Lindja e Mesme është përfshirë në konflikt prej së shtunës pas sulmeve amerikano-izraelite në Iran që rezultuan edhe në vrasjen e Ali Khameneit. Ndërkohë, harta e luftës është zgjeruar deri në Arabinë Saudite pasi sulmet e Iranit kanë bombarduar ambasadën amerikane në Riad.

Megjithatë, pavarësisht raportimeve të shumta nga mediat e huaja, për banorët e Riadit situata është e qetë. Sindi Mullai, një shqiptare e cila jeton në Riad, thotë në një lidhje direkte për “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv se nuk ka hapësirë për panik pasi masat janë ndërmarrë menjëherë.

“Situata është goxha e qetë. Ka tension, sidomos pas ditës së sotme që shpërtheu edhe ambasada amerikane në Riad. Qeveria këtu na ka siguruar që të jemi të qetë dhe nuk ka hapësirë për panik apo ndonjë tension kushedi çfarë. Edhe lajmi i djeshëm me kontejnerin e naftës, por çdo gjë duket e qetë. Jeta vijon normalisht. Disa shkolla kanë dalë online, edhe disa punë remote. Më shumë është prej shiut dhe zakonisht kështu ndodh. Situata është e qetë, ambasadat kanë bërë deklarata për të huaj që ndodhen këtu, përfshirë ambasadën tonë”, tha Mullai.

Mullai jeton prej 9 vitesh në Arabinë Saudite, si shumë shqiptarë të tjerë, me të cilët ka kontaktuar përgjatë këtyre ditëve.

“Kemi një grup shqiptarësh, pas lajmit me ambasadën, ne kontaktuam sepse 2-3 shqiptarë ndodhen në bllokun e ambasadave. Unë e kam shtëpinë 40 min larg dhe nuk dëgjova gjë, por ishin marrë masat menjëherë kështu që s’kishte asnjë problem. Mediat në Arabi nuk i shpalosin të gjitha informacionet, më shumë për të mos përhapur panik. Bazat që janë goditur kanë qenë bosh sepse SHBA-të ishin në dijeni dhe ishin përgatitur”, përfundoi Mullai.