Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka konfirmuar vdekjen e komandantit Alireza Tangsiri gjatë një sulmi ajror izraelit javën e kaluar.
Ueb-faqja e Gardës, Sepah tha më 30 mars, pesë ditë pasi Izraeli raportoi për vrasjen, se admirali Alireza Tangsiri “nuk u mbijetoi lëndimeve të rënda” të pësuara gjatë sulmit.
Izraeli kishte thënë se komandanti u vra në një sulm në Bandar Abas, një qytet-port kyç në jug të Ngushticës së Hormuzit.
Në një deklaratë, Garda Revolucionare Islamike tha se Tangsiri ishte shënjestruar “gjatë organizimit dhe forcimit të forcave dhe përforcimit të mburojës mbrojtëse të ishujve dhe brigjeve” dhe vdiq “si pasojë e plagëve të marra”.
Garda nuk dha detaje të tjera në deklaratë lidhur me vdekjen e Tangsirit apo pasuesin e mundshëm të tij.
Në qershor të vitit 2019, Departamenti amerikan i Thesarit e kishte përfshirë Tangsirin në listën e terroristëve.
Marina e Gardës funksion së bashku me forcat e rregullta detare të Iranit dhe është e specializuar në luftë “guerrile”, shpesh duke përdorur anije të shpejta sulmuese, në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e Hormuzit.
Që nga nisja e sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të lartë iranianë. Po ashtu, gjatë sulmeve është vrarë udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei dhe shefi i sigurisë, Ali Larijani.
Së voni, forcat izraelite kanë kryer disa sulme që kanë pasur për shënjestër asetet detare të Iranit.
Javën e kaluar, sulmet ajrore izraelite goditën disa anije iraniane në Detin Kaspik, përfshirë një që ishte e pajisur me sisteme raketore, anije mbështetëse dhe mjete patrulluese./ REL
Komente










