TIRANË- Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar bëri të ditur të enjten, se asnjë objekt i kundraligjshëm nuk është anashkaluar nga inspektorët e INUK në të gjitha zonat ku është ndërhyrë dhe nuk ka pasur asnjë veprim selektiv. Përmes një deklarate të shpërndarë në media, INUK i konsideron akuzat e opozitës si spekulime ndërsa siguron se ka zbatuar dhe do të vijojë të zbatojë vetëm ligjin në ushtrimin e kompetencave të tij. "INUK ka bërë verifikimin e të gjithë dokumentacionit ligjor, duke bashkëpunuar edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe ka ndërhyrë në çdo objekt të kundraligjshëm që ka zaptuar hapësira dhe territore publike", thuhet në deklaratë.
"Objektet, në të cilat nuk është ndërhyrë pas operacioneve të INUK në zona të ndryshme të kryeqytetit, por edhe në rrethe të tjera të vendit, nuk janë objekte të anashkaluara në mënyrë selektive apo klienteliste, siç pretendon opozita, por të pajisura me dokumentacion ligjor, me leje legalizimi dhe me çertifikatë pronësie, të regjistruara në Z.Rr.P.P", sqaron INUK.
Megjithatë, vijon deklarata, këto objekte do t'i nënshtrohen një verifikimi më të hollësishëm, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese për të kontrolluar ligjshmërinë e fitimit të pronësisë mbi këto objekte dhe të regjistrimit të tyre. Por, theksohet më tej, INUK nuk mund të ndërhyjë duke ndëshkuar qytetarët që kanë zbatuar dhe vijojnë të zbatojnë ligjin, sepse çdo veprim i Inspektoriatit është bërë dhe do të vijojë të bëhet kundër paligjshmërisë dhe uzurpimit të hapësirave publike në mënyrë të kundraligjshme. /ATSH/