një nga veprat më të njohura të epokës gotike. Janë katër kisha që janë simbol i gotikut francez, një prej tyre është Notre Dame me gjithë planimetritë, skulpturat edhe dekoret pa fund. Konstruksioni edhe mënyra se si është bërë me gurë e gjitha, teknika e ndërtimit. Një nga gjërat e rëndësishme është që katedralet i kanë dhënë njerëzimit, humanizëm. Nga = katedralet ka dalë gjithë shkenca, kultura, sepse në vetvete ato kanë qenë realizimet më të vështira për kohën.  Katedralet janë shumë të vështira për t’u bërë. Baza e Evropës së bashkuar janë katedralet. Rëndësia e tyre është e shumëfishtë.

Mendoni se përtej vlerës restauruese, që deri tani është afro 6 mln euro, katedralja do të rikthehet sërish në gjendjen që ka qenë?

Asnjëherë nuk kthehet një gjë në gjendjen që ka qenë, por ata janë kaq të aftë, sa ti mos ta kuptosh, që është restauruar. Do të bëjnë disa ndërhyrje, por ata do ta restaurojnë në atë mënyrë, që ne mos ta kuptojmë që është djegur. Këtë e kemi parë në raste të tjera, siç ishte Teatri “Fenice” i Napolit edhe u rikthye siç ka qenë. Ndërsa, ne i prishim pa pasur nevojë, ata i ruajnë. Kështu që ajo do të restaurohet, sepse është sensibilizuar e gjithë bota. Duhet që të dimë edhe këtë gjë, se kjo nganjëherë sjell përmirësime, sepse nëse kapriatat ishin konsumuar për 500-600 vite tani do të bëhen të reja.

Ndonëse ishte në proces restaurimi ende nuk ka dalë ekspertiza, se përse ka rënë zjarri, por ju vet çfarë jeni i prirur që të besoni më tepër?

Për mua janë dy, një arsyeja që dhanë ata mbrëmë, se në proceset restauruese është lënë ndonjë lëndë djegëse, por edhe atë çka thashë më lartë për ISIS. Por të shikojmë tani që të dalë edhe ekspertiza.

Sa mendoni se do të zgjatë ky restaurim?

Për 10 vjet ajo do të mbyllet, por mund të shkojë edhe 15 apo 20 vite. Është një katastrofë botërore.

Dhe së fundmi, ajo që ne pamë mbrëmjen e 15 prillit a mundoni se na bën edhe neve, si shqiptarë më të ndjeshëm nga ruajtjes së trashëgimisë kulturore?

Ne jemi shumë larg kësaj, nuk eksiton ky fakt, përderisa në deri në vitin 1996 në Voskopojë u shkatërruan afresket e Kishës, 20 portrete. Apo edhe më vonë në kishën e Shelsit në Elbasan bën copa-copa “Onufrin”. Për çfarë ndjeshmërie flet?! Për ndjeshmëri egërsirash? A mundet që të copëtosh “Onufrin” me kazmë? Megjithatë, edhe unë edhe ti jemi dy njerëz që na dhimbset edhe marrim pjesë në dhimbjen e popullit të Francës, sepse çuditërisht një katedrale vlen sa një komb.  

 

Katedralja “Notre Dame” në Paris.

E lartë afro 70 metra dhe e gjatë 128, katedralja ka filluar të ndërtohet në vitin 1160 dhe u përfundua një shekull më vonë. Edhe pse ka pasur edhe disa ndryshime të mëtejshme, të paktën deri në gjysmën e shekullit të XIV-të. E përpos kësaj, Velo mendon se kjo katedrale brenda 10 apo 20 viteve do të restaurohet sërisht, edhe pse gjatë kësaj kohe do të qëndrojë e mbyllur. Është hapësira kryesore e kultit katolik të qytetit, katedrale e kryepeshkopatës së Parisit, dhe kryepeshkopit të saj, sot Michel Aupetit, është primati i Francës. Në historinë e saj ajo ka jetuar momente të errëta edhe pse zjarri i fundit, mund të konsiderohet si më i rëndi. Gjatë viteve të Revolucionit francez katedralja ra pre e vandalizmave dhe e shkatërrimit të imazheve të shenjta, në linjë me antiklerizmin e lëvizjes. Janë regjistruar dëme më të vogla përgjatë çlirimit të Parisit, në fund të Luftës së Dytë Botërore, duke iu nënshtruar më tej një pune të gjatë restaurimi. I fundit ishte duke u kryer përgjatë shpërthimit të zjarrit në këtë 15 prill dhe kostoja e tij shkon afro 6 milionë euro. Gjatë vitit 2017 është vizituar nga 12 milionë turistë: katër herë më shumë se Louvre dhe pothuajse dyfishi i Kullës Eiffel.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë