Prishja e ndërtimeve pa leje vazhdon në territorin e Bashkisë Elbasan këtë herë edhe nga vetë institucioni vendor. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë Elbasan është duke vijuar aksionin e tij për prishjen e objekteve të konsideruara pa leje brenda vijës së verdhë të qytetit.

Këtë të hënë aksioni u përqendrua në lagjen 5 Maji, në afërsi të bllokut të banesave sociale. Objekti i listuar për tu prishur ishte ndërtuar 5 vitet e fundit, mbi një objekt të vjetër. Kryeinspektori Aurel Kaja tha se objekti në fjalë nuk disponon leje ndërtimi dhe se ai shtrihet në një sipërfaqe prej 200 metra katror.
 
“Inspektorati i Ndërtimit Bashkia Elbasan, sot ka ardhur këtu për të prishur një objekt banese ndërtuar pa leje ndërtimi. Inspektorati i Ndërtimit do të vijojë aksionet për çdo vendim për prishje që ka marrë, ku është marrë vendim për prishje dmth që është bërë ndërtim jashtë ligjit do shemben të gjitha. Ne kemi të konstatuara dhe të marrë vendime 73 objekte pa leje”, u shpreh Aurel Kaja, Kryeinspektor i Inspektoratit urbanistik, Bashkia Elbasan.
 
Kaja theksoi gjithashtu se do të prishen 73 ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Elbasan. Gjatë aksionit te sotëm Deri më tani nuk janë regjistruar incidente mes familjarëve të këtyre objekteve dhe policisë megjithëse aksionet shoqërohen edhe nga policia e rendit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)