Investimet-Hapet tenderi për rrugën Kardhiq-Sarandë, ja segmentet ku punohet

Investimet-Hapet tenderi për rrugën Kardhiq-Sarandë, ja segmentet ku punohet

Foto ilustruese

Pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama se në shtator rifillojnë punimet në aksin e ri nacional Kardhiq-Delvinë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur procedurat për tenderimin e punimeve për 2, nga 4 lotet, në të cilat ndahen 16.2 kilometrat e pandërtuara të rrugës. Rruga nisi në periudhën e qeverisë Berisha, por nga ajo u hoq dorë shpejt, kryesisht për orientimin e fondeve për rrugët drejt Rrugës së Kombit, çka shkaktoi dëmtimin edhe të segmenteve ku ndërkohë kishte filluar ndërtimi.

Tani është shpallur gara e parë për lotin e pestë, me gjatësi prej 3.1 kilometrash dhe fond limit 1.82 miliardë lekë, kurse loti i gjashtë me gjatësi 4.8 kilometra parashikohet me fond limit 2.38 miliardë lekë. Kurse për dy lotet e fundit, më të vështirat - 4 dhe 7 - gara pritet të hapet në vijim.

Sipas parashikimeve të bëra më herët nga qeveria, puna për këtë aks pritet të nisë brenda vjeshtës së këtij viti. Ndërkohë që përfundimi i punimeve pritet brenda një periudhe dyvjeçare.

Lotet e shpallura dje përfshijnë ndërtimin e dy urave dhe të një nënkalimi, ndërkohë që në lotin e 7-të parashikohet ndërtimi i tunelit të Skërficës me gjatësi rreth një kilometër.

Aksi lidh Delvinën e Sarandën me Kardhiqin pranë Gjirokastrës, duke shkurtuar kohën e lëvizjes Tiranë-Sarandë e anasjelltas në vetëm tri orë, pasi shmang Qafën e Muzinës. Rruga 32 kilometra e gjatë mundëson gjithashtu lidhjen më të shpejtë të Gjirokastrës me bregdetin.

Investimet

Segmenti Kardhiq-Delvinë nuk bën pjesë në planin e ndërtimeve koncesionare të rrugëve, por ai do të ndërtohet me fondet e buxhetit të shtetit, ashtu sikurse ishte planifikuar që në fillim. Ndërkohë që akse të rinj do t’i shtohen hartës së rrugëve automobilistike me financim fillestar nga privatët, të tillë si Milot-Balldren, Thumanë-Kashar, disa pjesë të Rrugës së Arbërit apo asaj të Kombit, në projekt për t’u mbuluar me investime publike janë shumë segmente të tjerë. Kryesisht, fjala është për vazhdimin e punimeve në rrugë të filluara që më parë.

Kështu, rrugë të tipit A2, me 2 x 2 korsi, me trotuar dhe ndriçim, janë në proces Unaza e Re e Tiranës, segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës; rruga e Porto Romanos, Durrës Loti 1; nyja lidhëse e rrugës Milot-Lezhë, Rrëshen, Thumanë; Unaza e jashtme Tiranë, pjesa verilindore; rikonstruksion segmenti rrugor Kodër Kamëz- Tapizë, Qafë Thanë- Lin- Pogradec; etj. Në këtë kategori, por pa trotuar, është edhe rruga Tiranë-Elbasan.

Ndërkohë, rrugë të tipit B1, me dy korsi, ku po punohet janë rruga Lushnjë-Berat, loti 2 + shtesë punimesh, loti 3 + shtesë punimesh; Rruga e Arbërit loti 2; rruga Kardhiq-Delvinë loti 1, loti 2, loti 3; rruga Milot-Fushë Krujë (dublimi i superstradës) loti 3; By Pass Shkodër, etj. Sa u përket rrugëve të kategorisë C2, me dy korsi, disa nga objektet e rëndësishme, në të cilat punohet, janë Kanali i Çukës-Butrint loti 1; mbingritja e Viroit dhe hyrja e qytetit Gjirokastër; aksi Skrapar-Përmet, loti 1; Korçë-Ersekë; rrugët paralele superstrada Tiranë – Vorë, krahu i majtë (vazhdimi) + shtesë kontrate, etj.

Në të njejtën kohë, po punohet edhe për rifreskimin e sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare; për mbrojtjen nga lumi Shkumbin në km 16+200, aksi rrugor Elbasan-Librazhd + shtesë punimesh; mbrojtjen nga lumi Mat km 9+500 rruga e re Milot-Skuraj. Si dhe në rikonstruksion riveshje dhe sistemim asfaltim Elbasan-Banjë loti 1, loti 2, loti 3; sistemim/asfaltim rruga Tri Urat – Leskovik; sistemim asfaltim rrugët lidhëse me bregdetin nga Llogaraja në Sarandë loti 1 + shtesë punimesh, etj.

Ndërkohë, pritet ende të rifillojë puna në dy objekte shumë të rëndësishme në kushtet e zhvillimit që ka marrë turizmi aktualisht, që jano ato të By Pass-eve Fier dhe Vlorë. Të dy kantieret aktualisht janë të bllokuara.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen