Në një postim në twitter të dielën ambasadori i Britanisë në Iran Rob Macaire, shkruante se ai ishte ndaluar për një kohë të shkurtër nga autoritetet në Teheran të shtunën në mbrëmje pasi mori pjesë në një ceremoni për të nderuar viktimat e avionit ukranias.
Duke dënuar veprimin e autoriteteve për të ndaluar ambasadorin, sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab tha se Irani "mund të vazhdojë marshimin e tij drejt izolimit ose të ndërmarrë hapa për shuarje të tensioneve dhe të angazhohet për zgjidhje rdiplomatike".
Ministri për Sigurinë Brandon Lewis, i tha gazetares së “Sky News” Sophy Ridge se Britania dëshiron që Irani të luajë rolin e tij në botë, por nuk komentoi posaçërisht nëse do të kishte ndonjë përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj Teheranit.
Richard Ratcliffe, bashkëshorti i Nazanin Zaghari-Ratcliffei punonjëse e një fondacioni që mbahet e burgosur në Iran, i tha gazetares Ridge gjatë emisionin e saj të së dielës se rritja e tensioneve rajonale e ka bërë situatën e tyre personale "shumë të brishtë".
Zaghari-Ratcliffe, menaxhere e projektit e Fondacionit Thomson Reuters, u arrestua në prill 2016-s në një aeroport të Teheranit përpara se të nisej për në Britani me vajzën e saj për një vizitë familjare.
Ajo u dënua nën akuzat për komplot për të rrëzuar institucionet e klerit në Iran, një akuzë e mohuar nga familja e saj dhe Fondacioni, një organizatë bamirësie që vepron në mënyrë të pavarur nga Thomson Reuters dhe agjencia e lajmeve Reuters./VOA