Nëse e shikon Shqipërinë nga një kontinent i largët si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndoshta të jep idenë e një shteti të vogël e të panjohur, por kjo nuk i ndal aspak shtetasit amerikanë për të vizituar dhe kontribuar në Shqipëri si vullnetarë në shërbim të komunitetit.
Për vullnetarët e Korpusit të Paqes, të cilët për herë të parë kanë vizituar Shqipërinë në vitin 1992, të mësosh dhe të prekësh nga afër kulturën shqiptare është shumë më ndryshe sesa ta mendosh atë kur je në Shtetet e Bashkuara.
Ndonëse një amerikan kurrë nuk do të pinte një kafe në shtëpinë e një të saponjohuri që i bën ftesë, për një shqiptar është shumë më ndryshe.
Bonnie Rico, një vullnetare e Korpusit të Paqes, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se kultura shqiptare është e bukur sepse edhe vetë njerëzit krahas të tjerave të ofrojnë shumë ngrohtësi dhe janë tejet mikpritës.
Ne që jetojmë në Shtetet e Bashkuara e kemi të lehtë të mendojmë për një shtet të vogël si Shqipëria dhe të duam të mësojmë kulturën dhe mënyrën e jetesës shqiptare, por me të vërtetë dëshira është më e madhe për të ndjenjur më shumë kohë, kur e prek nga afër realitetin", tha Rico.
Duke kujtuar ditët e para në Shqipëri, afro një muaj më parë, kur Bonnie zbriti për herë të parë në tokën shqiptare, kujton frikën për të qëndruar në një vend të panjohur për të. Por pa harruar të gjithë fëmijët që e përshëndesnin në gjuhën angleze, sapo kuptonin që këta të ardhur ishin amerikanë.
Sigurisht, kjo është normale për çdo të huaj që viziton për herë të parë Shqipërinë sepse përballet me njerëz të rinj, mënyra të reja, problematika etj.
E ardhur para një muaji, Bonnie  tregon se do të qëndrojë 2 vjet në Shqipëri. Për momentin është akomoduar në qytetin e Peqinit ndërkohë që, gjatë kësaj kohe do të duhet të lëvizë kudo nëpër Shqipëri. Pavarësisht kësaj, asaj do i duhet të kthehet sërish tek familja mikpritëse në të cilën ajo qëndron.
Gjatë bisedës me Bonnie, ajo tregon se për një muaj Shqipëria i është dukur një vend i bukur dhe i pasur. Çdo ditë, tregon ajo, bëhet më e përshtatshme për të jetuar.
Qëllimi kryesor pse Bonnie dhe vullnetarë të tjerë kanë ardhur në Shqipëri është për të shërbyer. Duke parë problematikat, ne do të mund të japim eksperiencën tonë në mënyrë vullnetare duke ndihmuar në çdo aspekt që kanë nevojë.
"Qytetet e vogla si Peqini apo të tjera, nëpër të cilat ne qëndrojmë kanë shumë rëndësi, sepse sipas saj, aty gjenden problematikat më të mëdha. Ajo që ne kemi kuptuar, të paktën për afro një muaj është që njerëzit në Shqipëri kanë probleme të besojnë në ëndrrat e tyre. Për ta duken të parealizueshme ëndrrat apo qëllimet që kanë në jetë",
Një tjetër problem, sipas saj, ka lidhje me pozitën që femra zë në komunitet. Ajo që kam kuptuar nga vëzhgimi im është që femrat punojnë terë kohën, duke përfshirë edhe punët e shtëpisë, ndërsa meshkujt kanë shumë kohë të lirë dhe nuk punojnë shumë orë në ditë.
Pyetjes se për çfarë ka ardhur konkretisht Bonnie dhe të tjerë si ajo, Bonnie nuk heziton të përgjigjet se shërbimi në komunitet është kryesori për të.
"Unë dhe vullnetarët e tjerë do të fillojmë të shërbejmë si mësuese anglishteje por edhe duke ndihmuar fëmijët, dhe sidomos komunitetin rom", tha Bonnie.
Duke iu referuar lumit Shkumbin i cili përshkon qytetin e Peqinit, Bonnie tha se shikon probleme në lidhje me pastërtinë e lumit. Për të, uji i lumit është i pisët dhe ka peshq të pashëndetshëm.
Gjatë bisedës me Bonnin , ajo tregon se këtë vit janë kryesisht 82 vullnetarë të cilët janë të ndarë në 54 grupe, të shpërndarë nëpër qytete të ndryshme.
Për një shtetase amerikane, që vjen dhe shërben në Shqipëri duke ndihmuar në zgjidhjen e problematikave, përbën një eksperiencë që nuk mund ta përfitojnë duke jetuar në SHBA.
"Shqipëria, më pëlqen çdo ditë e më shumë", shprehet Bonnie, me bindjen se kjo është mënyra e duhur sesi të mund të duash njerëzimin, duke kontribuar për paqen dhe zhvillimin e vendeve që kanë nevojë.
Që në vitin 1992 Korpusi i Paqes ka qenë prezent në Shqipëri, ndërkohë që në 2013 të ndarë në 15 grupe, vullnetarët e Korpusit në total përbënin 525 vullnetarë që shërbejnë në Shqipëri. Kryesisht sektorët në të cilët ata operojnë kanë të bëjnë me zhvillimin e komunitetit, shëndetësisë si dhe mësimdhënien e gjuhës angleze si gjuhë e huaj.
Korpusi i Paqes është përfaqësuar në mbi 40 komunitete të ndryshme në Shqipëri, duke filluar nga qytetet e mëdha deri në fshatrat e vogla. Vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri do të mund të jetojnë në bregdetin e detit Adriatik ose në alpet shqiptare, kështu përvoja e çdo vullnetari është shumë e ndryshme.
Mënyra sesi vullnetarët amerikanë kontribuojnë në shëndetësi përfshin ndërtimin e kapaciteteve ku vullnetarët e shëndetit drejtojnë në mënyrë shembullore në komunitetet e tyre dhe u ofrojnë kolegëve të tyre një perspektivë të ndryshme mbi atë se si duhet të mësojnë qytetarët për çështjet e shëndetit./atsh/