Irani ka konfirmuar se është plotësisht i përgatitur për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, duke i dhënë një drejtim të qartë çështjes së diskutuar së fundmi mbi praninë e tij në turneun më të madh të futbollit botëror.
Zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, deklaroi për transmetuesin shtetëror IRIB se Ministria e Sportit dhe Çështjeve të Rinisë e Iranit ka përmbushur të gjitha përgatitjet e nevojshme për pjesëmarrjen e ekipit kombëtar.
Ky qëndrim duket se mbyll çdo paqartësi të mëparshme dhe zbeh shpresat për ndryshime të mundshme në përbërjen e turneut, përfshirë edhe pretendimet që lidhen me pjesëmarrjen e Italisë.
Vetëm një ditë më parë, ministri i Sportit dhe Rinisë, Ahmad Donyamali, kishte lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes, duke theksuar se vendimi final i takon qeverisë dhe varet nga kushtet e sigurisë për lojtarët.
Sipas tij, ekipi është planifikuar të zhvillojë një kamp stërvitor më 21 maj, pranë vendit pritës, ku do të qëndrojë për rreth një javë. Ai shtoi se pjesëmarrja do të kushtëzohet nga garantimi i sigurisë dhe shmangia e çdo provokimi nga vendet organizatore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika.
Me këtë deklaratë të fundit, Irani duket i vendosur të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026, duke u fokusuar tashmë te përgatitjet sportive për sfidën globale. Botërori i këtij viti do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe Irani është pjesë e Grupit G së bashku me Zelandën e Re, Egjiptin dhe Belgjikën.
Komente










