Në konferencën për shtyp ku prezantoi të dhënat e INSTAT për rritjen ekonomike të vendit në tremujorin e dytë të vitit 2026, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se fluksi i investimeve të huaja direkte ishte 50% më i lartë se një vit më parë por mbi gjysma e tyre shkuan në pasuritë e paluajtshme. Ajo bëri të ditur gjithashtu se borxhi është ulur me 5 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, nga 54% në 49%, ndërsa importet u rritën me 7,55% në tremujorin e dytë.
“Importet kanë ardhur me rritje. Në tremujorin e dytë ato janë rritur me 7,55%. Të gjithë komponentët kryesorë kanë pasur ecuri pozitive. Borxhi, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025, është reduktuar me 5 pikë përqindje, nga 54% në 49%. Sa u takon investimeve të huaja direkte, në 6-mujorin e parë të vitit 2026 kemi pasur një fluks prej 1,14 miliardë eurosh, ndërsa stoku ka arritur në 18,42 miliardë euro. Fluksi në këtë 6-mujor është 50% më i lartë se ai i vitit të kaluar”, tha Ibrahimaj.
Investimet e huaja, sipas Ibrahimajt, janë kryesisht në sektorin e real estate, specifikisht në nivelin e 53.3%, Ndërsa sektorët e tjerë ku ka pasur fluks të investimeve të huaja janë ato financiarë, të sigurimit, tregtia, energjia, informacioni, komunikacioni. Sa u përket vendeve të origjinës, Ibrahimaj tha se Austria kryeson për fluksin e investimeve të huaja, me 121,9 milionë euro, ose 80% më shumë. Pas saj renditet Turqia me 111,6 milionë euro, ndërsa ndër vendet e tjera me flukse të larta investimesh përmendi Italinë, Holandën dhe Kosovën, me 88,7 milionë dhe 66,7 milionë euro respektivisht.
Lajmi kryesor:
Nga tetori 160 produkte ushqimore në 'Pasqyrën e Çmimeve', Ibrahimaj: Çmime fikse për 3 muaj, fitim minimal për biznesin










