TIRANE, 19 Dhjetor/ATSH/-Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me projektin "Harmonizimi i planit kombëtar të veprimit për të luftuar shkretëtirëzimin në Shqipëri dhe përgatitjen e raportit kombëtar" të financuar nga Fondi Global i Mjedisit (GEF), organizoi workshop-in për prezantimin e raportit te vleresimit te gjendjes dhe ndergjegjesimin e publikut.
Në këtë takim, ishin të pranishëm përfaqësues të Agjencive të Baseneve Ujore, Ministrisë së Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave, Drejtorive të Administrimitdhe Mbrojtjes së Tokave si dhe përfaqësues të shoqërisë civile etj.
Pas prezantimit të situatës në lidhje me erozionin në vendin tonë nga Drejtori i Përgjithshëm i Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit z.Pëllumb Abeshi u bë edhe prezantimi i projektit e më pas diskutimi.
Diskutimi u fokusua kryesisht në përmbajtjen që do të ketë plani kombetar i mbrojtjes nga erozioni, në problematikën që haset nga institucionet përgjegjëse për menaxhimin dhe monitorimin e zonave të predispozuara për t'u prekur nga erozioni dhe ku duhen drejtuar investimet. Përpos problematikave të konstatuara të pranishmit theksuan se rëndësi të vecantë ka bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërgjegjësimi i të gjithë aktorëve deri tek përdoruesit e tokës.
Nga të pranishmit u kërkua hartimi i planeve të integruara për basenet si dhe përfshirja në monitorim edhe e rasteve të rrëshqitjeve të tokës, duke krijuar një sistem të paralajmërimit të hershëm. U kërkuar nga gjithashtu edhe krijimi i një plani të detajuar kombëtar për pyllëzimet, pasi kushtet klimatike tregojnë se Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj fenomenit të erozionit dhe rrjedhimisht shkretëtirizimit.
Projekti i cili ka nisur të zbatohet nga muaji mars i këtij viti dhe do të përmbyllet në nëntor të vitit të ardhshëm, ka si objektiva kryesorë sigurimin e Harmonizimit të Planit Kombëtar të Veprimit me planin strategjik të Konventës së Shkretëtirëzimit për një periudhë 10-vjeçare përmes avokacisë, rritjes së ndergjegjësimit dhe edukimit për shkretëtirëzimin e tokës dhe të mbështesë krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për promovimin e zgjidhjeve të mundshme në luftimin e shkretëtirëzimit të tokës. Gjithashtu projekti do të asistojë për përgatitjen e raportit kombëtar për zbatimin e Konventës në Shqipëri. /a.g/












