Inxhinieri i luleve: Kur kopshtaria
është më shumë se pasion...!

Inxhinieri i luleve: Kur kopshtaria<br />është më shumë se pasion...!
TIRANE - Gjelbërim, lule shumëngjyrëshe dhe jetë, na ofron ambienti të cilin zgjodhëm të sillnim në fokus këtë javë. Edhe pse tashmë kemi hyrë në ditët e para të dhjetorit, grimcat e dëborës në male dhe shirat e herë pas herë nuk kanë mundur të dëmtojnë bukurinë që lulet dhe fidanët e mbajnë akoma. Të flasësh për kopshtarinë në Shqipëri është pak e vështirë, edhe pse prej vitesh tashmë secili nga ne është drejtuar drejt gjelbërimit nëpër ballkone apo rrugicat e vogla të shtëpisë, një ndryshim i dukshëm ky në realitetin tonë. Për këtë arsye ne kemi sjell përmes një rrëfimi drejtorin e Departamentit dhe Projektim & Zbatim Peisazhi pranë ‘Garden Line’, Erlad Çekun, tashmë një emër i njohur në botën e bimëve, duke na treguar hap pas hapi rrugën e tij të gjatë dhe të suksesshëm në bashkëjetesë më lulet dhe fidanët.  
 
Një karrierë e gjatë dhe e suksesshme. Si i kujtoni fillimet tuaja drejt kopshtarisë?
Kam filluar punë në kompaninë ‘Garden Line shpk’ në vitin 2002, pak muaj pas përfundimit të studimeve në degën Hortikulturë dhe Mbrojtje Bimësh (1997-2002). Si çdo student që sapo ka dalë nga sallat e leksioneve të mbushura me teori dhe shumë pak praktikë, realiteti i një ndërmarrje të mirë organizuar, me makineri të kohës dhe bimësi shumë prej të cilave nuk i kisha ndeshur as në librat e shkollës, më vuri në vështirësi jo të pakta, por me ndihmën e pakursyer të personave drejtues me një eksperiencë të gjatë brenda dhe jashtë vendit në këtë fushë, arrita që të përvetësoj dhe të zgjeroj më shumë njohuritë e mia në lidhje me kopshtarinë.     
 
Pse zgjodhët pikërisht “Hortikulturën”, një degë me orientim drejt bimëve zbukuruese?
Hortikultura ishte një degë e re e krijuar në vitin 1996 dhe mundësia për të qenë brezi i dytë i studentëve, të cilët do të kishin mundësi të ndiqnin leksionet në këtë departament, mu duk një mundësi e mirë dhe më bindi të ndërmerrja këtë hap të rëndësishëm. 
 
Ka qenë dikush që ju ka nxitur për afrimin me lulet?
Nxitja e parë ndoshta në mënyrë dhe të pavetëdijshme, ka qenë mamaja ime, meqenëse ballkoni ynë dhe ambientet e brendshme kanë patur përherë bimë e lule të çelura. Pastaj edhe origjina ime nga Përmeti, i cili është cilësuar si qyteti i luleve apo i trendafilave, mendoj se ka patur ndikim në këtë zgjedhje.
 
Sa i zhvilluar është ky profesion në Shqipëri dhe mendoni se ka hapësirat e duhura për tu drejtuar më shumë drejt procesit natyral të fidanëve dhe luleve?
Kopshtaria është një profesion i cili në gjykimin tim, bazuar në përvojën e deritanishme, ka patur një ndryshim rrënjësor krahasuar me vitet e para, pas ndryshimit të sistemit në vendin tonë. Tashmë asnjë njësi shërbimi apo prodhimi nuk mund të mendohet, pa një hapësirë sado të vogël, të rregulluar me anë të gjelbërimit, pra kërkesat kanë ardhur përherë në rritje, sepse edhe ndërgjegjësimi dhe mundësitë e qytetarëve janë rritur.
 
Ku qëndron sekreti i këtij profesioni?
Sekreti, në rast se mund ta quajmë “sekret”, është se për të patur arritje në këtë fushë, duhet patjetër të kesh pasion për bimët dhe të bukurën, tjetër duhet të mos reshtësh kurrë së lexuari, tashmë nëpërmjet librave, revistave e internetit mund të kemi njohuri të pafundme në këtë fushë.
 
Çfarë duhet për tu bërë një kopshtar i suksesshëm, ka ndonjë kriter apo edhe një kurs profesional mbi kopshtarinë mjafton?
Vlen sërish “sekreti” i përmendur më parë, por edhe kurset dhe shkollat profesionale sigurisht që ndikojnë, por këto nuk mjaftojnë për tu bërë një kopshtar i mirë. Të jesh i suksesshëm duhet të dashurohesh me lulet dhe fidanët, ti njohësh më shumë.
 
Si e shikoni sot zhvillimin e këtij profesioni?
Ky profesion  do të jetë përherë në përmirësim e rritje, sepse ne shqiptarët kemi patur e do të kemi dashuri e përkujdesje ndaj gjelbërimit e të bukurës.
 
Cila është lulja ose fidani juaj më i pëlqyer?
Më pëlqejnë në përgjithësi të tëra bimët e ambienteve të brendshme që kanë ngjyrë të gjelbërt, në veçanti Orkidetë.
 
Tashmë drejtoni Departamentin e Projektim & Zbatim Peisazhi pranë ‘Garden Line’, në një vend ku hapësirat e gjelbërta sa vijnë dhe shtohen. Është e vështirë të jesh një menaxher ‘in’ në tregun shqiptar?
Sigurisht që vështirësitë janë të pranishme. Ajo që ne si kompani na dallon nga të tjerët, apo na bën ‘in’, është përkushtimi ndaj kërkesave të klientit, krijimi i kopshteve të veçanta dhe zbatimi në kohë e me cilësi.
 
Cilat janë projektet tuaja më të mira për tu përmendur si edhe ato në vazhdim?
Kemi patur fatin, por edhe zotësinë më duhet të them, për të qenë pjesë e të gjithë projekteve të mëdha në Shqipëri, qoftë si projektues apo edhe si zbatues të gjelbërimit të tyre. Vlen të përmendim këtu Aeroportin Kombëtar “Nënë Tereza” në Rinas ku kemi bërë projektimin dhe zbatimin e sipërfaqeve të gjelbërta dhe impiantit ujitës elektronik, qendrat tregtare ‘City Park’, ‘QTU’, ‘TEG’ zbatim, dhe ‘Casaitalia’ projektime e zbatim, fabrika e çimentos ‘Antea’ projektim e zbatim, si edhe projektimin e zbatimin e gjelbërimit të një sërë vilash në qytete, periferi e bregdet.

Si projekte në vazhdim mund të përmendim “Gjelbërimin anësor të segmentit rrugor ‘Mbikalimi i Kamzës – Qafe Kashar – Rinas (Aeroport)” i financuar nga Ministria e Mjedisit, ku pasi përfunduam me sukses në Shtator të këtij viti, segmentin Qafe Kashar – Rinas, tashmë jemi duke zbatuar punimet në segmentin Mbikalimi i Kamzës – Qafe Kashar. Projekti “Rehabilitimi i gjelbërimit anësor dhe i rrethrrotullimeve në segmentin Plepa - Hyrje Vlorë”,  me një shtrirje prej 106 Km, ku ndodhemi në përfundim të këtyre punimeve.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Lungomare të Vlorë, makina motori përplas të moshuarin

Aksident në Lungomare të Vlorë, makina motori përplas të moshuarin