Gjashtë ditë më parë, i rrethuar nga avionë luftarakë dhe aeroplanmbajtëse amerikane, nën presionin e protestave të të rinjve në revoltë, Ali Khamenei foli para turmës në Tabriz pa shfaqur hezitim: «Për 47 vjet Amerika nuk ka arritur ta zhdukë Republikën Islamike. Dhe nuk do t’ia dalë as tani». Mbijetesa e sistemit ka qenë gjithmonë prioriteti politik dhe strategjik i ajatollahut, i cili është 86 vjeç dhe e qeveris me dorë të hekurt Iranin prej 37 vitesh. Nuk është çudi, pra, që Udhëheqësi Suprem ka përgatitur tashmë planet për pasardhjen e tij në rast se do të vritej në një sulm amerikan.

Është një proces i nisur pas luftës së qershorit: linjat e komandës janë dyfishuar për të mbushur boshllëqet e mundshme nga “prerja e kokës” së udhëheqjes, presidenti Pezeshkian ka deleguar një sërë kompetencash te guvernatorët, është krijuar një Këshill i Mbrojtjes që koordinon institucione të ndryshme. Është logjika me të cilën Khamenei ka ndërtuar në katër dekada qëndrueshmërinë e sistemit, duke krijuar një burokraci besnike dhe duke shumëfishuar strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes, në mënyrë që aparati të përthithë goditjet.

The New York Times shkruan se rahbari ka treguar tashmë edhe një triumvirat, të cilit do t’i besohej drejtimi në rast se do të vritej nga amerikanët. Pjesë e tij do të ishin gjenerali Mohammad Bagher Ghalibaf, aktualisht kryetar i Parlamentit, ish-presidenti i moderuar Hassan Rouhani, njeriu i marrëveshjes me Perëndimin, dhe mbi të gjitha Ali Larijani, 67 vjeç, aktualisht kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i rikthyer në majat e politikës iraniane pas një periudhe relativisht anashkalimi.

I lindur në Najaf, qytet djep i shiizmit irakian, Larijani vjen nga një familje e rëndësishme fetare, mishëron historinë dhe, në planet e Khameneit, vazhdimësinë e Republikës Islamike. I ati, Mirza Hashem Amoli, ishte ajatollah; ai vetë ka pasur një arsimim laik: dy diploma universitare, në informatikë dhe filozofi, me tezë mbi Kantin. Ka lundruar mes rrymave të politikës iraniane, duke shfaqur herë anën e moderuar, herë grushtin e hekurt.

I martuar me Faridehën, vajzën e Morteza Motaharit, klerik nxënës i Ruhollah Khomeini, si ministër i Kulturës në fillim të viteve ’90 legalizoi videokasetat, duke hapur dyqane ku iranianët më në fund mund të siguronin filma të Hollywood-it dhe Bollywood-it pa qenë të detyruar t’i regjistronin fshehurazi. Ndërsa si kreu i televizionit shtetëror Islamic Republic of Iran Broadcasting (Irib), krahu propagandistik i sistemit, ishte i pari që transmetoi “dokumentarë” me rrëfime të detyruara të kundërshtarëve të arrestuar.

Gjithmonë besnik ndaj Khameneit, ai e ndihmoi për të sabotuar disa reforma të ish-presidentit Akbar Hashemi Rafsanjani, të cilat do t’u hapnin rrugën elitave ekonomike të pavarura nga shteti, por pati marrëdhënie të mira me Rouhanin, presidentin e marrëveshjeve me Perëndimin, të cilin Larijani e ka mbështetur gjithmonë. Në vitet e fundit është shprehur në favor të lirisë së zgjedhjes për hixhabin, por ka qenë gjithashtu një nga arkitektët kryesorë të shtypjes së janarit. «Larijani përfaqëson aristokracinë klerikale iraniane. Vëllai i tij Ardashir është një nga teoricienët kryesorë të Republikës Islamike; ai vetë është një konservator pragmatik», shpjegon historiani iranian Arash Azizi. Është një e djathtë në konflikt me “të djathtën e re” më radikale dhe populiste. «Ish-presidenti Mahmoud Ahmadinejad e urrente pikërisht sepse përfaqësonte atë aristokraci».

Qëndrimet e tij janë vetëm në dukje kontradiktore, thotë Azizi: «Të jesh në favor të hapjeve shoqërore mund të bashkëjetojë me shtypjen më brutale në logjikën e sistemit. Të gjithë ata që synojnë të bëhen Bonapartët e Iranit pas Khameneit — Larijani, Ghalibaf, Shamkhani — e dinë se, nëse duan të shmangin shembjen e sistemit, duhet të lejojnë liri shoqërore, t’i japin fund anti-perëndimizmit dhe të mbështeten te identiteti kombëtar i Iranit. Por nuk besoj se Larijani i ka kartat për t’u bërë Bonaparti i ri, sepse mishëron aristokracinë dhe sepse të tjerë, më shumë se ai, kanë lidhje të forta me Pasdaranët»./ La Repubblica