Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Europiane të Investimeve (BEI), Luca Lazzaroli, nënshkruan dje në Poznan të Polonisë marrëveshjen e financimit, në një shumë prej 10.4 milionë euro, për vijueshmërinë e disa projekteve të rëndësishme në infrastrukturën e qytetit të Tiranës.
Ministrja Denaj bën të ditur se marrëveshja financiare mbështet zbatimin e projektit “Vazhdimi i Bulevardit Gjergj Fishta dhe Bajram Curri dhe Rehabilitimi i Lumit të Lanës nga Ura Teknologjike deri tek Kryqëzimi me Rrugën Teodor Keko”.
“Projekt, i cili do të zbatohet nga Bashkia e Tiranës deri në Shkurt 2022, parashikon udhëzimin e Lumit të Lanës duke krijuar një shtrat me regjim hidraulik eficient për të eliminuar problematikën e përmbytjeve në këtë zonë.
Duke krijuar kështu hapësirat e nevojshme të zhvillimit urban të zonës përmes ndërtimit të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, çka synon dhe tërheqjen e investitorëve vendas dhe të huaj”, tha Denaj, e cila mori pjesë në takimin e Ministrave të Ekonomisë të Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë.
Komente












