Një 54-vjeçar në Athinë të Greqisë është arrestuar pasi dyshohet se ka vrarë nënën e tij 91-vjeçare dhe motrën 56-vjeçare dhe ka mbajtur trupat e tyre të pajetë të mbyllur në një dhomë të apartamentit për rreth tre muaj, duke e fshehur gjithçka nga familjarët dhe autoritetet nga frika se mos humbiste shtëpinë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Zografou. Ajo doli në dritë vetëm pas insistimit të të afërmve, të cilët prej muajsh nuk kishin asnjë kontakt me dy gratë.

Fillimisht, mungesa e tyre nuk u konsiderua alarmante, pasi 56-vjeçarja vuante nga kanceri dhe e moshuara nga demenca. Por me kalimin e kohës, heshtja u bë e dyshimtë.

I pari që ngriti alarmin ishte nipi i 91-vjeçares.

“Vinin shpesh te dyqani im, çdo 15 ditë. Pastaj u zhdukën për gjashtë muaj,” tregon ai.

Ai nisi të shkonte vazhdimisht te banesa për të parë çfarë po ndodhte.

“Ndonjëherë më hapte derën, ndonjëherë jo. Më thoshte ‘tezja po fle’ dhe unë largohesha. Por diçka nuk më dukej normale,” rrëfen ai.

Dyshimet u kthyen në frikë kur nguli këmbë të hynte në shtëpi për të parë tezen nga afër.

“Një ditë shkova dhe u përpoqa të shihja nëse ishte gjallë tezja. Kur hapi derën, bëri një lëvizje të dhunshme. U tremba se mos kishte thikë. Më shtyu fort. I thashë ku është tezja dhe më tha prapë që po flinte,” tregon ai.

Në një moment tjetër, 54-vjeçari i tha se motra ndodhej në një shtëpi tjetër. Por kjo rezultoi një gënjeshtër për të larguar dyshimet.

Sipas familjarëve, ai kishte probleme serioze psikike dhe ishte bërë i dhunshëm edhe më parë ndaj nënës së tij.

“Babai im më thoshte gjithmonë: kujdes motrën se do ta vrasë. Tezja vinte me shenja në duar,” thotë nipi.

Pas këtyre zhvillimeve, familjarët iu drejtuan policisë dhe kërkuan ndërhyrje.

Fillimisht, efektivët shkuan në banesë, por askush nuk u hapi derën. Një ditë më pas, 54-vjeçari pranoi të hapte, por u përpoq t’i mashtronte duke u thënë se dy gratë jetonin në një adresë tjetër.

Kur policia verifikoi dhe kuptoi se ishte e pavërtetë, u kthye sërish në apartament.

Brenda shtëpisë gjithçka dukej normale… përveç një dere.

Dhoma ishte e mbyllur dhe e izoluar me material ndërtimi, si të ishte vulosur.

Pas urdhrit të prokurorit, policia hyri brenda.

Aty u gjetën trupat e pajetë të nënës dhe vajzës, në gjendje të avancuar dekompozimi.

Gjatë marrjes në pyetje, 54-vjeçari pretendoi se të dyja kishin vdekur natyrshëm rreth tre muaj më parë.

Sipas tij, fillimisht kishte ndërruar jetë motra nga kanceri dhe më pas, dy ditë më vonë, edhe e ëma. Ai tha se nuk kishte njoftuar askënd sepse kishte frikë se mos i merrnin shtëpinë.

Por ky version nuk ka bindur hetuesit.

Prokurori ka urdhëruar arrestimin e tij për vrasje të dyfishtë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht çfarë ka ndodhur brenda asaj banese.

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkakun dhe kohën e saktë të vdekjes, por dyshohet se trupat kanë qëndruar në atë dhomë për më shumë se një muaj.