Inflacioni në Shqipëri arriti në 3.5% gjatë muajit tetor 2026, shifra më e lartë e vitit, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT me metodën e EUROSTAT, të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve.

Ndërkohë, çmimet e konsumit u rritën me 0.8% krahasuar me muajin shtator. Kontributin kryesor në rritjen vjetore të çmimeve e dhanë ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat u shtrenjtuan me 4.4%. Ky grup ndikoi me 1.53 pikë përqindje në inflacionin e përgjithshëm, duke qenë faktori kryesor i rritjes së kostos së jetesës.

Shtrenjtimi më i madh vjetor u regjistrua te grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 9.8%. Rritje të konsiderueshme shënoi edhe transporti, me 6.9%, ndërsa pijet alkoolike dhe duhani u shtrenjtuan me 3.8%.

Çmimet e shërbimeve arsimore u rritën me 3%, ndërsa ato të restoranteve dhe akomodimit me 2%. Edhe në krahasimin mujor, ushqimet kryesuan rritjen e çmimeve, me një shtrenjtim prej 2.1% në tetor. Pas tyre renditen veshjet dhe këpucët me 1.1%, si dhe mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 0.9%.

Në kahun tjetër, ulje çmimesh u regjistruan në restorante dhe shërbime akomodimi me 0.5%, transport me 0.3% dhe shëndetësi me 0.1%. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni i harmonizuar në Shqipëri ishte më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila në tetor rezultoi 4%.

Kliko këtu per të lexuar raportin e plotë