POGRADEC- Të premten e 18 Shkurtit pamjet e qenve të ngordhur në fshatin Gurras të Pogradecit sollën reagime të forta të shoqatave për mbrojtjen e kafshëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile. Por çfarë ka ndodhur për të mbërritur deri tek pamjet tronditëse. Report Tv e ka ndjekur nga afër këtë skandal duke mësuar se një zinxhir hallkat nuk kanë funksionuar, nisur nga Bashkia e Pogradecit, që ngarkohet nga Ligji për "Shërbimin Veterinar" që të kujdeset për kafshët shoqëruese dhe mbajtjen nën kontroll të numrit të tyre.

Godinat e rrënuara
Këto godina të rrënuara dhe të braktisura në fshatin Gurras, në juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes por në përdorim nga Bashkia e Pogradecit shërbenin si vendstrehim për qentë. Prej 5 vitesh kafshët mblidheshin nëpër rrugët e qytetit liqenor dhe me kamicionë transportoheshin në Gurras. Siç shihet në pamje, është një ambient larg kushteve higjieono-sanitare dhe pa ujë. Bashkia e Pogradecit kishte punësuar Faik Kishtën për t'u kujdesur dhe për të ushqyer qentë. Ky person më datë 26 Janar 2021 është larguar nga puna dhe janë caktuar dy persona të tjerë për kujdesin ndaj qenve të grumbulluar në këtë vendstrehim.

1614176210_2.jpg

Godina ku strehoheshin qentë

Mungesa e ushqimit
Pas denoncimit me pamje të kushteve mizore ku mbaheshin të lidhur qentë deri në ngordhje, ish-punonjësi i bashkisë Faik Kishta deklaroi në media se institucioni ku punonte nuk e kishte furnizuar me ushqim, ndaj 7 qen kanë ngordhur prej urisë.

"Detyra ishte kapja, transportimi dhe të ushqeja qentë. Këta nuk kanë dhënë asgjë për bazë ushqimore. U bënë 5-6 muaj që këto kafshë kishin mungesë ushqimi. Veterinerët e bashkisë nuk vinin atje, nuk kishte as sterilizim asgjë tjetër. Unë së fundmi kisha 35 qen dhe nuk kisha mundësi t'i ushqeja. 7 qen ngordhën nga uria. Përgjegjëse është bashkia", tha Faik Kishta. 

Por në një intervistë për Report TV, Nertil Çollaku, Kryeinspektor në Bashkinë e Pogradecit shprehet se ushqimi nuk ka munguar,

"Arsyeja kryesore që arritëm në këtë gjendje është se ish-punonjësi Kishta mashtronte dhe gënjente. Kemi dyshuar se ai nuk i ushqente qentë e mbante ushqimin për derrat e tij, ndaj e larguam nga puna", shprehet Çollaku.

Ndërkohe një banor i fshatit Gurras tregon se shpesh Faik Kishta  shprehte shqetësimin për mungesë ushqimi.

"Po ka kohë që i sillnin qentë aty. Ai punëtori i bashkisë i sillte me kamiocinë 10-15 cdo herë, më pas se cfarë bënin nuk e di. Ai (Kishta) ankohej në kafen e fshatit se nuk kishte ushqim për to", shprehet banori i fshatit Gurras. 

Ne u interesuam dhe pranë thertores ku punonjesi i saj Iliaz Mancellari pohon se ish-punonjesi Faik Kishta furnizohej vazhdimisht me ushqim për qentë.

"Ata kanë marrë rregullisht mbeturina ushqimore për qentë. Merrnin 5-6 kova, cdo 2-3 ditë. Këtu vinte ai punëtori Kishta, pastaj u ndërruan erdhën 2 të rinj. Nuk besoj se kanë ngordhur nga ushqimi, mund të kenë patur arsye tjetër", tha punëtori i thertores.

 

Mungoi vaksnimi dhe matrikullimi
Kryeinspektori i Drejtorisë së Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit nuk ka dijeni të plotë nëse qentë sterilizoheshin apo matrikulloheshin.

"Në informacionin tim qentë dërgoheshin atje, sepse dilnin tufa-tufa dhe kalonin në zona të ndryshme ku trembeshin fëmijët.Nga këto denoncime të shumta të qytetarëve, kemi kapur qentë dhe i kemi cuar në atë ambient. Kemi dhe njëproblematikë sepse bashkitë e tjera, si Maliqi, Korcë na hedhin qentë e tyre në zonën tonë dhe në kohën e turizmit e kemi shumë problem", tha Nertil Çollaku. 

Fondet dhe hetimet
Report tv ka arritur të mësojë se në buxhetin e BashkisësëPogradecit nuk ka pasur një fond qentë endacake. Vetëm më datë 18 Shkurt, kur kishte plasur skandali, shërbimi veterinar në bashki kërkon fonde për ushqim për qentë.

Aktualisht qentë janë zgjidhur nga zinxhirët ku mbaheshin në mizori dhe janë lënë të lirë deri në hapjen e një qendre të re nga bashkia. Më 19 shkurt është bërë një kallëzimin penal por pa ia adresuar një personi konkret pavarësisht se dyshimet e tyre janë tek Faik Kishta. Mungesa e provave dhe fakteve sipas Çollakut ka bere që bashkia identifikimin e autorit t'ia besojë prokurorisë.