Ekonomia shqiptare vijoi rritjen edhe në tremujorin e dytë të vitit 2026, por të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë dallime të mëdha mes sektorëve që po e mbajnë atë.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 3,61% në terma realë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tre muajt e parë të vitit, ekonomia u zgjerua me 0,80%.
Këtë e konfirmoi edhe Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj në një konferencë për shtyp.
"“Në tërësi ekonomia shqiptare u rrit me 3.612% një ecuri në mesataren e rritjes tremujore të gjatë gjithë viteve post pandemisë. Kemi pasur rritje të qëndrueshme dhe një konsolidim të mëtejshëm të stabilitetit makro ekonomik. Kemi pasur zhvillime pozitive, zgjerim të kërkesës dhe ecuri pozitive të investimeve" tha ajo.
Kontributin më të madh mes degëve të ekonomisë e dha grupi i administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë, me 1,38 pikë përqindje. Vetë aktiviteti i këtij grupi u rrit me 12,14% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar.
Kontribuuesi tjetër i madh ishin taksat neto mbi produktet, të cilat u rritën me 8,45% dhe i shtuan rritjes së PBB-së 1,13 pikë përqindje.
Të marra së bashku, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia dhe taksat neto dhanë 2,51 pikë përqindje nga rritja totale prej 3,61%, ose rreth 70% të saj.

Tregtia dhe pasuritë e paluajtshme rriten, ndërtimi me ritëm të ulët
Pas administratës publike, kontributin më të lartë e dha grupi i tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Aktiviteti i këtij grupi u rrit me 5,53% në një vit dhe kontribuoi me 0,98 pikë përqindje në rritjen ekonomike.
Me ritme të larta vijuan edhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme. Ato u rritën me 7,20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe dhanë 0,36 pikë përqindje në rritjen e PBB-së.
Ndryshe paraqitet ndërtimi. Sektori u rrit me vetëm 1,37% në raport me tremujorin e dytë të vitit 2025 dhe kontributi i tij në rritjen ekonomike ishte 0,15 pikë përqindje. Kështu, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhanë më shumë se dyfishin e kontributit të ndërtimit në rritjen e PBB-së gjatë këtij tremujori.
Rritje të ulët shënoi edhe grupi i industrisë, energjisë dhe ujit, me vetëm 0,47% dhe një kontribut prej 0,05 pikë përqindje.
Informacioni dhe komunikacioni u rritën me 2,58% dhe kontribuuan me 0,06 pikë përqindje, ndërsa aktivitetet financiare dhe të sigurimit u rritën me 3,53%, me një kontribut prej 0,05 pikë përqindje.

Bujqësia vijon në rënie
Bujqësia, pyjet dhe peshkimi ranë me 2,29% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për shkak edhe të peshës së sektorit në ekonomi, kjo rënie i hoqi 0,38 pikë përqindje rritjes së përgjithshme të PBB-së, duke përbërë kontributin negativ më të madh mes degëve të raportuara nga INSTAT.
Në territor negativ ishin edhe aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative, të cilat ranë me 2,17% dhe kontribuuan me -0,14 pikë përqindje. Artet, argëtimi, çlodhja dhe aktivitetet e tjera të shërbimit ranë me 2,08%, me një kontribut prej -0,03 pikë përqindje.
Nga një tremujor në tjetrin, ndërtimi kalon në rënie
Pamja ndryshon disi kur ekonomia krahasohet jo me një vit më parë, por me tre muajt e parë të 2026-s.
Ndërtimi, që në krahasimin vjetor rezultonte me rritje 1,37%, ra me 0,62% krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Bujqësia, pyjet dhe peshkimi ranë me 0,67%, ndërsa aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 3,35%.
Rënien më të madhe e shënuan aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative, me 6,95%.
Në kahun tjetër, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia u rritën me 2,66% nga një tremujor në tjetrin. Informacioni dhe komunikacioni u rritën me 2,35%, industria, energjia dhe uji me 1,83%, ndërsa tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 1,79%.
Konsumi rritet më shpejt se investimet
Edhe mënyra se si është përdorur PBB-ja tregon diferenca të forta mes konsumit dhe investimeve.
Konsumi final i popullatës u rrit në terma realë me 4,55% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, ndërsa konsumi final i qeverisë u rrit me 4,15%.

Më i ulët ishte ritmi i investimeve. Formimi bruto i kapitalit fiks, ku përfshihen shpenzimet për kapitale të reja dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, u rrit me vetëm 1,76% në raport me një vit më parë. Kështu, gjatë kësaj periudhe konsumi i popullatës u rrit me ritëm dukshëm më të lartë se investimet.
Diferenca shihet edhe në krahasimin me tremujorin e parë të këtij viti. Konsumi i popullatës u rrit me 0,82% dhe ai i qeverisë me 1,81%, ndërsa formimi bruto i kapitalit fiks ra lehtë, me 0,08%.
Pra, investimet mbeten 1,76% më të larta se një vit më parë, por gjatë tremujorit të dytë nuk patën rritje të mëtejshme krahasuar me tre muajt e parë të vitit.
Eksportet rriten 9,78%, por përshpejtohen edhe importet
Ritmet më të larta në anën e shpenzimeve u regjistruan në tregtinë me jashtë.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9,78% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025. Në të njëjtën kohë, importet u rritën me 7,55%.
Por nëse krahasimi bëhet me tre muajt e parë të këtij viti, importet rezultojnë se janë rritur më shpejt se eksportet. Eksportet u zgjeruan me 2,33%, ndërsa importet me 4,25%.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë...
Në konferencën për shtyp ku prezantoi të dhënat e INSTAT për rritjen ekonomike të vendit në tremujorin e dytë të vitit 2026, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se fluksi i investimeve të huaja direkte ishte 50% më i lartë se një vit më parë por mbi gjysma e tyre shkuan në pasuritë e paluajtshme. Ajo bëri të ditur gjithashtu se borxhi është ulur me 5 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, nga 54% në 49%, ndërsa importet u rritën me 7,55% në tremujorin e dytë.
“Importet kanë ardhur me rritje. Në tremujorin e dytë ato janë rritur me 7,55%. Të gjithë komponentët kryesorë kanë pasur ecuri pozitive. Borxhi, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025, është reduktuar me 5 pikë përqindje, nga 54% në 49%. Sa u takon investimeve të huaja direkte, në 6-mujorin e parë të vitit 2026 kemi pasur një fluks prej 1,14 miliardë eurosh, ndërsa stoku ka arritur në 18,42 miliardë euro. Fluksi në këtë 6-mujor është 50% më i lartë se ai i vitit të kaluar”, tha Ibrahimaj.
Investimet e huaja, sipas Ibrahimajt, janë kryesisht në sektorin e real estate, specifikisht në nivelin e 53.3%, Ndërsa sektorët e tjerë ku ka pasur fluks të investimeve të huaja janë ato financiarë, të sigurimit, tregtia, energjia, informacioni, komunikacioni. Sa u përket vendeve të origjinës, Ibrahimaj tha se Austria kryeson për fluksin e investimeve të huaja, me 121,9 milionë euro, ose 80% më shumë. Pas saj renditet Turqia me 111,6 milionë euro, ndërsa ndër vendet e tjera me flukse të larta investimesh përmendi Italinë, Holandën dhe Kosovën, me 88,7 milionë dhe 66,7 milionë euro respektivisht.











Komente
Komento