Intervista/ Ylli i muzikës italiane në Opera, Stefano Bollani: Ju rrëfej fillimet në jazz, punën me gjigandët e skenës dhe emisionin në Rai 3 me bashkëshorten

Që në hyrje të Teatrit të Opera-s kalendari artistik njofton se kjo javë do të nisë me një artist të njohur italian të ftuar në Tiranë nga Instituti Italian i Kulturës. Stefano Bollani, pianisti-kompozitor e këngëtar që ka prekur skenat e mëdha botërore, duke luajtur me formacione prestigjioze si Filarmonia e “La scala-s” apo Orkestra e Parisit është duke bërë provat e fundit në sallën e madhe, ku siç thotë ndihet komod pavarësisht dimensioneve artistike e fizike të saj.

“Unë për fat nuk e kam marrë ndonjëherë në konsideratë nëse do të kem para publik të madh apo të vogël. Pasioni im që në vegjëli ka qenë jazz-i dhe kjo muzikë lind në klube ku njerëzit të rrinë te koka. Ti luan dhe ke dikë afër që ndoshta pi cigare apo konsumon ndonjë pije, ose edhe bisedon. Kështu që e rëndësishme është atmosfera që krijohet jo madhështia e vendit. Dhe nuk bëj shaka kur them se ndonjëherë zbavitem shumë më shumë në vend të vogël me pak njerëz sesa në një vend të madh ku muzika përhumbet, sepse nuk shikon ku mbaron publiku. Ndërsa këtu i shikoj të gjithë, arrij ti shikoj deri në fund pavarësisht moshës, dhe kjo më gëzon, pasi mua më intereson shumë të kem një kontakt të drejtpërdrejte me publikun, unë flas me publikun dhe preferoj ti bëj ata pjesë të koncertit”- u shpreh kompozitori.

Do të jetë një koncert në piano solo jo i zakontë ai i mbrëmjes së sotme. Artisti italian i pëlqen të improvizojë ndaj tregohet i rezervuar të zbulojë më shumë për programin, pjesë e të cilit përmes lojës skenike, do të tentojë të bëjë edhe publikun në Shqipëri.

“Unë shpresoj që po. Koncerti këtë ka të bukur, që unë prej fillimit e nis me gëzim. Kjo sepse jam unë që do të ngjitem në skenë dhe këta njerëz kanë vendosur të dalin nga shtëpia për të më dëgjuar. Kështu që le të themi se e nis në avantazh, dhe më takon mua të komunikoj me ta. Ata mandej prej faktit që kanë ardhur kanë bërë shumë, e kanë bërë pjesën e tyre”- tha Bollani.

Në radhët e spektatorëve këtë mbrëmje mungon partnerja e tij, aktorja Valentina Cenni, me të cilën premton të rikthehet pse jo për turizëm. Shumë shqiptarë janë njohur me çiftin përmes emisionit muzikor “Via dei Matti” që transmetohet çdo mbrëmje duke krijuar një atmosferë familjare.

“Gjëja më e bukur është kur ti krijon muzikë me një njeri që e do me të vërtetë shumë. Në këtë rast Valentina është njeriu me të cilin jam i dashuruar dhe ne e bëjmë këtë program në televizion për të kaluar sa më shumë kohë së bashku, sepse unë shpesh udhëtoj për të performuar muzikë. Po ashtu ajo prej vitesh është në lëvizje për të aktruar në teatër, kështu që jemi parë mjaftueshëm, por sërish pak. Kështu në këtë mënyrë ne kalojmë të gjithë ditën bashkë dhe njëkohësisht nxjerrim në dritë, vendosim në dispozicion të kamerave dashurinë tonë, është sikur të ishim duke bërë një operacion me zemër të hapur. Sepse ne u tregojmë njerëzve se si ne sillemi zakonisht, sepse ajo që shohin në televizion është shumë e ngjashme me atë që ndodh në shtëpinë tonë”- shtoi artisti italian.

Ka performuar me artistë të mëdhenj, në formacione të dirigjuara nga mjeshtra si Zubin Mehta apo Antonio Pappano. Edhe përtej jazit ka bashkëpunuar me artistë të njohur si Irene Grandi apo Massimo Ranieri. Ndërsa sa i përket artistit që ka lënë shenjë të veçantë tek ai, përmend muzikantin amerikan të Jazz-it Chick Corea.

“Janë të shumtë, realisht, sepse muzikantët janë një racë e veçantë. Ata janë në gjendje të të japin shumë, mbi të gjitha duke luajtur muzikë bashkë. Në veçanti tani fluturimthi më vjen në mendje Chick Corea, sepse është pianisti që kam adhuruar që fëmijë. Një ditë ai pranoi të luajë me mua dhe unë u gjenda përballë tij, por para se të darkonim dhe të flisnim bashkë ne filluam të luajmë dhe kjo provë e performancës sonë bashkë zgjati 15 minuta. Më pas i thamë njëri tjetrit, mjafton me kaq, sepse po shkon shumë mirë! Funksionon! Dhe kjo është diçka shumë e bukur kur ndodh, pra kur ti takon dikë me të cilin është shumë e lehtë të luash të duket sikur po takon një vëlla. Dhe unë në atë rast u ndjeva sikur takova një vëlla më të madh që në çdo moment të koncertit luante dhe njëherazi dëgjonte mua dhe diçka e tillë jua siguroj që është e rrallë”- rrëfeu Stefano.

Me dirigjentin Riçardo Chailly kanë fituar diskun e Platinit për “Rapsodi në blu” në version për piano. Pasion dhe sukses i tij mbeten edhe kolonat zanore të filmave, ku ka fituar edhe dy çmime të rëndësishme si “David di DOnatello” dhe “Nastro d’argento”. Lidhen po me kinemanë edhe disa nga projektet e tij të ardhshme.

“Me “Via dei matti”, uroj të shënojmë një edicion të katërt, por kjo do të jetë me siguri pas verës. Ndërkaq dëshiroj të shkruaj gjithnjë e më shumë muzikë për filma. Sepse, jam me të vërtetë shumë i apasionuar pas kinemasë, Valentina gjithashtu. Kështu që kjo është ajo ç’ka dua të bëj, të qëndroj më shumë në shtëpi dhe të kompozoj”- përfundoi Bollani.

B.V/S.A/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja