Situata në Iran është tensionuar ndjeshëm ditët e fundit, teksa protesta masive antiqeveritare kanë përfshirë kryeqytetin dhe dhjetëra qytete të tjera.

Në këtë klimë trazirash, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të premten se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, po shqyrton mundësinë e largimit nga vendi.

I pyetur për raportimet se Khamenei mund të ketë një plan për t’u arratisur drejt Rusisë, Trump u shpreh se ai është “duke kërkuar të shkojë diku tjetër”, duke shtuar se Irani mund të jetë “në prag të kolapsit”.

Protestat kanë arritur kulmin në Teheran. Pamjet që vijnë prej andej tregojnë njerëz të shumtë në rrugë dhe ndërtesa në flakë. Prej ditësh, demonstruesit në rrugë brohorasin slogane kundër udhëheqjes dhe i kanë vënë flakën disa ndërtesave publike.

Sipas mediave dhe organizatave për të drejtat e njeriut, përplasjet kanë sjellë viktima dhe qindra arrestime, ndërsa autoritetet kanë ndërprerë internetin në pjesën më të madhe të vendit.

Media ndërkombëtare raportojnë se brenda kupolës së shtetit iranian po diskutohen skenarë të ndryshëm për mbijetesën e regjimit, përfshirë një model të ngjashëm me atë të Venezuelës, ku udhëheqësi largohet nga vendi, por struktura e pushtetit mbetet në këmbë. Këto raportime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet iraniane.

Ndonëse nuk kanë të njëjtin intensitet si protestat e vitit 2022, përplasjet aktuale u nxitën nga heqja e subvencioneve të karburantit dhe përkeqësimi i gjendjes ekonomike, dhe zhvlerësimi i shpejtë të monedhës. Sipas grupeve të monitorimit, trazirat janë përhapur në më shumë se 100 qytete në të 31 qarqe të Iranit.

Në një deklaratë publike, Ali Khamenei ka mohuar çdo dobësi të regjimit, duke u shprehur se Republika Islamike “nuk do të tërhiqet” dhe i cilësuar protestuesit si “elementë destabilizues”. Ai i është drejtuar gjithashtu Donald Trumpit, duke i kërkuar të fokusohet në problemet e brendshme të SHBA-së.

Nga ana tjetër, Trump është përgjigjur duke thënë se SHBA është e gatshme të reagojë nëse regjimi iranian përdor dhunë ekstreme ndaj protestuesve