Intervista e Presidentit Meta dhënë 
për emisionin “5 pyetje nga Babaramo”

Z.Meta, do të doja ta nisja bisedën nga seanca më e fundit parlamentare, ajo që mbylli sesionin paralamentar ishte nga më kaotiket e 27 viteve pluralizëm. Në një seancë ku u votua për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme. Këtë votim opozita e konsideroi një grusht shteti, një uzurpim që i bën Kryeministri Rama drejtësisë. Ndërkohë që Rama dhe të vetët nga ana e tyre u përgjigjën se kundër këtij votimi janë ata që kanë frikë nga reforma në drejtësi. Për ju si Kryetar Shteti çfarë ishte ky votim?
Nuk do të doja të ktheheshim një vit mbrapa. Ndërsa përsa i takon ngjarjes që ju i referoheni, është një ngjarje që mund të na kthejë shumë vite të tjera më mbrapa, në kuptimin stisjes së situatave tërësisht të panevojshme konfliktuale. Kur ekziston tërësisht mundësia dhe vullneti, nëse ky është i dyanshëm, për të bërë zgjidhje tepër parimore, kushtetuese, transparente dhe me standarde të cilat prodhojnë institucione të qëndrueshme, të besueshme dhe të pakontestueshme nga askush. Unë nuk do të kthehesha këtu, po do të shikoja pak përpara se është e lehtë të kthehemi mbrapa. Do të theksoja rëndësinë që të gjithë të fokusohemi drejt qershorit të këtij viti dhe drejt përmbushjes nga çdo aktor politik, institucional në vend nga shumica dhe nga opozita për të mos ja humbur edhe një shans tjetër Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE-në. Në këtë drejtim, mendoj se është e rëndësishme të reflektojmë nga ato që kanë ndodhur në Shqipëri sistematikisht gjatë 27 viteve kur konfliktet e fryma përjashtuese ika humbur vendit shanse të tjera më para. Aq më tepër që Evropa nuk na e ka shumë ngenë se ka halle të tjera të paparashikueshme. Në këtë drejtim ne duhet dyfishojmë-trefishojmë forcat tona, të heqim dorë nga bastet personale dhe nga frymë konfliktuale, aq më tepër nga këndvështrim më të lartë, objektiva më të lartë, se çdo të ndodhë me zgjedhjet vendore që për fat të mirë janë pas një vit e gjysmë, apo se çdo të ndodhë me zgjedhjet pas tre vite e gjysmë të tjera, pasi në këta 6 muaj mendoj që vendi i ka të gjitha shanset ende për çeljen e negociatave. Nëse do të humbet edhe kjo mundësi, atëherë do të jetë një kosto e madhe për perspektivën evropiane të vendit, por njëkohësisht dhe për të inkurajuar të rinjtë, krijuesit për të qëndruar në Shqipëri dhe për t’u përkushtuar realizimit të Evropës këtu, dhe jo ta kërkojnë Evropën të gjithë atje. 

Ky votim i njëanshëm, ky vendim i njëanshëm i shumicës qeverisëse, a e vë në dyshim dhe a e rrezikon reformën në drejtësi? 
Unë do të ndalesha thjesht tek ky votim, por dua të bëj një vlerësim në tërësi me atë që ka ndodhur me reformën në drejtësi. Në mendimin tim duket sikur jemi kthyer përpara 21-22 korrikut të vitit 2016, ku për fat të keq shpeshherë, diku me mungesë transparencë, diku me dredhi, diku me forma nga më të ndryshmet, gjithmonë kishim një përpjekje jo për të bërë një reformë me konsensus dhe sipas rekomandimeve të Venecias, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Por, thjesht për të bërë një reformë apo për të dështuar një reformë dhe për të faturuar fajin diku tjetër. Gjithmonë është thënë që, Shqipëria ligjet i bën të mira, por çalon tek zbatimi. Kështu që, unë të thoja që këtë radhë nuk do të bëjmë një gabim fatal. Ne Kushtetutën në tërësi e kemi një Kushtetutë relativisht shumë të mirë për çështjen e reformës në drejtësi. Pavarësisht nga disa detajimi që unë bënë atëherë duke mos parashikuar ndoshta disa zhvillime në zbatimin e saj, të cilat më pas kanë krijuar disa interpretime të ndryshme lidhur me ndërtimin e institucioneve të reja. Nuk është çështja thjesht për Prokurorinë apo KLP-në, por mendoj edhe për institucionet e tjera KED, e cila gjithashtu është në një ngërç dhe nuk po funksionon. Për Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë për vet procesin e zbatimit të Vetingut është e nevojshme të ketë një dialog të strukturuar sepse çdo zbatim i mëtejshëm i reformës në kushtet kur palët reagojnë nga njëra-tjetra dhe kërcënojnë njëra-tjetrën, nuk ndihmon për qëllimet madhore të kësaj reforme për të garantuar institucione të reja të një drejtësie të re, të cilat janë të standardeve më larta, të ndërtuara me transparencë dhe njëkohësisht janë të besueshme dhe të pakontestueshme. E e kemi të vështirë që të bëjmë një politikë mjaft racionale dhe mjaft konstruktive në vazhdimësi për arsye sepse edhe për shkak të trashëgimisë totalitare nga e kaluara dhe pasoja që ajo ka lënë tek të gjithë ne, tek shoqëria jonë që ndihet dhe sot fryma e përjashtimit, dëshira për të shtypur tjetrin dhe jo për të respektuar të drejtat e tij, sepse është mënyrë për të respektuar të drejtat e tua nesër. Shumë pasoja të cilat kanë të bëjnë me temperamentin tonë mesdhetar, pak si ballkanas, dëshira për të pushtuar kundërshtarin, jo për ta mundur dhe për ta respektuar. Të gjitha këto na bëjnë një shije që të kemi një politikë shumë racional. Por, të gjithë kemi për detyrë që përsa i takon në mënyrë të veçantë çështjes që kanë që bëjnë integrimin evropian të vendit dhe të zbatimit të reformës në drejtësi që ka të bëjë me institucione afatgjata, të cilat duhet të sjellin një besim të ri të publikut, sipërmarrësve vendas, investitorëve të huaj, të gjithëve tek shteti ligjor, këtu është një domosdoshmëri, mendoj unë, dhe është jo vetëm çështje e vullnetit politik. 

Ju folët për një rol të jashtëzakonshëm që ka luajtur Komisioni i Venecias dhe ju në kohën kur ishit Kryetar i Kuvendit kur është aprovuar dhe reforma në drejtësi, ose të paktën kolonat kushtetuese të saj, mund të bëni dallimin mes projektit që paraqiti qeveria në fillim dhe ndërhyrjeve që bëri Komisioni i Venecias. Çfarë vërehet?
Nuk kam dëshirë të hyj në komente të tjera sepse nuk dua të marr atribute që nuk më takojnë. Mendoj që reforma deri në 21-22 korrik ishte një reformë gjithëpërfshirëse pavarësisht që unë nuk kam qenë dakot me klimën se si ajo zhvillohej, një mungesë transparencë në tërësi të gjithë aktorëve. Po të ishte vendosur transparencë që në fillim, reforma do të ishte miratuar me kohë dhe zbatimi i saj do të kishte filluar me kohë. Kur flitej për reformë flitej për emra që ishin, emra që janë, ato emra që duhet të ishin. Dhe kjo ka sjellë gjithë këtë situatë jo të shëndetshme dhe këtë krizë besimi. Pastaj për të mos dëgjuar se çfarë thonë palët, çfarë kanë thënë përpara dhe tani thonë politikanët të cilët dënojnë kolegët e tyre publikisht, që është tërësisht jashtë çdo koncepti i një shteti demokratik dhe të së drejtës. Pavarësisht nga çdo shqetësim, pavarësisht nga çdo debat, të gjithë u përfshinë, të gjithë u angazhuan dhe Komisioni i Venecias luajti rol vendimtar sepse ka qenë dhe mbetet institucioni më i besueshëm. Të gjithë palët në Shqipëri gjithmonë kur kanë patur një kontestim, pavarësisht kush kanë qenë në qeveri apo opozitë, kudo ku kanë qenë i janë drejtuar këtij Komisioni. Dha një kontribut vendimtar për të vendosur shinat e konsensusit. Tani është e rëndësishme të ecet në këtë linjë. Mendoj që çdo vonesë në dialog, për një dialog të strukturuar mirë, për këto çështje është jo ndihmues, por është gërryes për besimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, çka është kritike për gjithë reformën. Na është thënë që ligjet i bëni të mira, por tek zbatimi keni probleme. Tani është koha të ketë një zbatim të përgjithshëm, parimor, transparent, me standard, larg retorikave konfliktuale.

Reforma në drejtësi le të themi ka pasur dy tutorë… 
Nuk na duhen fajtorë nëse kjo gjë nuk bëhet mirë, nëse kjo gjë dështon, duhet që kjo gjë të funksionojë. 

Të gjendet zgjidhje...
Zgjidhja është. Kushtetuta, dialogu, transparenca. Nëse do të fillojnë komunikimet përmes televizioneve, takimi apo mitingjeve, gjëra që janë normale në politikë, por për çështjen e reformës atëherë thjesht do të kemi një përpjekje për të faturuar përgjegjësinë njërit apo tjetrit qoftë për zbatimin e reformës, qoftë për rrezikun e moshapjes së negociatave në të ardhmen. Në fund fare askush nuk do të dalë i fituar dhe ajo që do të humbasë më shumë është Shqipëria, do të jenë qytetarët e saj. 

Zoti President, po thoja që reforma në drejtësi ka pasur dy tutorë: ambasadorët Lu dhe Vlahutin, të cilët kanë bërë që në momentin e parë, që kur u paraqit drafti nga qeveria, kanë bërë një presion që ajo të aprovohet ashtu siç erdhi. Si ndryshuan qëndrim, çfarë ndodhi që ata ndryshuan qëndrimi pas sugjerimeve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Mendoj se Komisioni I Venecias është një institucion që i referohet gjithë bota demokratike për të bërë reforma kushtetuese të standardeve evropiane dhe euro-atlantike. Të gjithë kanë qenë dakord me rekomandimet e Komisionit të Venecias. 

Opozita sot në një takim që pati paralajmëroi protesta masive dhe një raport të kushtëzuar me parlamentin. Një klimë e tillë e kreshpëruar, e ashpërsuar në parlament, a do të ndikojë në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian?
Është e drejta e çdo force politike për të organizuar manifestime, por mendoj se manifestimet nuk janë zgjidhje. Ato janë një përpjekje për sensibilizim, për të shprehur një pakënaqësi, një alternativë apo për të tërhequr vëmendjen apo për të siguruar mbështetje. Për mua është më e rëndësishme një platformë për të kontribuuar në çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe mendoj se të dyja palët duhet të kenë platforma dhe të gjejnë pikëtakimet për një platformë të përbashkët.

Berisha është shprehur me tone akoma edhe më të ashpra se sa drejtuesit e tjerë të opozitës: Ka kërkuar djegien e mandateve të të gjithë deputetëve të opozitës. Çfarë efektesh mund të ketë kjo?
Unë kam qenë dhe jam partizan i pjesëmarrjes në çdo rast në demokraci, pavarësisht nga standardet e funksionimit të demokracisë apo qoftë edhe të vetë parlamentit. Edhe demokracitë më të zhvilluara kanë ulje-ngritjet e tyre, kështu që ju nuk mërziteni po të them që nuk jam dakord me Doktorin.

Jo, jo! Dhe shpesh nuk keni qenë dakord me Doktorin, jo gjithmonë...
...po megjithatë këto janë vendime që i takojnë opozitës, përfshirë edhe Doktorin.

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë që ishte këtë fundjavë, zoti Rama u shpreh se e prishi koalicionin me LSI-në kur ju ishit kryetari i saj, sepse ju ishit kundër reformës në drejtësi. Përse e kundërshtonit reformën në drejtësi?
Së pari koalicioni është prishur apo nuk është rikonfirmuar jo në kohën kur kam qenë unë kryetar i LSI-së, por në kohën kur ka qenë zoti Vasili kryetar, sepse unë dhashë dorëheqjen pasi u zgjodha president.

Jo, ai aludonte që në fillim, para dy vitesh...
...dhashë dorëheqjen pasi u zgjodha president, madje me vetë përkrahjen e zotit Rama. Së dyti nuk më takon mua të flas për raportet PS-LSI, aq më tepër për këtë periudhë, por për periudhën e mëparshme meqë po flasim për reformën në drejtësi, mendoj se nuk kam pasur asnjë problem përsa i takon reformës. Vetëm një problem ka qenë: unë gjithmonë kam insistuar me një këmbëngulje heroike, të paparë, që reforma duhej bërë sipas standardeve dhe me konsensus. Dhe konsensusin mund ta gjeni vetëm te Venecia, te askush tjetër. Dhe për fat të mirë kjo gjë ndodhi dhe ndryshimet kushtetuese u bënë kështu. Dhe pse kam insistuar kaq shumë? Sepse për shkak të përvojës sime 25-vjeçare në parlament dhe në jetën politike duke e nisur që nga Lëvizja Studentore “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” në 1990, unë e kam ditur, e di, dhe nuk kam nevojë ta dëgjoj nga asnjë ambasador, nga asnjë shtet evropian, perëndimor, dhe e kam ditur shumë mirë se po të mos bëhej reforma kështu, nuk do të kishte pasur kurrë një rekomandim pozitiv të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Le të ishte bërë jo me 94, pa konsensusin e opozitës! Le të ishte bërë me 104, me 120, por pa opozitën politike, kurrë nuk do të kishte pasur një reformë të tillë! Unë këtë gjë e kam ditur shumë mirë dhe e di shumë mirë që nëse palët do të vazhdojnë në këtë rrugë, të largohen nga njëra-tjetra dhe ta vënë njëri-tjetrin para faktit të kryer dhe t’i hedhin benzinë këtij zjarri, Shqipëria do të ketë një shans të humbur. Prandaj apeloj dhe insistoj që të paktën për këtë çështje dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përparësitë kyçe të integrimit evropian, të ketë përgjegjshmëri, palët të dalin nga vetja. Edhe po s’u pëlqeu prapë për një interes më të madh, sepse mendoj që edhe gjykimi në të ardhmen do të jetë mjaft ndëshkues për secilin që nuk do të dijë të ndihmojë vendin, sepse ne kemi humbur shumë mundësi: që nga 1996 e në vijimësi. DO të ishim në një stad tjetër përsa i takon integrimit evropian. Megjithatë le të na kthehen të gjitha ato mundësi të humbur në mësim në mënyrë që ne të mos dështojmë, sepse do të ishte një dekurajim i madh për të rinjtë tanë, për forcat krijuese, për fëmijët tanë dhe për të gjithë popullin.

Thatë se keni bërë përpjekje heroike për të arritur një kompromis për kalimin, aprovimin e reformës...
Heroike deri aty sa ju e dini shumë mirë për atë që keni parë, sa kam thënë që duhet të bëjmë çdo gjë me konsensus. Unë votat e mia do t’i jap, por nuk rri aty si kryetar parlamenti pa një parlament që bën Kushtetutën në mënyrë të njëanshme.

Me çfarë skenaresh përballeshit?
Kjo është histori e mbyllur. Shqipëria e kishte konsensusin, dhe ende e ka, sepse e ka në Kushtetutë, duhet ta zbatojë dhe kaq!

Tani a ekziston rreziku që të devijohet nga ky konsensus, sepse janë shumë akte nënligjore, siç thuhet “Djalli në detaje fle”?
Të gjithë janë në provë për të treguar vullnetin dhe vizionin e tyre për zbatimin me integritet dhe përgjegjshmëri të reformës.

Sërish te aludimi që bëri Rama këtë fundjavë. Aludoi se ju keni qenë kundër. Nga drejtësia e pavarur, nga reforma në drejtësi...
Kush ju? Ju në njëjës apo ju në shumës?

Ju edhe në njëjës, edhe në shumës. A keni vërtet frikë nga një drejtësi e pavarur?
Më vjen keq të jap një përgjigje për një lojë mediatike, sepse nuk mund të them për ndonjë lojë tjetër. Thonë që përsëritja është nëna e dijes, por në raste të tilla është nëna e gënjeshtrës dhe e mashtrimit. Që do të thotë për pyetjen konkrete: besoj zoti Rama e di shumë këtë gjë. Besoj se nuk e ka pasur për mua. E dinë edhe të tjerë: Nuk ka fuqi jashtëtokësore që të më trembë mua as me drejtësi dhe as me padrejtësi. Si politikan i vetmi shqetësim që kam unë është drejtësia e popullit shqiptar. Nuk jam as prokuror, nuk jam as gjykatës. Kam respekt për ta dhe dëshiroj që ata të ndihen gjithnjë të pavarur dhe të mbështetur në punën e tyre. Unë jam një politikan që është ballafaquar me drejtësinë, të cilit i janë shkelur të drejtat, i cili ka kërkuar vetë të hetohet dhe jam këtu ku jam dhe do të vazhdoj të jem në politikë për një kohë të gjatë, pavarësisht se dëshiroj dhe do të dëshiroj që të promovoj më të rinjtë në politikë sikurse kam bërë edhe në të kaluarën. Kështu që këto janë lojëra, politike, mediatike. Shpesh shohim deklarata të neveritshme nga të gjitha palët: kanë frikë këta! Ka frikë ky! Ka frikë ai! Hajdeni t’i shërbejmë zbatimit korrekt, transparent, me standarde të ndryshimeve kushtetuese që janë miratuar me konsensus për ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë, në mënyrë që të gjithë prokurorët, të gjithë gjykatësit, inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLP-ja e të tjerë të mos ndihen të detyruar ndaj njërës parti apo ndaj dy partive apo ndaj tre partive për pozicionin që marrin! Sepse më pas janë... kësaj mbështetjeje politike apo partiake, por t’ia dinë për nder aftësive, integritetit të tyre dhe t’i shërbejnë profesionalizmit në të ardhmen, në mënyrë që ky të jetë një sistem i respektuar dhe i pranuar nga të gjithë.

Përtej aspektit personal, do të doja t’ju pyesja, sepse në Shqipëri jetojmë, e kemi ndjekur prej 25 vitesh politikën shqiptare, ka pasur edhe gjyqe politike, ka pasur edhe instrumentalizim të prokurorisë...
Nëse merresh me politikë, dhe merresh me të në Shqipëri dhe ke frikë nga gjyqet politike, është më mirë të mos merresh! Unë mendoj se ne duhet t’i largohemi kësaj përvoje, sepse e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur që nga burgosja politike e Fatos Nanos, edhe raste të tjera. Kemi parë gjithashtu se nuk dua të përmend raste konkrete, presione mediatike e politike. Janë bërë veprime të nxituara thjesht për shkak të këtij presioni e që më pas kanë rezultuar në një zhgënjim të rezultateve. Unë mendoj se detyra e politikanëve është që të zbatojnë me korrektësi ndryshimet kushtetuese për formimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Pastaj për çështje të tjera, le të bëjnë debat gjithë ditën: për buxhetin, për shëndetësinë, për bujqësinë, për gjithçka që ata munden, por kemi nevojë për institucione afatgjata të përbashkëta. Jo të politikës, por të shoqërisë, të qytetarëve. Kemi nevojë të forcojmë sigurinë juridike të qytetarëve, të investitorëve, të sipërmarrësve dhe kemi për detyrë të mos vëmë në pikëpyetje sigurinë dhe garancinë kushtetuese të këtij sistemi.

Thatë që do të jeni gjatë në politikë. Pas përfundimit të...
Thashë që do të jem gjatë në politikë, dhe në Shqipëri se këtu kemi jetuar. Unë jam nga ata që kam thënë se këtu do të jetoj deri në fund.

Por duke qenë gjatë në politikë, a do të ktheheni sërish në parlament pas përfundimit të mandatit presidencial?
S’jam i sigurt për këto zhvillime, por...

S’jeni i sigurt, sepse mund ta ndërprisni mandatin e Presidentit...?
Presidenti Meta: Kur them... Jo, nuk më shkon mendja për këtë gjë, përkundrazi. Nuk më shkon mendja se ky është një institucion tërësisht legjitim, dhe është detyra ime të mbroj legjitimitetin dhe integritetin e këtij institucioni në interes të vendit, jo në interesin tim personal. Kurrsesi! Së dyti, kur them se do të merrem gjatë me politikë kam parasysh që unë jam një qenie politike. Edhe tani unë po bëj politikën e presidentit. Nuk po bëj politikën e asnjë force politike, përkundrazi. Dhe kur njeriu është politik, edhe kur bën shëtitje, mendon politikisht.

Qartë. Ai është profesion. Rreth një muaj më parë Ambasadori Lu u shpreh se në muajin janar në rrjetën e drejtësisë do të bien peshqit e mëdhenj. Ju keni dijeni?
Nuk kam asnjë dijeni dhe asnjë arsye të komentoj. Aq më tepër që nuk jam shenja e “Ujorit”. Është një e drejtë e tij. Të gjithë presin.

Me ju si politikan, si politikan me përvojë mund të bashkëpunojë, por e ka të pamundur ta gjejë gjuhën e përbashkët me zonjën Kryemadhi.

Shpresoj që ta gjejë me zotin Basha. Por kjo është një e drejtë e tij, e zotit Basha, e zonjës Kryemadhi, e të gjithë përfaqësuesve politikë dhe partiakë. Përsa më takon mua unë do të jem gjithmonë bashkëpunues me Kryeministrin Rama dhe kryetarin e Partisë Socialiste si parti e shumicës dhe me gjithë faktorët e tjerë.

Në fakt ju gjatë këtyre gjashtë muajve keni mbajtur një qëndrim publik mbi palët, por çfarë raportesh keni me partinë që ju keni krijuar dhe drejtuar? Me krijesën tuaj, LSI-në?
Besoj se raporti im është mjaft publik dhe tepër i qartë, kështu që nuk kam se çfarë të komentoj. Qëllimi im nuk është thjesht të jem mbi palët. Qëllimi im është të përmbush detyrimet e mia kushtetuese si President i Republikës dhe t’i shërbej frymës së bashkëpunimit në vend, forcimit të stabilitetit të vendit, të institucioneve, të sigurisë kombëtare, bashkëpunimit ndërinstitucional. Mbështetjes së institucioneve të pavarura. Për këtë ka shumë nevojë vendi: për institucione të pavarura. Raportet në parlament ndryshojnë çdo katër vite. Demokracia ka disa shtylla të tjera, të cilat ka qenë gjithmonë stabiliteti dhe siguria e vendit dhe të qytetarëve. Nuk kam ndërmend të jem një president steril në kuptimin që të them vetëm gjëra që t’u pëlqejnë të gjithëve, ose të mos flas fare. Për të gjitha ato çështje, të cilat që mendoj se janë në interes të vendit, unë do të mbaj qëndrimet e mia, pa hyrë në polemika me askënd...

Në fakt kompetencat i keni pothuajse honorifike. Si mund të veproni?
Unë mendoj se kjo nuk është çështje kompetencash. Kjo është çështje përgjegjësie dhe do të ushtroj përgjegjësitë e mia maksimalisht dhe në mënyrë tepër transparente dhe i pandikuar asnjëherë nga asnjë interes partiak apo nga raporte të dikurshme personale politike.

Përtej shqetësimit që ka zoti Rama me zonjën Kryemadhi, kjo e fundit nuk jua ka kursyer as ju. Disa herë edhe në këtë studioi, ju ka sulmuar edhe publikisht se ju jeni treguar tepër tolerant me Ramën, me Rilindjen? Hera e parë që i dëgjuat në publik apo jua kishte shprehur edhe më parë?
Nuk dua të hyj e të bëj këto momente. Mendoj që për të fajësuar të tjerët është gjëja më e lehtë, por sfida më e madhe është për të forcuar një alternativë më të besueshme.

Në sulme indirekte apo insinuata të tërthorta edhe sulme direkte, kjo shumicë qeverisëse në parlament ju ka akuzuar ju, tani së fundmi, pasi është prishur koalicioni, se kur ishit kryetar i Parlamentit e drejtonit atë jo në mënyrën e duhur, dhe se ajo mënyrë drejtimi krijonte kaos. Tani që keni një distancë kohore, edhe distancën e mjaftueshme edhe institucionale, mendoni se keni gabuar në momente të caktuara gjatë drejtimit të Parlamentit?
Nuk mendoj se kam realizuar një drejtim perfekt, aq më tepër që të drejtosh parlamentin nuk është aq e lehtë, sepse je i pari midis të parëve. Sepse je i barabartë me të gjithë deputetët e tjerë, por unë kam bërë gjithçka për të parandaluar përshkallëzimin e disa konflikteve të panevojshme. Jam akuzuar herë pas here edhe pse i kam dhënë fjalën pak më shumë opozitës, por nuk mendoj se kam bërë ndonjë gabim të madh, sepse jo vetëm opozita, por edhe pala tjetër shpesh herë e ka kaluar cakun. Dhe mbi të gjitha do të thoja që jam përpjekur t’i inkurajoj gjithmonë frymën e bashkëpunimit.

Si e gjykoni mënyrën se si e drejton zoti Ruçi tani? Mënyrë pak më “manus militari”?
Nuk e kam ndjekur me shumë vëmendje parlamentin. Nuk do të doja tani të bëja vlerësime se si e drejton zoti Ruçi. Mendoj se ai i ka të gjitha mundësitë e eksperiencës ta drejtojë më mirë se unë.

Sot u shkarkua nga detyra Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Haki Çako. Ky shkarkim sipas jush është i vonuar dhe sa do të ndikojë në luftën kundër kanabisit që ishte fenomeni më shqetësues gjatë viti të kaluar?
U pa shumë e rëndësishme që në krye të Policisë së Shtetit të zgjidhet një figurë dhe një personalitet me një integritet sa më të lartë sepse mendoj që struktura e Policisë së Shtetit duhet të funksionojë në mënyrë sa më të pavarur nga politika. Ajo që mbetet për të parë në të ardhmen është pikërisht forcimi i bashkëpunimit midis të gjitha institucioneve në vend për një luftë më të suksesshme ndaj krimit të organizuar në përgjithësi si problem kryesor. Padyshim edhe në luftën ndaj kanabisit dhe drogërave të forta në veçanti.

Emri i Çakos asociohej gjithnjë me atë të ish-Ministrit të Brendshëm. A keni dijeni në kohën kur nuk e përfshiu Rama në qeveri, a ishte ky shkaku i kanabizimit të vendit apo janë hesape të pambyllura mes palëve brenda PS-së?
As nuk e di dhe as nuk kam ndonjë interes që të shprehem për këtë çështje. Kjo nuk ka lidhje me pozitën time si President.

Ju si President, a keni informacion se në çfarë pike janë hetimet si për ish-Ministrin e Brendshëm, ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për atë pajisjen “IMSI Catcher” përmes të cilës u përfol se ishin përgjuar të gjithë politikanët më të lartë të vendit dhe ju si numri 2 i shtetit në atë periudhë? 
Presidenti nuk heton dhe nëse ka një informacion për çështjet që janë në hetim, nuk mund ta ndajë publikisht. 

Në fakt ai shqetësimi që u krijua asokohe për të gjithë personalitetet publike, që ishin në përgjim të paligjshëm, është tejkaluar apo ka ende vend për shqetësim?
Mendoj që çdo institucion duhet të bëjë punën e tij dhe është e rëndësishme të përgjojnë vetëm institucionet e ngarkuara me ligj dhe në mënyrë ligjore. Shndërrimi në një mani i përgjimeve, të gjithë përgjojnë, të gjithë shantazojnë, është një turp i madh dhe është një përgjegjësi e politikës. 

Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura a keni kërkuar raport nga Ministrja e Mbrojtjes lidhur me radarët e ushtrisë, që sipas përgjimeve ishin në funksion të trafikantëve të drogës dhe fikeshin e ndizeshin sipas orareve të lundrimit të tyre. Është tejkaluar kjo situatë?
Ka çështje të cilat po hetohen, ka çështje të cilat janë në ndjekje, por sigurisht që ky është një shqetësim besoj edhe i vetë Ministrisë së Mbrojtjes dhe i partnerëve tanë, të cilat janë shumë të interesuar për forcimin e kontrollit të kufijve të Shqipërisë si një vend i NATO-s. 

Ambasadori i ri i Shqipërisë në NATO a ju ka dhënë shpjegim përse refuzoi të qëndronte në detyrën e shefit të SHISH-it? Çfarë ishte për ju ajo lëvizje?
Mendoj se kjo çështje është tejkaluar. Ajo ka qenë një zgjedhje e tij dhe askush nuk është i përjetshëm në një funksion. Unë mendoj që e ka kryer me përgjegjësi në tërësi detyrën e tij gjatë 5 viteve dhe për këtë gjë është vlerësuar. 

Kryeministri është shprehur në një intervistë të fundit se nuk është fare i shqetësuar përse Presidenti i Republikës po vonon dekretin për emërimin e drejtorit të ri të SHISH. Ju a do ta dekretoni? Sepse Rama tha që nuk ka asnjë lloj problemi dhe se është thjesht një formalitet
Ka shumë të drejtë Kryeministri që nuk shqetësohet, unë nuk e kuptoj pse ju jeni të shqetësuar. Institucioni funksionon kështu që nuk ka ndonjë problem.

Gati të gjithë janë të komanduar, si Kryeprokurorja, shefi i SHISH-it, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë...
Mos u shqetësoni. 

Flasim për Kosovën, për shqetësimin që ka krijuar te vendet perëndimore, që kanë paralajmëruar një shumë të vështirë për Kosovën pas përpjekjes së kryetarëve të partive që kanë dalë nga krahu i luftës për të abroguar krijimin e Gjykatës Speciale. Ju si e shikoni këtë situatë? Realisht a ka gjë për t’u shqetësuar aty në aspekt të integrimit dhe shtetformimit të Kosovës?
Të gjithë jemi në ndjekje të një debati që është zhvilluar atje, pra është një çështje që është bërë publike. Nuk besoj se drejtuesit e Kosovës do të ndërmarrin vendime të cilat mund të minojnë besimin se në Kosovë mungon angazhimi për sundimin e ligjit në lidhje me gjithçka ka ndodhur deri tani në akord të plotë me partnerët ndërkombëtarë kryesore të Kosovës, me SHBA-të dhe BE-në. 

Në fakt në deklaratat e tyre, si Thaçi, si Haradinaj dhe Veseli janë në një zë kur thonë se në emër të drejtësisë, Kosovës po i bëhet një padrejtësi historike. Mendoni se kanë të drejtë?
Nuk mund të them se kanë apo nuk kanë të drejtë, por në politikë për disa qëllime më të madhe do të duhet ndonjëherë të bësh edhe sakrifica jo të drejta.

Gjatë vitit të kaluar pati në garë në opinionin publik mes Kryeministrit tonë dhe Presidentit të Kosovës, Thaçi se kush do të ishte interlokutori kryesor i shqiptarëve me Beogradin. Si e shikoni këtë garë mes Thaçit dhe Ramës për të nxjerrë nga izolimi Vuçiçin, ndërkohë që ju në vend që të shkonit në Beograd shkuat në Medvegjë. Përse?
Unë nuk shoh ndonjë garë të tillë ose nuk e perceptoj si të tillë, pasi besoj që në emër të Kosovës përgjegjësinë për dialogun me Beogradin e kanë udhëheqësit e Kosovës. Shqipëria gjithmonë ka dhënë dhe do të japë mbështetjen e saj të pakursyer, por gjithmonë në sintoni të plotë me udhëheqësit e Kosovës. Nuk ka vend as për lehtësim të rolit të tyre, as për paternalizëm.

A është momenti që Shqipëria dhe shqiptarë si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë të shikojnë krijimin e alternativave të reja, të aleancave të reja. Mund të ishte Zagrebi mund të ishte Podgorica, sepse duket sikur Beogradi po kthehet si në kohën e Titos, kur ishte qendra më e rëndësishme rajonale, një pikë referenca çka i disfavorizon shqiptarët. A duhet të krijohen boshte të reja, lë të themi Tiranë-Podgoricë-Zagreb?
Nuk do të flisja për boshte, sepse boshtet zakonisht krijohen në prag të përplasjeve dhe ne nuk jemi në një situatë përplasjeje, por me një situatë bashkëpunimi me të gjithë në rajon përfshirë edhe Serbinë. Mund të kemi mospajtime për çështje të ndryshme, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës, por padyshim që Shqipëria është dhe do të jetë gjithnjë aktive për të forcuar raportet e bashkëpunimit me të gjithë fqinjët e saj, me të gjithë vendet e rajonit dhe unë besoj se po e bën këtë gjë.

Ministri i Diasporës, Majko, javën e kaluar tha se qeveritë nuk po i lë biznesi për të hapur plotësisht kufijtë mes Kosovës dhe dy vendeve. Është një deklaratë e gabuar e ministrit apo oligarkët në të dyja anët e Drinit janë kaq të fuqishëm sa t’u imponohen edhe qeverive?
Ajo që dua të them është se të gjithë presim që pas takimit të Korçës më 27 nëntor midis dy qeverive, të ketë një rezultat shumë më konkret në bashkëpunimin e përgjithshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës edhe në drejtim të hapjes së tregjeve, në drejtim të unifikimit të shumë standardeve të shumë politikave konkrete, të cilat nuk i shërbejnë as oligarkëve, as biznesmenëve por u shërbejnë vetëm qytetarëve dhe rritjes së prodhimit në Shqipëri në Kosovë, rritjes së bilancit tregtar midis dy vendeve tona dhe njëkohësisht uljes së çmimeve, përmirësimit të shërbimeve, hapjes së vendeve të punës edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. 

A ka vend për t’u përmirësuar sepse po shikojmë vetëm një bashkëpunim folklorik, bashkëpunimi ka mbetur vetëm të Abetarja, vetëm deklarata dhe asgjë më shumë. Çfarë do të ndryshojë?
Kjo mbledhje është bërë vetëm më pak se dy muaj më parë dhe nuk besoj se në dy muaj mund të preken rezultate të ndjeshme, por unë besoj që në periudhë disamujore mund të bëhet një bilanc më konkret.

Në fundjavë ju ishit në Pustec dhe aty u shprehët për një bashkëpunim trepalësh Shqipëri-Maqedoni-Greqi. Çfarë nënkuptoni sepse kjo deklaratë e juaja vjen në një kontekst të tillë kur konflikti mes Maqedonisë dhe Greqisë po zbutet dhe po gjendet zgjidhja? Si e konceptoni ju këtë bashkëpunim mes këtyre tre vendeve?
Nuk ka vend më ideal se sa Pusteci për të folur për një bashkëpunim, jo vetëm Shqipëri-Maqedoni, por për një bashkëpunim edhe më të plotë Shqipëri-Greqi-Maqedoni, pasi Prespa është e përbashkët e tre vendeve. 
Dhe kur flas për Prespën nuk kam parasysh vetëm liqenin, por të gjithë rajonin, njësitë vendore atje. Dhe nuk kam parasysh vetëm Pustecin, që është përfitues kryesor, por edhe Devollin dhe Korçën dhe mundësitë për të përfituar edhe nga programet e përbashkëta dhe në raport me BE-në janë shumë më të mëdha. 
Mendoj që viti 2018 besoj shumë do të jetë një vit historik për raportet midis tre vendeve dhe Shqipëri-Maqedoni, që është më e thjeshta, edhe Shqipëri-Greqi, që prapë është më e thjeshtë, por edhe Maqedoni-Greqi, që është pak më e vështirë, por është plotësisht e mundshme. 

Ju keni folur për dhënien e shtetësisë shqiptare, Hirësisë së Tij, Janullatos, por unë doja t’ju pyesja sa ka ndikuar intervista e tij, ku u shpreh se pasuesi i tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare do të jetë një shtetas shqiptarë?
Nuk ka pasur asnjë ndikim kjo intervistë për arsye sepse ky vendim në mendjen time ishte marrë prej disa muajsh dhe unë e kisha menduar prej kohësh që këtë shtetësi ta nënshkruaj në vigjilje të Krishtlindjeve për të mos bërë thjesht një veprim ligjor ose administrativ, por edhe si një akt publik vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin dhe për rolin e tij. Madje këtë gjë ia kisha deklaruar edhe Fortlumturisë së Tij, që besoj se deri në fund të vitit do t’i jepja një përgjigje pozitive një kërkese të hershme të tij të depozituar në Presidencë. 
Por ai si një njeri shumë i mençur që është dhe si një njeri i Perëndisë, pa e kërkuar askush, të paktën unë jo, dha një intervistë do të thoja mjaft kuptimplotë sikurse dhe ju e keni ndjekur, ku bëri të qartë edhe qëndrimin kryesor të jetës së tij, që ishte jo vetëm rindërtimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe për të patur si pasues një shqiptar.

Pas 10 ditësh pritet raundi i dytë i bisedimeve mes dy ministrave të Jashtëm, z. Bushati dhe z. Kotzias pas takimit të Kretës për të sheshuar të gjitha çështjet e hapura që ekzistojnë mes dy vendeve. A ju ka informuar Ministri i jashtëm se çfarë ka ndodhur në Kretë, cilat janë axhenda dhe pritshmëritë?
Kjo është çështja më pa interes. Ajo që është më e rëndësishmja, unë mbështes - jo me Greqinë, por me të gjithë vendet fqinje - një politikë të hapur të miqësisë, të bashkëpunimit, të tejkalimit të problemeve, duke bërë akte të mirëbesimit dhe jo duke krijuar frymë mosbesimi. 
Në këtë drejtim gjithmonë kam qenë i vendosur që duhet të jemi dhe nuk humbasim asnjë gjë dhe kur jemi asimetrik ndonjëherë me fqinjët. Rëndësi ka që të jemi në rrugën e drejtë, të jemi në një rrugë evropiane, të jemi në një rrugë që ofron mirëbesim për të tjerët, sepse edhe të tjerët në rast se gabojnë për momentin do të reflektojnë dhe do t’i kthehen edhe ata frymës së mirëbesimit dhe të bashkëpunimit. Kështu që çdo dialog që synon kapërcimin e të gjithë problemeve apo shumicës së tyre, që ekzistojnë mes dy vendeve gëzon mbështetjen time dhe natyrisht në kohën e duhur çdo gjë do të behët transparente edhe për opinionin publik. 

Dy vjet më parë kur tensionet ishin në kulm, ju në krye të një delegacioni parlamentar vizituat Athinën dhe u pritët nga drejtuesit më të lartë të shtetit grek. Media aludoi se ju kishit arritur të gjenit një zgjidhje me homologët grekë, por ajo hasi në vështirësi. Çfarë ndodhi dhe nëse ju kishit arritur diçka, a është e ngjashme me atë që po arrihet tani?
Presidenti Meta: Nuk dua të kthehem as pas as t’i shërbej teorive konspirative. Unë kam qenë për vizitë në Greqi në një moment pak të tensionuar, sepse ashtu qëlloi në atë kohë, dhe u përpoqa t’i hidhja sa më shumë ujë zjarrit, sepse për t’i hedhur benzinë zjarrit këtu në Ballkan është puna më e lehtë, por është punë për dembelë dhe për njerëz të papërgjegjshëm. Nuk është për njerëz të përgjegjshëm, të cilët kanë përgjegjësi edhe për vendet, por edhe për njerëzit. Sepse pasojat e acarimit mes vendeve i pësojnë qytetarët dhe ne e dimë shumë mirë dhe ata e dinë më mirë se ne, se ata e dallojnë menjëherë temperaturën e marrëdhënieve mes dy vendeve. 
Kështu që pa u kthyer më pas, mund të them që Kryeministri Tzipras ka një meritë tepër pozitive dhe unë padyshim duke pasur konsideratën tepër të lartë edhe për Presidentin Pavloupulous dhe për të gjithë të tjerët, unë besoj shumë në vullnetin dhe në energjinë e tij pozitive. Mendoj se këtë më mirë se kushdo e kanë provuar emigrantët tanë në Greqi, të cilët kanë parë një qasje tjetër nga kjo qeveri qëkur erdhi në pushtet dhe nga ky Kryeministër. Dhe kjo mendoj që shumë lehtë mund të reflektohet edhe në një energji tepër pozitive midis vendeve tona dhe shpresoj që kjo të ndodhë edhe midis Greqisë dhe Maqedonisë. 

Duke qëndruar te ajo metafora e zjarrit, mesa kuptova Tzipras nuk ju priti me shishe benzine gjatë bisedimeve, por me një kovë uji për të shuar zjarrin apo jo?
Unë mund të them se ai ka qenë takimi ynë i parë. Jo vetëm unë, por edhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit, mund të pyesni znj. Dade e cila është një eksperte e politikës së jashtme, të gjithë mbetën shumë të kënaqur nga një predispozicion maksimal pozitiv dhe unë shpresoj që të kemi mundësi t’i lëmë një herë e përgjithmonë disa çështje pas duke i zgjidhur.

 Por pa çeduar në interesat e shqiptarëve?
Sigurisht pa çeduar në interesat e asnjërës palë, zgjidhje nga të cilat fitojnë të dyja vendet dhe mbi të gjitha fitojnë të gjithë qytetarët tanë. 

i mund të shmanget ajo që ndodhi pak ditë më parë kur shteti shqiptar ishte me dy qëndrime diametralisht të kundërta, siç ishte rasti për votimin e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Jeruzalemin? Shumë vetë thanë që kjo që ndodhi nuk është serioze për një vend të konsoliduar që është anëtar i NATO-s. Që të ketë një kohezion mes drejtuesve të shtetit, çfarë duhet bërë?
Kjo mund të shmanget duke nxjerrë mësime nga ajo që ka ndodhur dhe duke realizuar një konsultim dhe një koordinim më të mirë në të ardhmen midis të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi në politikën e jashtme të shtetit.

Si mund të bëhet kjo: duke iu informuar ministri i jashtëm, duke iu informuar Kryeministri duke bërë konsulta?
Rrugët janë dhe rrugët gjenden. Kjo është çështje e vullnetit dhe e përgjegjshmërisë.

Qeveria e ka shpallur 2018-n, vitin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu. Ju do të merrni pjesë në këto evente, a do të jepni kontribut si kryetar i shtetit?
Patjetër, Skënderbeu është i të gjithëve. Ato që na bashkojnë më së shumti janë flamuri, është Skënderbeu, është Ismail Qemali, është 28 nëntori. 

l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Afera 'Partizani’/ GJKKO shtyn seancën paraprake për ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin dhe 3 të tjerët