Shtetet e Bashkurara dhe Irani janë pranë një marrëveshjeje paqeje, njoftoi presidenti Donald Trump. Sipas mediave ajo do të quhet "Deklarata e Islamabadit" dhe mund të përfshijë rihapjen graduale, pa taksa të Ngushticës së Hormuzit dhe lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Iranit.

Por Teherani thotë se asnjë vendim nuk do të merret pa autorizimin e liderit suprem Ajatollah Mojtaba Khamenei. Nga Teherani kanë deklaruar gjithashtu se SHBA-të po bllokojnë disa klauzola të memorandumit, gjë që sipas tyre mund të rrezikojë arritjen e një marrëveshjeje.

Pra, thënë më konkretisht, për Teheranin, ende mungon dakordësia për disa pika dhe nëse SHBA vazhdon të krijojë pengesa, sipas tyre do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë telefonike me ABC News se arritja e një marrëveshjeje me Iranin varet tërësisht nga ai, teksa theksoi se nuk do të "bëjë marrëveshje të këqija".

"Nëse do të arrihet apo jo një marrëveshje varet tërësisht nga unë dhe nëse ka ndonjë lajm, do të jetë vetëm lajm i mirë: Unë nuk bëj marrëveshje të këqija", tha Trump duke mos dhënë detaje të mëtejshme mbi marrëveshjen.

Ndërkohë përmes një postimi në Truth Social, Trump njoftoi se bllokada amerikane në Ngushticën e Hormuzit do të qëndrojë në fuqi deri në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes, e cila sipas zyrtarëve të SHBA-së, nuk do të firmoset sot.

"Bllokada do të mbetet në fuqi dhe efekt të plotë derisa të arrihet, certifikohet dhe nënshkruhet një marrëveshje. Të dyja palët duhet të marrin kohën e nevojshme për ta bërë atë siç duhet", theksoi Trump.

Sipas burimeve të afërta me negociatat, drafti i memorandumit të mirëkuptimit parashikon fundin gradual të armiqësive mes SHBA-së dhe Iranit, rihapjen e pjesshme të Ngushticës së Hormuzit dhe lehtësimin e disa sanksioneve amerikane ndaj Teheranit. Marrëveshja do të përfshinte gjithashtu zhbllokimin e disa aseteve iraniane të ngrira në banka jashtë vendit.

CNN shkruan se marrëveshja pritet të zbatohet në dy faza. Në fazën e parë, Irani do të rikthejë trafikun detar në nivelet para konfliktit dhe do të japë garanci se nuk synon zhvillimin e armëve bërthamore. Në këmbim, Teheranit do t’i lejohet të rifillojë eksportet e naftës dhe karburantit.

Faza e dytë, që mund të zgjasë nga 30 deri në 60 ditë, do të fokusohet në negociata më të thelluara mbi programin bërthamor iranian dhe çështje të tjera strategjike, përfshirë rezervat e uraniumit të pasuruar të Teheranit.

Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, përgëzoi Trumpin për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për paqe”, dhe konfirmoi se presidenti amerikan kishte patur biseda telefonike me liderë të vendeve të Gjirit, Turqisë, Egjiptit, Jordanisë dhe Pakistanit, ku u diskutua situata rajonale dhe përpjekjet për arritjen e paqes.

Presidenti amerikan zhvilloi gjithashtu një telefonatë të veçantë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Burime izraelite thanë se Tel Avivi mbetet i shqetësuar se një marrëveshje e përkohshme mund të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit pa adresuar plotësisht programin bërthamor dhe rezervat e uraniumit të pasuruar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:41
Sekretari amerikan i Shtetit, Rubio: Hezbollahu dëshiron ta zhysë Libanin në kaos

1778145576_marcorubiopapaleonii14donaldtrump.JPG

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Hezbollahu dëshiron ta zhysë Libanin në kaos.

Komentet Rubio i bëri teksa ka denoncuar atë që ai e cilësoi si ‘fushatë të qëllimshme’ të Hezbollahut për të ‘destabilizuar vendin dhe për të ruajtur pushtetin’.

“Hezbollahu dëshiron ta zhytë Libanin përsëri në kaos”, tha mes të tjerash sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Ora 22:28
Teherani: Topi është në fushën e SHBA-së, ata duhet të pranojnë kushtet tona

1778248178_sulmeneteheran.jpg

 Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit iranian, tha për Al Jazeera-s se "topi është në fushën e amerikanëve dhe ata duhet të pranojnë kushtet e Iranit, duke përfshirë përfundimin e luftës, dhe heqjen e sanksioneve".

"Ne nuk kemi negociuar me Amerikën në lidhje me rezervat tona të uraniumit të pasuruar. Ne po negociojmë për njohjen e të drejtës së Iranit për të pasur një program bërthamor për qëllime paqësore. Ne nuk synojmë të zotërojmë armë bërthamore dhe Amerika është humbësi i madh në këtë luftë. Një armëpushim në të gjitha frontet është ndër kushtet që Irani ka rënë dakord", tha Rezaei.

Ora 22:06
Izraeli drejt zgjedhjeve parlamentare në gjysmën e parë të shtatorit

1779653290_chgkl.JPG

Partia ultra-ortodokse Degel ha-Torah (aleate e koalicionit qeverisës) e ka informuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se nuk do ta mbështesë projektligjin për rekrutimin ushtarak, siç është propozuar nga koalicioni, i cili aktualisht është në diskutim në Knesset.

Lajmin e raportuan mediat izraelite, të cilat theksojnë se ky refuzim, në mungesë të marrëveshjeve të mëtejshme brenda koalicionit, mund të çojë në shpërbërjen e Knessetit (Parlamentit të Izraelit), duke çuar me shumë gjasa në zgjedhje në gjysmën e parë të shtatorit, më herët se afati i natyrshëm i 27 tetorit.

Ora 21:42
Rubio: Një marrëveshje bërthamore nuk mund të zgjidhet brenda 72 orësh

1778831522_marcorubio.jpg

Foto: Marco Rubio

Marrëveshja bërthamore iraniane nuk mund të arrihet "brenda 72 orësh", tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së për New York Times .

Komentet e Rubios vijnë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump u tha negociatorëve të tij "të mos nxitohen për të arritur një marrëveshje" me Iranin për t'i dhënë fund luftës tremujore.

"Ne nuk po e vonojmë atë. Negociatat bërthamore janë çështje shumë teknike. Tani për tani, kemi shtatë ose tetë vende në rajon që e mbështesin këtë qasje dhe jemi gati të ecim përpara në atë rrugë" shtoi ai.

Ora 21:18
Hezbollahu: Shpresojmë që marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit të përfshijë edhe Libanin

1778077879_liban.webp

Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se shpresonte që një marrëveshje mes Iranit dhe SHBA-së të përfshinte edhe Libanin.

"Me vullnetin e Zotit, kjo marrëveshje do të finalizohet dhe ka shenja të përfundimit të saj, dhe si pasojë, edhe ne do të jemi midis atyre që do të jenë pjesë e saj: një marrëveshje për ndërprerjen e plotë të armiqësive", tha ai në një fjalim televiziv.

Agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit raportoi se "së pari do të shpallet një memorandum mirëkuptimi (MoU), duke theksuar fundin e luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin", ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëriti mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur nga kërcënimet, përfshirë ato nga Hezbollahu.

Ora 20:38
Udhëheqësi i Hezbollahut: Çarmatimi ynë është i barabartë me ‘shfarrosje’, i papranueshëm!

1779647957_xgfickk.JPG

Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se çarmatimi i grupit të tij ishte i papranueshëm dhe i barabartë me "asgjësim".

Komentet e tij erdhën ndërsa Libani përgatitet për një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta me Izraelin në Uashington, në fillim të muajit të ardhshëm.

"Çarmatimi do të thotë privimi i Libanit nga kapaciteti i tij mbrojtës dhe kapaciteti i rezistencës (Hezbollahut) dhe i këtij populli, duke i hapur rrugën shfarosjes", tha ai në një fjalim televiziv.

Ai shtoi gjithashtu: "Çarmatimi është shfarosje dhe ne nuk mund ta pranojmë atë. Monopoli shtetëror mbi armët i kërkuar nga autoritetet libaneze, në këtë fazë synon të shënjestrojë rezistencën dhe është një projekt izraelit".

Ora 20:24
Irani: SHBA-të po bllokojnë disa klauzola të memorandumit, marrëveshja për paqe mund të dështojë

1779647419_chukoo.JPG

Irani ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara po bllokojnë disa klauzola të memorandumit të paqes, ç’ka sipas tyre, mund të çojë në shkatërrimin e marrëveshjes.

"Shtetet e Bashkuara po bllokojnë pjesë të memorandumit të mirëkuptimit, të cilat mund të anulohen", raportoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.

Po ashtu, Irani ka pretenduar se nuk do të bëjë kompromis me ato që ata i cilësojnë si ‘vija të kuqe’ për të drejtat e popullit të tyre.

"Pavarësisht thirrjeve të shumta sot, bllokada amerikane e pjesëve të caktuara të memorandumit të mirëkuptimit, përfshirë çështjen e zhbllokimit të aseteve të ngrira iraniane, vazhdon. Këto çështje nuk janë zgjidhur. Prandaj, ekziston ende mundësia që memorandumi të anulohet në këtë fazë. Irani ka theksuar se nuk do të bëjë kompromis me vijat e tij të kuqe për të siguruar të drejtat e popullit të tij", raportoi agjencia iraniane e lajmeve.

Ora 19:46
Teherani: Negociatat me SHBA-në do të bëhen vetëm me zhbllokimin e aseteve dhe heqjen e sanksioneve të naftës

1778088534_luftaniran.jpg

Foto: Flamuri i Iranit dhe SHBA-së

Republika Islamike është e gatshme të negociojë me Uashingtonin "vetëm nëse kjo i sjell përfitime konkrete ekonomike vendit.  Një nga përfitimet kryesore është lirimi i aseteve të bllokuara iraniane, ndërsa një pikë tjetër kyçe është heqja e sanksioneve mbi naftën.

Vlerësimet, shkruan Fars, tregojnë se vetëm shitjet e naftës bruto (duke përjashtuar petrokimikatet dhe derivatet e tjera) gjatë 60 ditëve të ardhshme do të gjeneronin afërsisht 10 miliardë dollarë të ardhura për qeverinë iraniane.

"Megjithatë, mosbesueshmëria e Shteteve të Bashkuara dhe shkeljet e përsëritura të besimit e kanë bërë Iranin absolutisht të kujdesshëm ndaj këtij vendi".

"Zyrtarët në ekipin negociator dhe komandantët ushtarakë, thonë se të gjitha opsionet mbeten në tryezë dhe, ndërsa ndjek çdo përfitim ekonomik për vendin, Republika Islamike mban një vizion të qartë për të mos u mbështetur në premtimet boshe të Uashingtonit", shkruan Fars.

Ora 17:53
Zyrtari amerikan: Mojtaba Khamenei miratoi kornizën e përgjithshme të marrëveshjes

1778419996_mojtabakhamenei.jpg

Një zyrtar amerikan i tha gazetarit të Axios, Barak, se lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka miratuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes së paqes me SHBA-në.

“Për aq sa kuptojmë ne, Udhëheqësi Suprem Mojtaba Khamenei ka miratuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, por mbetet për t’u parë nëse kjo do të përkthehet në një marrëveshje përfundimtare”, i tha zyrtari amerikan gazetarit të Axios, Barak.

Ora 17:15
Zyrtarët amerikanë: Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit nuk do të nënshkruhet sot

1778855393_mojtabakhameneidonaldtrump.jpg

Nënshkrimi i marrëveshjes së paqes mes SHBA-së dhe Iranit nuk do të ndodhë sot.

Kështu kanë deklaruar disa zyrtarë amerikanë të cituar nga Bloomberg. Sipas burimeve, ata më pas e përshkruan sistemin iranian si "shumë të ngadaltë dhe të errët".

Sipas zyrtarëve amerikanë, palët ende po negociojnë ‘gjuhën’ që do të përdoret për çështjet kryesore, të tilla si rihapja e Ngushticës së Hormuzit, dhe mund të duhen disa ditë para se të dyja palët të japin miratimin përfundimtar.

Marrëveshja, raportuan ata, përcakton që Irani do të hapë Ngushticën e Hormuzit në këmbim të heqjes së bllokadës amerikane. Duke shprehur besimin se Udhëheqësi Suprem Mojtaba Khamenei do ta mbështesë marrëveshjen, zyrtarët amerikanë theksuan se marrëveshja për uraniumin e pasuruar shumë do të përmendet vetëm në parim dhe përsëritën se administrata Trump e konsideron të papranueshme vendosjen e një takse në Hormuz.

Ora 17:05
Netanyahu poston fotografinë me Inteligjencë Artificiale: Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore

1777309145_benjaminnetanyahu.webp

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu postoi një fotografi të gjeneruar nga inteligjenca artificiale në rrjetin social ‘X’, ku shihet ai dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me mbishkrimin: “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.

 

Ora 17:03
Trump: Bllokada amerikane në Hormuz do të mbetet në fuqi derisa të nënshkruhet marrëveshja

1778532741_6400trump1776700143.png

Foto: Donald Trump

"Negociatat po ecin në mënyrë të rregullt dhe konstruktive, dhe unë i kam udhëzuar përfaqësuesit e mi që të mos nxitohen për një marrëveshje, pasi koha është në anën tonë", shkroi Donald Trump në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Truth.

"Bllokada do të mbetet në fuqi dhe efekt të plotë derisa të arrihet, certifikohet dhe nënshkruhet një marrëveshje. Të dyja palët duhet të marrin kohën e nevojshme për ta bërë atë siç duhet", theksoi ai.

Ora 16:08
Von der Leyen përshëndet progresin në negociata mes SHBA-së dhe Iranit: Tani rihapni Ngushticën e Hormuzit dhe garantoni lirinë e lundrimit

1777303412_vonderleyen.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur përparimin në negociata mes SHBA-së dhe Iranit.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Ursula von der Leyen ka kërkuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe garantimin e lirisë së plotë të lundrimit.

"Përshëndes progresin e bërë drejt një marrëveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Nevojitet një marrëveshje që vërtet e qetëson konfliktin, rihap Ngushticën e Hormuzit dhe garanton liri të plotë dhe të papenguar të lundrimit. Evropa do të vazhdojë të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të shfrytëzuar këtë mundësi dhe për të arritur një zgjidhje diplomatike të qëndrueshme dhe për të ‘përmbajtur’ pasojat e këtij konflikti, veçanërisht në zinxhirët e furnizimit dhe çmimet e energjisë", ka shkruar Ursula von der Leyen në rrjetin social ‘X’.

Ora 15:38
Avionë luftarakë që bombardojnë anijet e Iranit, Trump poston foto me inteligjencë artificiale: Adios

Foto: Postimi i Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, publikoi sërish një foto me inteligjencë artificiale në platformën e tij të mediave sociale, Truth.

Në foton e publikuar shihen avionë luftarakë amerikanë duke bombarduar anije me flamur iranian, me në Ngushticën e Hormuzit.

Mbi foton presidenti amerikan shkruan gjithashtu fjalën ‘Adios’ – që do të thotë mirupafshim.

Ora 15:13
Marrëveshja e mundshme SHBA-Iran, Netanyahu mbledh Kabinetin e Sigurisë së Izraelit! Dy çështjet kyçe të negociatave për Tel Avivin

1778431004_benjaminnetanjahu.jpg

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të thërrasë një takim të Kabinetit të Sigurisë këtë mbrëmje, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, raporton gazeta izraelite "Times of Israel", duke cituar një ndihmës të njërit prej ministrave që merrte pjesë në takim.

Sipas transmetuesit publik izraelit "Kan", Netanyahu i shprehu shqetësime Presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me dy aspekte specifike të draft-marrëveshjes që është aktualisht në diskutim midis Uashingtonit dhe Teheranit: ‘shtyrja e negociatave mbi programin bërthamor të Iranit dhe përfshirja e një klauzole që lidhet me Libanin’.

Sipas raporteve të publikuara nga "Axios", memorandumi i mirëkuptimit që Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë afër nënshkrimit do të parashikonte një zgjatje 60-ditore të armëpushimit dhe do të përfshinte gjithashtu një mekanizëm për të ndaluar armiqësitë midis Izraelit dhe Hezbollahut përgjatë frontit jugor libanez.

Megjithatë, draft-marrëveshja do t'i lejonte Izraelit të ndërhynte ushtarakisht nëse Hezbollahu përpiqet të riarmatoset ose të kryejë sulme të reja kundër territorit izraelit. "Kan" raporton gjithashtu se një nga shqetësimet kryesore të qeverisë izraelite është koha e marrëveshjes: ‘diskutimet mbi kufizimet në programin bërthamor të Iranit do të fillonin vetëm pasi të fillonte armëpushimi 60-ditor.’

Mbledhja e Kabinetit të Sigurisë Izraelite vjen mes thashethemeve dhe kontakteve diplomatike të vazhdueshme në lidhje me një marrëveshje të mundshme midis Uashingtonit dhe Teheranit, e cila do të përfshinte gjithashtu rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një lehtësim të pjesshëm të kufizimeve mbi eksportet e naftës iraniane.

Ora 13:18
‘Deklarata e Islamabadit’, zbardhen kushtet e marrëveshjes së shumëpritur SHBA-Iran: Zgjatje të armëpushimit me 60 ditë, rihapje e Hormuzit

Marrëveshja e shumëpritur midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të cilën Al Arabiya raporton se do të quhet "Deklarata e Islamabadit", pritet të finalizohet në orët e ardhshme.

Pas javësh debatesh, dokumentesh që dërgoheshin dhe ktheheshin me kërkesa shtesë (të konsideruara të papranueshme), Uashingtoni dhe Teherani mund të kenë arritur një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit të nisur që nga fundi i shkurtit. Të paktën për momentin.

Axios dhe New York Times, përmbledhin kushtet e marrëveshjes, duke cituar burime të njohura me çështjen. Pikat kryesore të draft-marrëveshjes thuhet se sillen rreth energjisë bërthamore, Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimit të luftës në Liban. Sipas raportimeve, marrëveshja do të hynte në fuqi menjëherë pas njoftimit zyrtar nga të dyja palët.

Ja disa nga kushtet kryesore:

-Zgjatja e armëpushimit me 60 ditë, me pëlqim të ndërsjellë, që zbatohet në të gjitha frontet: tokë, det dhe ajër;

-Rihapja e Ngushticës së Hormuzit pa taksa dhe angazhimi i Iranit për të hequr minat duke lejuar kalimin e lirë të anijeve;

-Shtetet e Bashkuara heqin bllokadën e porteve iraniane dhe japin përjashtime nga sanksionet për të lejuar Teheranin të shesë naftë lirisht. Një burim qeveritar amerikan deklaroi se sa më shpejt që Irani të heqë minat, aq më shpejt do të hiqet bllokada;

-Konfirmimi i vendosjes së forcave amerikane në rajon për 60 ditët e ardhshme dhe tërheqja vetëm në rast të një marrëveshjeje përfundimtare;

-Angazhimi i Iranit për të mos zhvilluar kurrë armë bërthamore dhe për të negociuar pezullimin e programit të tij të pasurimit të uraniumit, duke përfshirë heqjen e rezervave të tij të uraniumit me nivel të lartë pasurimi;

-Fund i luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, një situatë që ngriti shqetësime tek kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e shprehu këtë gjatë një telefonate me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Një zyrtar amerikan, megjithatë, sqaroi se ky nuk do të ishte "një armëpushim i njëanshëm" dhe se Izraeli do të autorizohej të vepronte nëse Hezbollahu do të përpiqej të riarmatosej ose të provokonte sulme;

-Zhbllokim i 25 miliardë dollarëve në asete iraniane që aktualisht janë të ngrira jashtë vendit.

Ora 11:42
Marrëveshja me SHBA-të, presidenti i Iranit: Asnjë vendim nuk do të merret pa autorizimin e Khameneit

Asnjë vendim nuk do të merret pa autorizimin e Udhëheqësit Suprem, ajatollahut Mojtaba Khamenei. Kështu deklaroi presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, në lidhje me një marrëveshje të mundshme midis SHBA-ve dhe Iranit.

Agjencia iraniane e lajmeve, Fars, shtoi se Pezeshkian tha se “kur merret një vendim në fushën diplomatike, të gjitha institucionet, platformat dhe rrymat duhet ta mbështesin atë në mënyrë që bota të dëgjojë një zë të unifikuar dhe koheziv nga Irani.”