Iran: Shkarkohen 10 profesorë, pasi përkrahën protestat e studentëve

Iran: Shkarkohen 10 profesorë, pasi përkrahën protestat e studentëve

Autoritetet iraniane kanë shkarkuar të paktën 10 profesorë universitarë të cilët i kishin mbështetur protestat gjithëkombëtare që nisën shtatorin e kaluar, pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgimin policor.

Pak javë para përvjetorit të vdekjes së saj, Hamideh Khademi dhe Ameneh Aali, dy profesoresha nga Universiteti Allameh në Teheran, u shkarkuan përmes telefonit, derisa Këshilli i Studentëve i Iranit njoftoi se u shkarkuan edhe shtatë profesorë të tjerë nga Fakulteti i Letërsisë në Universitetin e Teheranit.

Universitetet dhe studentët për kohë shumë të gjatë i kanë udhëhequr përpjekjet për liri më të madhe politike dhe shoqërore në Iran. Më 1999, studentët protestuan kundër mbylljes së gazetës së përditshme Reformisti, duke e nxitur një bastisje brutale në konviktet e Universitetit të Teheranit ku mbeti i vdekur një student.

Vdekja e Aminit derisa po mbahej në paraburgim për shkak se e kishte shkelur ligjin për shaminë e kokës në shtator të vitit të kaluar, i ka bërë përsëri kampuset vatër të kundërshtimeve.

Përgjatë viteve, autoritetet i kanë arrestuar aktivistët studentët dhe liderët, duke i dënuar me burg dhe duke ua ndaluar studimet.

Më 26 gusht, Ali Sharifi Zarchi, anëtar i fakultetit në Departamentin për Inxhinieri Kompjuterike në Universitetin Sharif të Teheranit, shkroi në X, dikur i njohu si Twitter, se e kishte marrë një letër ku njoftohej se ishte shkarkuar nga universiteti.

Gjatë protestave gjithëkombëtare, Zarchi vazhdimisht i përkrahu studentët dhe në një moment deklaroi se do t’i pezullonte të gjitha orët mësimore derisa të gjithë studentët e arrestuar në Universitetin Sharif të liroheshin.

Agjencia e lajmeve HARNA thotë se të paktën 700 studentë universitarë janë arrestuar gjatë trazirave të fundit.

Shumica e tyre përballen me dënime si: burgim dhe rrahje me kamxhik, ndërsa dhjetëra të tjerë janë përjashtuar nga universitetet, apo pezulluar nga studimet./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione